nga Admin

9 Mars, 2015

I intervistuar nga “Gazeta shqiptare”, poeti Xhevahir Spahiu rrëfen për kohët kur e akuzuan se ishte ndikuar, në krijimtarinë e tij, nga ekzistencializmi i Jean Paul Sartre-it.

Kjo akuzë i pat ardhur atëherë drejtpërdrejt nga Enver Hoxha dhe pastaj u amplifikua, siç pritej, në faqet e gazetave dhe në sallat e gjyqeve popullore të regjimit.

Shkak ish bërë ky varg: “Jam ai që s’kam qenë, do jem ai që s’jam” nga poezia Jetë.

Spahiu e pohon tani se nuk e kish lexuar Sartre-in, madje edhe që nuk dinte frëngjisht.

Ai përsërit se poezia në fjalë “Ishte diçka që thjesht doli nga unë, jo se qeshë ndikuar nga Sartri.”

Me siguri do ta ketë shpjeguar këtë edhe atëherë – por nuk e kanë besuar. Ishte koha kur të kishe një ide “ekzistencialiste” nuk ishte vetvetiu e dënueshme; ose, në çdo rast, jo aq e dënueshme sa ta kishe marrë këtë ide nga një filozof “i dënueshëm.”

Në kuptimin Spahiun e dënuan, sepse nuk dënonin dot Sartre-in.

Në ato vite Sartre-i kish folur me simpati për Kinën maoiste dhe, nëse nuk më gabon kujtesa, edhe për Shqipërinë; madje qarkullonin zëra sikur kish shprehur dëshirën të vizitonte Tiranën.

Dhe sado e rrezikshme të ketë qenë filozofia e tij, fakti është se këtë filozofi në Shqipëri nuk do ta kuptonin më shumë se 4-5 vetë.

Pgc4aG1lNga ana tjetër, Spahiu nuk përfaqësonte ndonjë rrezik për regjimin – përveçse rreziku që shoqëron talentin dhe një farë dukshmërie në qarqet letrare të kryeqytetit.

E dënuan jo si element disident, por si kanal që i kish përcjellë, publikut shqiptar, shfaqje të huaja. Enver Hoxha u kish shpallur luftë memeve në një kohë kur koncepti nuk ishte formuluar, as kristalizuar akoma.

Prandaj për artistin shqiptar të fillimviteve 1970 shprehja “është ndikuar nga” tingëllonte fatale. Në kontekstin totalitar, shprehja e Harold Bloom-it, The anxiety of influence merrte një kuptim tjetër, më “ekzistencial.”

Nuk ishte rastësi as që akuzën për ndikime nga Sartre-i e bëri të vetën, në mos e hodhi i pari në qarkullim, vetë Enver Hoxha.

Nëse Spahiu do të ngulte këmbë atëherë sikurse ngul këmbë edhe tani se nuk e njihte Sartre-in, akuzuesit e tij – të larë e të palarë – do të implikonin të kundërtën: se ata kishin qenë kushedi të detyruar që ta zbërthenin atë vepër, meqë armiku duhej njohur.

Nuk e di nëse Hoxha ia ka lexuar frëngut filozofinë, edhe pse kështu me intuitë nuk ma merr mendja; dhe nuk kam parë kurrë asnjë shenjë, në tekstet e Hoxhës, që ky ta ketë qoftë edhe shfletuar rivalin e vet imagjinar.

Megjithatë, ishte e nevojshme – për fatet e revolucionit botëror – që Hoxha t’i paraqitej publikut si një nga ata pak shqiptarë, në mos i vetmi, që kishte akses në filozofinë moderne franceze.

E cila përndryshe ishte edhe e ndaluar të qarkullonte në Shqipëri.

I lexoj unë, dukej sikur thoshte lideri shqiptar, që të mos i lexoni ju. Madje jo vetëm i lexoj, por edhe jam në gjendje të pikas, në diskursin tuaj, ato ndikime nga Sartre-i që ju do t’i kishit, sikur ta kishit lexuar.

Para kësaj skenografie, Spahiut nuk i mbetej veç të ndryhej në dhomat e “Zërit të Popullit” (“Më 1973-shin unë qëndrova 8 muaj brenda mbyllur në “Zërin e Popullit,” thotë ai në intervistë) dhe të priste dënimin; madje edhe pa e kuptuar se kjo lënie në pritje do të ishte pjesa më e keqe e dënimit.

Ngaqë ishte ndikuar prej një autori frëng që ai s’e kish lexuar, prej një lideri shqiptar, që gjithashtu nuk ish në gjendje të dallonte Sartre-in nga Louis Ferdinand-Céline-i.

Kanë qenë kohë heroike, pavarësisht nga mbretërimi i frikës.

Burimi: http://peizazhe.com/2015/03/08/ankthi-i-ndikimit/

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>