11 Prill, 2014

arkitektura-osmane-ne-shqiperi-1385-1912-machiel-kielTitulli: Arkitektura osmane në Shqipëri 1385 – 1912 (kopertinë e trashë)
Origjinali: Ottoman architecture in Albania 1385 – 1912
Gjinia: Arkitekturë
Autori: Machiel Kiel
Shqipëroi: Klodiana Smajlaj
Shtëpia botuese: Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam
Viti: 2012
Fq. 416
Pesha: 0.967 kg
ISBN: 978-9928-4035-6-8

Koment nga Dr. Ramiz Zekaj

Deri në dekadat e fundit, kryesisht për shkak të arsyeve politike, kishte një injorancë të plotë mbi trashëgiminë osmane në Europën Lindore, edhe pse për një gjysmë mileniumi ky rajon ishte pjesë integrale e botës muslimane dhe qytetet e Ballkanit ishin ndër qytetet më të rëndësishme të Perandorisë Osmane.

Pas përfundimit të autoritetit osman në Gadishullin Ballkanik, shumica e ndërtesave osmane u shkatërruan dhe u trajtuan jo siç duhet, sidomos gjatë shekullit XX. Sikurse tregon Prof. Kiel: “Në disa vende të Ballkanit ende është më e lehtë për të shembur një xhami sesa për ta restauruar atë”.

Duke qenë i vetëdijshëm për këtë situatë, Prof. Kiel ka udhëtuar çdo vit drejt Ballkanit, që nga viti 1959. Kjo ka bërë të mundur që ai të regjistrojë ndryshimin e gjendjes së ndërtimeve turko – islame të mbetura në këtë zonë. Megjithatë, fokusi i studimit të tij është mbi monumentet e Shqipërisë, Bullgarisë dhe Greqisë, për arsye se ato janë më pak të njohura për të gjithë.

Në saj të përpjekjeve të tij të mëdha, në librin “Arkitektura osmane në Shqipëri 1385 – 1912”, ne kemi mundësinë për të pasur të dhëna në lidhje me një sasi të konsiderueshme të monumenteve osmane, disa prej të cilave edhe pse të shkatërruara, me informacionin e sjellë prej tyre, ringjallin kujtesën historike për brezat e kohës sonë dhe e bëjnë ndërtesën osmane në trojet shqiptare të njohur ndërkombëtarisht. Me këtë edhe procesi i shpëtimit dhe i restaurimit të saj ndikohet pozitivisht.

Analiza është vendosur në kontekstin e administratës shtetërore, të jetës kulturore e sociale dhe të sistemit institucional. Si i tillë, libri është shumë më tepër se një studim arkitekturor; ai reflekton gjithashtu sistemin administrativ osman të aplikuar në provinca, funksionet sociale të shtetit, si dhe strukturën institucionale të shoqërisë.

Historianët e arkitekturës do ta vlerësojnë më së shumti librin, por studentët e periudhës osmane dhe të historisë së artit europian do të përfitojnë, gjithashtu, nga ky studim mbi baza të shëndosha.

Mbi autorin

Prof. Dr. Machiel Kiel ka lindur më 25 shkurt 1938 në Vormerver, Holandë. Ai ka shërbyer për 17 vjet në Shërbimin Kombëtar të Holandës për Monumentet e Kulturës si restaurues. Ka studiuar histori arti dhe gjuhë e letërsi osmano – turke në Universitetin e Amsterdamit, ku mori gradën Doktor i Shkencave Filologjike.

Prof. Kiel është autor i 190 studimeve dhe i 11 librave, shumica prej të cilëve në gjuhët angleze dhe gjermane, në lidhje me monumentet e kulturës islamo – turke dhe topografisë historike të Ballkanit Osman.

Veprat e tij janë botuar në Turqi, Greqi, Francë, Gjermani, Jugosllavi, Bullgari dhe Holandë. Ai ka punuar gjithashtu si bashkëpunëtor për hartimin e Enciklopedisë së Islamit dhe si përfaqësues i Holandës në Komunitetin e Përhershëm për Kongreset Ndërkombëtare të Artit Turk, si dhe Komitetit Holandez për Studime Bizantine pranë “Shoqatës Ndërkombëtare për Studime Bizantine”.

Ai është president i Fondacionit Korwerderzand (për mbrojtjen e fortesave historike). Prof. Kiel ka dhënë mësim paleografikën osmano – turke në Universitetin Shtetëror të Utrehtit. Aktualisht është i angazhuar në një projekt afatgjatë në arkivat osmane të Stambollit dhe Ankarasë.

  • Ky I ashtquajturi historian Michael Kiel eshte shume i gabuar ne datat e tij sepse Osmanet per Here te pare ndertuan ne shqiperi jo me perpara se viti 1466 me kalane e Elbasanit dhe me pas me masivisht mbas viteve 1480 dhe 1490 mbas nenshtrimit te Arberise nga osmanet.

    Keto lloj titujsh jane idioteske dhe nuk duhen pranuar nga qeveria shqiptare.

  • {"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
    >