Tre përdorime të fjalës sentimentalist

0
12

Kam hasur së fundmi dy përdorime në kontekste shumë të ndryshme të fjalës sentimentalist, apo sentimentalizëm, gjë që më rikujtoi një rast të tretë, disa vite të shkuara. Çfarë do të thotë të jesh sentimental?

Autor: Gjergj Erebara | BIRN | Tiranë

Rasti i parë ishte në një dosje  voluminoze të Sigurimit të Shtetit, quajtur Dosje Drejtimi për Internim- Dëbimet. Një sigurims raportonte përgjatë një vale masive internimesh në Tiranë në fund të viteve 1980, pasi një akt vandalizmi në një shkollë, ku në orët e vona të natës u thye shkolla, u shkruan parulla nëpër mure dhe u vandalizuan fotografitë e dikatorit. Kjo ndodhi ndërkohë që pushteti ndiente një farëlloj rezistence në rritje në popullsi, në formën e komenteve negative. Internimet u kryen në masë ndërsa në disa raste u raportuan qëndrime sfiduese nga fqinjët e të internuarve. Në një rast, fqinjët qëndruan me orë të gjata pranë familjes që po internohej. Sipas komentit të sigurimsit raportues, fqinjët u treguan sentimentalë.

Në faqen 93 të romanit Zhurma e Kohës nga Julian Barnes, fjala sentimentalizëm përdoret në këtë kontekst:

…” Shekspiri ishte paksa naiv. Për shkak se përbindëshat e tij kishin dyshime, ëndrra të këqija, brejtje ndërgjegjeje, faj. Ata shikonin shpirtrat e atyre që kishin vrarë që ngriheshin para syve. Por në jetën reale, nën terrorin real, çfarë ishte ndërgjegjja prej fajtori? E ku ishin këto ëndrrat e makthit? Kjo e gjitha ishte sentimentalizëm, optimizëm fals, shpresë e kotë se bota mund të jetë ashtu si ne duam të jetë dhe jo ashtu siç është.”

Viti 2004 në Shqipëri. Në televizionin A1, në atë kohë në pronësi të Koço Kokëdhimës, një punëtori ndërtimi i bie të fikët në punë e sipër. Një kameraman dhe një gazetar nxitojnë për të ndihmuar. E marrin punëtorin dhe e dërgojnë në spital. Pas një vizite të shpejtë, mjeku shpjegoi se pacienti është i ri dhe i fuqishëm dhe nuk vuan nga ndonjë gjë specifike, përveç të pangrënit. Ai jep si ilaç një vakt gjelle spitali. Kameramani dhe gazetari pyesin punëtorin se si ka ndodhur që ai ka mbetur pa ngrënë deri në pikën kur i ka rënë të fikët. Punëtori thotë se ka tre muaj që nuk ka marrë pagën. Historia qarkullon nëpër stafin e vogël të televizionit, deri sa një drejtues gazetar shkon të ankohet te administratori, një ish-mësues partie i kthyer në drejtor-kapitalist, por që vijonte të mbetej nostalgjik i komunizmit. Drejtuesi gazetar shprehet i prekur nga fakti që punëtori i ndërtimit ka tre muaj pa marrë rrogën. Përgjigjja e ish-mësuesit të partisë ishte përmes një pyetjeje retorike dhe protestuese: “Ç’janë këto sentimentalizma”!!!

Një vit më vonë, drejtori komunisto-kapitalist u bë kandidat për deputet për Partinë Demokratike.

Në fjalorin shqip-shqip, fjala sentimentalizëm shpjegohet në këtë mënyrë: të qenët sentimental; qëndrim që niset nga ndjenjat; sentimentalizëm i sëmurë.

Megjithatë, nga tre kontekstet e mësipërme, të qenët sentimental rezulton se është njëkohësisht një akt i rezistencës apo një akt i protestës edhe në situatat më absurde. Fqinjët e familjes që po internohej vështirë se kishin mundësi të bënin rezistencë ndaj makinerisë së një diktature totalitare. Ata vështirë se mund të votonin kundër, ose të garonin për zgjedhje. Ata madje as nuk mund të dilnin në protestë në rrugë. Ata madje nuk kishin mundësi as të flisnin.

Sentimentalizmi i shprehur si keqardhje për fqinjin që po futej në një kamion për t’u hequr nga qyteti i vet për shkak të supozimit se përbënin një rrezik për pushtetin e disave, ky sentimentalizëm ishte i vetmi mjet për rezistencë në duart e njerëzve të mirë.

Më ngjan se është shumë mirë që njeriu të jetë sentimental, pavarësisht nëse ata josentimentalët me pushtetin e tyre të vockël e përdorin këtë term për fyerje.

Marrë nga reporter.al