nga Admin

14 Tetor, 2011

100 vjetori i Migjenit (foto)

100 vjetori i Migjenit (foto)Vargjet e “Poetit të Mjerimit” prekën skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë. Kështu u shenjua 100-vjetori i lindjes së Migjenit, poetit që me vargjet e tij të lira, bëri ‘revolucion’ në poezinë shqipe. Aktorë të zëshëm të teatrit shqiptar, në një mbrëmje unike përcollën vargjet e poetit që u shua kur ishte vetëm 27-vjeç. Në këtë mbrëmje poetike ‘In Memoriam’, bashkë me vargjet emblematike të Migjenit, erdhën mesazhe të forta ndërsa shpërfaqeshin imazhet e poetit të ri, imazhe nga rrugëtimi i jetës së tij të shkurtër.

Sikundër bënë motrat e Migjenit ndër dekada, sikundër ato treguan kujdes të ruanin me fanatizëm çdo gjë që ai la pas, njësoj kujdeset sot mbesa e poetit, Angjelina Ceka për veprën e tij. Në rrëfimin e saj në këtë 100-vjetor të poetit, ajo rrëfeu për rrugëtimin e vargjeve të tij, veprës së një jete duke theksuar: “Familja e tij, motrat e tij ruajtën me fanatizëm çdo gjë që ai la pas, çdo copë letër, çdo varg që ai shkroi dhe pasi Migjeni u shua, u kujdesën që gjithçka të shihte dritën e botimit, vepër e cila tanimë mund të lexohet nga kushdo”.

Me regji të Vasjan Lamit, i cili gjithaq interpretoi vargje të Migjenit për publikun, aktoret Yllka Mujo dhe Suela Konjari dhe aktorët Fatos Sela, Dritan Boriçi dhe Bujar Asqeriu, sollën për publikun kryeqytetas vargjet më të spikatura të një poeti të përjetshëm, vepra e plotë e të cilit është botuar tanimë.

Millosh Gjergj Nikolla, Migjeni i letërsisë shqipe u lind më 13 tetor 1911 në Shkodër. Ai u shua më 26 gusht të vitit 1938 në moshën 27-vjeçare në një senatorium pranë Torinos. Gjithçka ai la pas u botua pas vdekjes nën përkujdesin e motrave të tij të cilat ruajtën çdo gjë që ai shkroi dhe u kujdesën të botonin gjithçka ai la pas e që sot është një vepër e rëndësishme për letrat shqipe.

Burimi: Gazeta IDEA

  • “Gjithçka ai la pas u botua pas vdekjes

    nën përkujdesin e motrave të tij të cilat ruajtën çdo gjë që ai shkroi

    dhe u kujdesën të botonin gjithçka ai la pas

    e që sot është një vepër e rëndësishme për letrat shqipe”

    Ky paragraf do perpunuar – me sakte shkurtuar 2 fjali. Mund ti gjeni se cilat jane? 🙂
    Eni

  • {"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
    >