Kategoritë e librave

Librat sipas botuesit

Autorë të përzgjedhur

PayPal

Njoftime me email

Proze dhe vargje te zgjedhura 2, Mitrush Kuteli Shihe të plotë

Proze dhe vargje te zgjedhura 2, Mitrush Kuteli

Në këtë vëllim janë paraqitur novelat: "Natë marsi", "Natë prilli" (Kapllan Aga i Shaban Shpatës), "Natë muaji maj" (I vdekuri dhe i gjalli), "Rinë Katerinëza", "Natë qershori", "Natë gushti" (Përtej valëve të kohës), "Natë muaji Shëmbitër" (Rrëfimi i parë i Argjir Vlonjatit), "Natë vjeshte të tretë", "Letrat e ndajnatës" (Lugetërit e fshatit tonë).

Info shtesë

SKU000004

Disponueshëria: Ne gjendje

$9.86

1

Klientët që blenë këtë libër, blenë edhe...

Titulli: Prozë dhe vargje të zgjedhura, vëllimi i dytë
Origjinali: Prozë dhe vargje të zgjedhura, vëllimi i dytë
Gjinia: Novela
Autori: Mitrush Kuteli
Shtëpia botuese: Mitrush Kuteli
Viti: 2009
Fq. 368
Pesha: 0.381 kg
ISBN: 978-99927-624-4-6

Mbi librin

Në këtë vëllim janë paraqitur novelat: "Natë marsi", "Natë prilli" (Kapllan Aga i Shaban Shpatës), "Natë muaji maj" (I vdekuri dhe i gjalli), "Rinë Katerinëza", "Natë qershori", "Natë gushti" (Përtej valëve të kohës), "Natë muaji Shëmbitër" (Rrëfimi i parë i Argjir Vlonjatit), "Natë vjeshte të tretë", "Letrat e ndajnatës" (Lugetërit e fshatit tonë), "Kryengritje për lugat" e "Një natë tetori" dhe vargjet "Natë vere", "Hëna e humbur", "Si nesër", "Shtambari", "Kroi i kodrës", "Një ndajnatë në Poradecin e vjetër" dhe "Rrjedhin lumenjtë".

Mbi novelat e Kutelit

Nuk është e rastit që heronjtë e Kutelit, vdekjen e natyrshme e kërkojnë vetë ose e presin pa frikë, sepse ndiejnë se jetën e kanë ndërtuar vetë, e kanë jetuar, e kanë shijuar, e kanë çmuar dhe kanë vjelur gjithçka që ajo e darovit njeriun, prandaj askush s'i bën dot bisht asaj dhe gjithsecilit domosdoshmërisht i bie të largohet për të mos iu rënduar dheut.

Me këtë botëkuptim ndahet nga jeta Papu Tira, i cili "punoi si rob, këndoi si zog dhe e bëri njerëzinë të qeshë dhe duke bërë mirë, shkoi në të shumtët". Edhe Ago Jakupi, kur e ndjeu vdekjen, tha: "Tani do çlodhem, se jam i lodhur e më vishen sytë. Edhe u shtri në rrogoz, mbi pllashtet e vdekjes, që i kish punuar vetë dora e tij. Edhe pastaj, sa ndizet e shuhet vetëtima, Ago Jakupi mbylli sytë".

Ky lloj konceptimi i aktit sublim ekzistencial të jetës e të vdekjes vjen ngaqë Kuteli di të kapë edhe gëzimin e të jetuarit, por edhe momentet tragjike, vdekjen si humbje, ndërprerje të jetës. Këtë konceptim bartin tregimet: "Xha Brahua i Shkumbanores", "Gjonomadhë e Gjatollinj", "Rinë Katerinëza" etj. Jeta e josh njeriun me gjithë të mirat e trupit e të shpirtit.

Toka amë paraqitet nga Kuteli e begatë, bujare, e pasur, dorëlëshuar, që e mbush dheun me të mirat e saj, me bukë të bardhë e mish të majmë, me fryta sherbet e me blerime të njoma, me verë e raki. Në vargun e ditëve të vitit autori ndalet në ditët e dasmave e të gostive, në ditët e festave popullore e të të korrave, ku shpërthejnë ngazëllimet e jetës, që ë bëjnë njeriun të lumtur, duke përjetuar çdo ditë e çdo çast.

Tipik për këtë kuptim është tregimi "Natë qershori". Subjekti është i thjeshtë, bën fjalë për takimin e një grupi mjeshtërish mërgimtarë me një bashkatdhetarin e tyre të larguar prej kohësh nga vendlindja, e të pushtuar nga nostalgjia e mëmëdheut dhe të kohëve të shkuara. Por subjekti i thjeshtë ngrihet në art i pasuruar me dialogë të zhdërvjellët, i ngarkuar me urime, shprehje e fjalë të urta popullore, lavdërime, të shara e mallkime, me dolli e me përshëndetje, me atmosferë të gëzuar e të çiltër, të sinqertë gostie.

Spikat në këto rrëfime edhe shpresa e ëndrra për një jetë më të mirë, më të bukur, më të begatë. Në konceptimin e jetës nga ky këndvështrim, Kuteli vuri në përdorim pikërisht stilin grotesk, siç e vumë re në përshkrimin e gostive, darkave e drekave, që i hasim në të gjitha tregimet e tij, në dasma, e gostitë, e në festat popullore. Në përfytyrimet e utopisë sociale empirike të vegjëlisë, momenti qendror i saj ka qenë gostia e bollshme, e përshkruar në trajta groteske.

Mos vallë ky përfytyrim optimist është fallco, është i stisur e i gënjeshtërt? Në të vërtetë, ai është një anë e pandarë e botëkuptimit të kulturës popullore, që bart me vete edhe një fillesë utopike për të ardhmen. Ajo është utopike, sepse ka mbështetje të kufizuar në kohë. Gëzimi i jetës lidhet vetëm me ca momente të saj, me gostitë e lindjes, martesës, me festat e motmotit, me momentet e korrjeve dhe të argëtimeve popullore.

Dhe dihet se në gostitë, në festat popullore e familjare, vegjëlia përfshihej në një "jetë të dytë", manifestim i gëzueshëm i kundërshtimit të skamjes e mjerimit, i lirisë së mendimit, i ëndrrave e shpresave për mirëqenie. Në të tilla raste, momente e situata fitonte të drejtë qytetarie e vërteta e vegjëlisë, zhytej hipokrizia sociale, rrëzoheshin konvencionet e pabarazia sociale, shpërthente gazi e hareja e gëzueshme e të jetuarit.

Tipike për këtë frymë janë tregimet "Fshati im e pi rakinë" ose "Lumi i madh". Vetiakësia e stilit të Kutelit u ngjiz në magjen e kulturës gaztore popullore, që e begatoi veprën e tij me thesaret e groteskut, me karakterin ambivalent të të gjithë elementeve të tij, që përcillen nga e qeshura dhe e përqeshura dhe që shprehin lëvizjen e pangurtësuar, fleksibël e difuzore jo vetëm të mendimit e të ndjeshmërisë, por edhe të jetës, të qenies në përgjithësi.

Vlera estetike e një vargu tregimesh e sidomos rrëfenjash të Kutelit nuk ka qenë kuptuar, veç të tjerash, edhe ngaqë s'kanë qenë njohur e pranuar vlerat estetike të veçanta të kulturës gaztore popullore. Rrëfenjat, si: "Fshati im e pi rakinë", "Lumi i madh", "Lugetërit e fshatit tim", "Rinë Katerinëza", "Kryengritje për lugat", "Papu Tira", "Babalja", "Rusa Papusa", "Fije nga jeta e Theofil Kostorit" etj., në rastin më të mirë janë quajtur rrëfime "argëtuese", "zbavitëse", por pa ndonjë përmbajtje të rëndësishme social – estetike.

Në të vërtetë, siç e pohuam, ato formojnë një krah me rëndësi e një traditë origjinale në letërsinë tonë kombëtare, krahun e saj grotesk. Nevoja estetike për realizëm grotesk i lindi M. Kutelit qysh se vuri në qendër të krijimtarisë së tij letrare një botë kalimtare, kur po perëndonte ajo mesjetare dhe kur njeriu se po përfshihej në një jetë tjetër, e cila ende s'e kishte treguar qartë fytyrën e saj dhe prandaj dukej enigmatike.

Në këtë atmosferë sociale, Kuteli vendosi ta përcillte ndarjen nga Mesjeta duke qeshur e duke e përqeshur, me stilin grotesk, siç e patën bërë edhe shkrimtarët e adhuruar prej tij: Rableja dhe Gogoli. Ky stil dallohej për frymën e tij kritike, por edhe gaztore, për përqeshje të ithta, por edhe për humor të gëzueshëm. Duke përdorur një arsenal të pasur mjetesh të kulturës gaztore, të nginjura me ëndrrat e aspiratat social – utopike të popullit, shkrimtari i shndërroi në elemente të ceremonisë së varrimit artistik të asaj bote që i kish ikur koha. Kuteli zgjodhi rrugën e realizmit grotesk për të shprehur atë të vërtetë të jetës, që përkundej në djepin e kulturës popullore gaztore, si botëkuptim e përjetim i vegjëlisë, si të vërtetë artistike jozyrtare, që përleshej me "të vërtetën zyrtare".

E vërteta artistike në letërsi arrihet dhe shprehet me mjete e mënyra të shumta e të ndryshme, sipas veçorive të kohës dhe përmes tyre formohet e ekziston historia e saj. Kuteli na dha një variant të veçantë të kësaj të vërtete me ca histori që të bëjnë të qeshësh e të përqeshësh, me ironi e satirë groteske afirmohet një e vërtetë më e mençur dhe më e thellë, sesa ajo që bartin modelet aristokratike të letërsisë klasike apo neoklasike.

Do të mjaftoj të kujtoj tonalitetin grotesk humoristiko – satirik të karakterizimit të shpurës së familjeve të tregtarëve të Korçës, që turren drejt fshatit "të humbur". Përse i duhet grotesku artit? Ai i duhet për të arritur tek ajo e vërtetë, që nuk mund të kapet e të shprehet me mjetet e format racionale dhe sipas idealit të klasicizmit. Grotesku është një rrugë më "e djallëzuar", "dredharake" për të arritur, kapur e shprehur një thelb të thellë të qenies, të jetës, tek i cili nuk arrijnë të depërtojnë mjetet tradicionale të estetikës së klasicizmit.

Grotesku është rruga e aktivizimit të figuracionit befasues, që kombinon në mënyrë konvencionale realen me irracionalen, të zakonshme me të jashtëzakonshmen, normalen me anormalen, të dukshmen me të padukshmen, që kombinon të kundërtat (të bukurën me të shëmtuarën, tragjiken me komiken, të madhërishmen me të ulëtën, seriozen me qesharaken) për të arritur në thellësitë e lëvizjes së jetës e të ligjësorive të qenies.

Grotesku dallohet nga një liri e madhe e imagjinatës, e invencionit artistik, të cilat ndihmojnë për të kapur e shprehur karakterin kontradiktor e paradoksal të jetës e të qenies, karakterin e papërfunduar e të ndryshueshëm të saj. M. Kuteli ka krijuar vepra, të cilat janë groteske në tërësinë e tyre, si: "Gjonomadhë e Gjatollinj", "Lumi i madh", "Fshati im e pi rakinë", "Lugetërit e fshatit tonë" etj. Grotesku janë subjektet e fabulat e tyre, personazhet e ngjarjet. Mirëpo grotesku luan rol të rëndësishëm si element i stilit të mëvetësishëm kutelian, jo vetëm në këto rrëfime, por edhe si tip universal mendimi artistik, që aktivizohet gjerësisht edhe në tregime e novela që s'kanë subjekt, personazhe ose ngjarje të drejtpërdrejta groteske.

Pesha specifike e subjekteve, fabulave, personazheve në tregimet e Kutelit nuk është shumë e rëndësishme, por ato begatohen me përmbajtje poetiko-figurative groteske. Me figuracion poetik grotesk paraqet Kuteli çdo gjë: dukuritë e natyrës dhe portretin fizik të çdo qenieje, edhe të personazheve, të veprimeve, të situatave, ndodhive e sjelljeve, mendimeve e ndjenjave.

Në stilin grotesk, në hiperbolizimet groteske të Kutelit duket jo vetëm pasuria e figuracionit grotesk popullor, por edhe forca krijuese imagjinative poetike e artistit mjeshtër, edhe karakterizimit komik satiriko – humoristik. Nënqeshja e përqeshja përcjellin shpesh herë figurat groteske që shprehin një thelb të fshehtë, të padukshëm komik.

Në frymën e groteskut popullor Kuteli e përdor groteskun për të paraqitur sidomos pamjen e jashtme fizike të gjërave në trajta të deformuara, të ndryshuara, të shëmtuara, në një plan përqeshës, karikaturizues, satirik. Kjo mënyrë është mbizotëruese në novelën "Vjeshta e Xheladin beut". Estetika e groteskut popullor lidhet fort me estetikën e së shëmtuarës. Në qendër të objektit vihet e shëmtuara, së cilës i jepen trajta të përçudnuara.

Në këtë stil edhe Kuteli me mjeshtëri të lartë e përshkruan Hanëmen, gruan "shterpë" të Xheladin beut, personifikim të qenies pa vazhdimësi biologjike. Shëmtimi i Hanëmes së beut hiperbolizohet aq sa të ngjall neveri. Pra, grotesku, si mjet për të karakterizuar fenomenet negative, kalon nga trajta e tij tmerruese (kur këto dukuri marrin pamje të përbindshme, paraqiten si qenie të përçudnuara, si lugetër, vampirë, kuçedra, katallanë, gjigandë) drejt një humori të lehtë, të paqedertë, të gëzueshëm, që e zbut dhe e shndërron në një katarsis artistik atë frikë e tmerr që përcjellin emocionalisht përjetimin e dukurive të llahtarshme, të tmerrshme.

Personazhet e Kutelit s'kanë mendim e gjykim individual për ngjarjet e hidhura, por reagojnë me formulat e gatshme të kulturës popullore, me sharje fyese, me mallkime ose me lutje. Duke i zgjedhur me shije, e duke ua përshtatur rrethanave e situatave, ato fitojnë një kuptim e vlerë të mirëfilltë botëkuptimore dhe estetike dhe e plotësojnë në një drejtim të rëndësishëm stilin e mëvetësishëm kutelian.

Ato nuk duhen vlerësuar si një element ornamental folklorik në krijimet letrare të Kutelit, sepse janë më shumë, janë një mjet që sjell gjykimin, mendimin e lirë popullor, sjell zërin e protestës sociale të vegjëlisë. Jeta ishte e ngarkuar me vështirësi të shumta, me dhembje e mundime, me skamje e vuajtje, që e ndiqnin njeriun nga lindja e deri në varr.

Njerëzit bënin grurë e hanin misër. Sëmundjet u vinin kosën të vegjëlve e të mëdhenjve; shtëpi e fshatra të tëra mbeteshin të shkreta. Vegjëlia e ndjente veten të pafuqishme ndaj kësaj jete të mjerë, rënkonte dhe mallkonte. Qëndrimi kritik i autorit ndaj këtij realiteti të hidhur shprehet me mënyra të ndryshme, midis të cilave luajnë një rol të rëndësishëm të sharat e mallkimet. Ato luajnë një rol psikologjikisht kompensues dhe nuk e lenë njeriun të bjerë në dëshpërim. Të lindura në kuadër të besëtytnive e riteve fetare, ato fituan një lloj pavarësie në kulturën popullore dhe kanë funksionuar si shprehje të lirisë së mendimit dhe të protestës sociale.

Te "Vjeshta e Xheladin beut", përballë arbitraritetit e fuqisë së pakufizuar të beut, njeriut të thjeshtë, që e pësonte prej tij, s'i mbetej veçse ta shante, ta mallkonte, të nxirrte dufin, duke lëshuar një varg fjalësh të rënda, siç thotë autori, "nga ato që s'i ngre kandari". Ja një shembull i një ligjërimi mallkues nga novela "Vjeshta e Xheladin beut": "Po ta bësh edhe këtë punë, s'të djeg as zjarri i xhehnemit, Xheladin bej. S'të tret dheu! Ta dish, o pushtanik, po të bësh atë punë do të të hanë mërshën krimbat, do të t'i qitin sytë galat! Y-y-y, murtajë. Pusht Stambolli! Matuf! Më ke marrë nderin, të marrtë zoti mëndtë! Më ke lënë në turp të rri, më të lëntë perëndia pa sy, të heqshin për peri! Më ke ngrënë jetën, të hëngërt mortja! Ja theve, thefsh arrëzën e qafës! U kalbsh së gjalli, përmbys, siç u kalb yt atë, që e hëngër krimbat!...

Me të sharat dhe mallkimet bashkohen edhe llagapet groteske: zorraxhi plak, duvaxhi, derr, domuz, qafir, gomar, rrozgë e nxirë; bushi kokëqoshe, maçok i zi etj. Ana tjetër e jetës është e gëzueshme. Dhe pikërisht këtë mesazh sillnin ca tregime e rrëfime që, në frymën e kulturës popullore, bartnin kujtime e përfytyrime utopike të një "shekulli të artë", një shekulli bollëku e mirëqenieje materiale, që e ëndërronin brez pas brezi njerëzit e varfër. Jeta e këtij "shekulli të artë" përshkruhet në stil grotesk, gjithë optimizëm utopik, me një bollëk të pafundmë, me gjithë të mirat e trupit e të shpirtit.

Urimet, përshëndetjet, lutjet, dollitë janë shprehje e idealit utopik të vegjëlisë, e një morali që ka në qendër të tij mirësinë e dëlirësinë e shpirtit. Ato sjellin një mesazh të gëzueshëm për jetën. Si në çdo rast, në frymën botëkuptimore të kulturës popullore, Kuteli e rrok jetën si univers të kundërtash. "Zia zi, po edhe jeta jetë"- thotë shkrimtari në një rast. Prandaj në tregimet e rrëfenjat e tij ka plot motive gostish, festash e dëfrimesh, që kanë funksione jetësore kompensuese, që shprehin atë bazë natyrore, instinktive, e cila e ruan jetën, e përtërit, e bën të amshuar, të pavdekshme.

Të tillë kuptim kanë tregimet "Rusa Papusa", "Fshati im e pi rakinë" etj. Në to autori rrëfen shumë për gëzime e kënaqësira, që e përcjellin jetën e njeriut nga lindja e deri në varr. Ato e zbutin dëshpërimin e hidhërimin nga vrazhdësia e jetës, ato e bëjnë atë tërheqëse e të çmuar; jeta e josh njeriun me gjithë të mirat e trupit e të shpirtit. Toka amë paraqitet nga Kuteli e begatë e bujare, e pasur e dorëlëshuar, që e mbush dheun me të mirat e saj, me bukë të bardhë e mish të majmë, me fruta sherbet e me blerime të njoma, me verë e raki.

Në vargun e ditëve të vitit autori ndalet në ditët e dasmave e të gostive, në ditët e festave popullore e të të korrave, ku shpërthejnë ngazëllimet e jetës, që e bëjnë njeriun të lumtur, duke përjetuar çdo ditë e çdo çast. Tipik për këtë kuptim është tregimi "Natë qershori". Subjekti është i thjeshtë, bën fjalë për takimin e një grupi mjeshtërish mërgimtarë me një bashkatdhetarin e tyre të larguar prej kohësh nga vendlindja e të pushtuar nga nostalgjia e mëmëdheut e të kohëve të shkuara.

Por subjekti i thjeshtë ngrihet në art i pasuruar me dialogë të zhdërvjellët, i ngarkuar me urime, shprehje e fjalë të urta popullore, lavdërime, të shara e mallkime, me dolli e me përshëndetje, me atmosferë të gëzuar e të çiltër, të sinqertë gostie. Spikat në këto rrëfime edhe shpresa e ëndrra për një jetë më të mirë, më të bukur, më të begatë, që është utopike për të ardhmen. Ajo është utopike, sepse ka mbështetje të kufizuar në kohë. Gëzimi i jetës lidhet vetëm me ca momente të saj, me gostitë e lindjes, martesës, me festat e motmotit, me momentet e korrjeve dhe të argëtimeve popullore.

Dhe dihet se në gostitë, në festat popullore e familjare vegjëlia përfshihej në një "jetë të dytë", manifestim i gëzueshëm i kundërshtimit të skamjes e mjerimit, i lirisë së mendimit, i ëndrrave e shpresave për mirëqenie. Në të tilla raste, momente e situata fitonte të drejtë qytetarie e vërteta e vegjëlisë, zbythej hipokrizia sociale, rrëzoheshin konvencionet e pabarazia sociale, shpërthente gazi e hareja e gëzueshme e të jetuarit. Tipike për këtë frymë janë tregimet "Fshati im e pi rakinë" ose "Lumi i madh".

Pa të sharat, mallkimet, lavdërimet, urimet, përshëndetjet popullore është e pamundur të përfytyrohet dialogu kutelian, që zë një vend të rëndësishëm midis përbërësve të strukturës së tregimeve, rrëfimeve e novelave të Kutelit. T'u heqësh atyre këtë lëndë dialogjike do të thotë t'i bësh memece. Ky element është po aq i rëndësishëm, sa ç'është edhe fillesa narrative, rrëfyese, përshkruese në krijimet letrare të Kutelit.

Të rrëfyerit si i tillë, i përvetësuar nga proza folklorike popullore, është një vlerë kaq e rëndësishme në tregimet e Kutelit (krahas dialogut) sa ç'është melodia, ritmi e harmonia tingëlluese e vargut poetik të Lasgush Poradecit. Pa përdorimin e potencialit estetik të shqipes s'do të kish pasur "estetikë kuteliane". Dh. Pasko ishte një nga ata krijues, që e dinte fort mirë se letërsia, që të jetë vërtet artistike, para se të bëhet ide estetike ose formë estetike, është gjuhë.

Aspekti gjuhësor përbën premisën më të domosdoshme fillestare të letërsisë artistike, e cila në krahasim me llojet e tjera të krijimtarisë artistike, është para së gjithash, art gjuhe. Ky kriter përbën një nga premisat kryesore, që i skarton grafomanët, (që s'bëjnë dot pa redaktorë e korrektorë letrarë) nga shkrimtarët e vërtetë, mjeshtër të fjalës. Aktivizimi i gjuhës në letërsinë artistike kryhet me funksion estetik, domethënë shërben si lëndë, si mjet material për të ndërtuar një "botë të re estetike", që mishëron në vetvete përvetësimin estetik të realitetit, të jetës.

Në zotërimin e potencialit estetik të gjuhës, në spontanitetin e begatinë gjuhësore të shkrimtarit, poetit, qëndron burimi e themeli i parë i talentit dhe gjenisë letrare artistike. Në këtë drejtim Dh. Pasko qe një magjistar i vërtetë i fjalës shqipe. Begatia e "estetikës gjuhësore kuteliane", që shpesh quhet në mënyrë jo fort të goditur "letraritet", përmbledh modele të mrekullueshme stilistike dhe përbën një shkollë të vërtetë të gjuhës letrare shqipe.

Po atë punë që bëri Lasgushi, duke shfrytëzuar potencialin, poetikën e brendshme të shqipes, e bëri Kuteli në fushën e prozës letrare shqipe. Është thënë se Dh. Pasko ka përdorur fjalë dialektore, leksik të të folmeve krahinore. Është e vërtetë, por këto nuk e zbehin dhe nuk e ulin aspak vlerën stilistike gjuhësore të krijimtarisë letrare të Kutelit. E theksojmë këtë, sepse në dekadat e fundit, në suazë të përpjekjeve për normativizimin e njësisë së gjuhës kombëtare, janë mbajtur herë pas here edhe qëndrime denigruese e mospërfillëse ndaj vlerës letrare të shkruar në dialekte a të folme krahinore. Prandaj kemi theksuar prej kohësh se interesimi për të kapur thelbin e stilit të mëvetësishëm të krijimtarisë letrare të M. Kutelit duhet të përcillet me saktësimin e koncepteve të gjuhës standarde kombëtare, gjuhës letrare, gjuhës popullore, gjuhës së folklorit, të dialekteve, nëndialekteve dhe të të folmeve krahinore, të raporteve midis tyre.

Ky problem nuk mund të mos përfillet po të marrim në konsideratë krijimtarinë e larmishme të shumë poetëve e shkrimtarëve tanë të shquar. Ne mendojmë se normativizimi nënkupton gjuhën standarde, që dallohet nga gjuha e mirëfilltë letrare (gjuha e krijimtarisë letrare artistike), e cila, sigurisht, ndikohet nga njësia e gjuhës standarde, por ekziston jo vetëm përmes saj, por edhe përmes vlerave gjuhësore ekspresive të dialekteve, nëndialekteve, të folmeve krahinore, madje edhe të gjuhës së përveçme të çdo individualiteti krijues letrar. Këtë të vërtetë duhet ta pranojmë plotësisht edhe për Mitrush Kutelin. Sikur, botimi i veprës letrare të M. Kutelit të shqyrtohej sipas do rregullash standarde dogmatike, gjuha e tij do të sterilizohej, do të humbiste gjithë shkëlqimin, magjinë, origjinalitetin e saj, që është një nga vlerat kryesore estetike të krijimtarisë së tij letrare.

Gjuha e veprës së tij letrare është shqipja letrare, e pasuruar me vlera të gjuhës standarde kombëtare, të dialekteve dhe të folmeve, e mbështetur sidomos në gjuhën popullore. Në variant i begatë i gjuhës popullore, që mund të shërbejë për të ushqyer praktikat e letërsisë së kultivuar, është gjuha e folklorit, domethënë e krijimtarisë artistike kolektive, e poezisë dhe e prozës popullore. Në gjuhën e folklorit gjenden ato vlera të poetikës gjuhësore popullore, të cilat mund të integrohen e të pasurojnë edhe letërsinë e kultivuar artistike. Dhe prandaj është pak të pohosh se Kuteli u mbështet në gjuhën e popullit, sepse ai mundi të përthithë dhe të aktivizojë në mënyrë krijuese sidomos potencialin e poetikës të gjuhës popullore, të folklorit.

Kjo gjë bëri të mundur që gjuha e tij, edhe pse e ngarkuar me dialektizma, tingëllon, si gjuhë e një stili të madhërishëm e të natyrshëm letrar artistik, të ngjizurt me gjithë vlerat e shqipes. Është për t'u përmendur se redaksia e botimit të "Veprës letrare" të Kutelit (1990) ka vepruar drejt, duke ruajtur të paprekur stilin gjuhësor origjinal e të spikatur të tij.

Fragment nga novela "Vjeshta e Xheladin Beut"

As vetë Xheladin Beu nuk dinte përse ndjente një zbrazëtirë aq të madhe në zemër atij mëngjezi vjeshte të dytë. Një zbrazëtirë sa një zgërbonjë gështenje që e ka brejtur krymbi përbrenda, një shembëtirë, një trubullirë e një neveritje pa fund e pa anë... Edhe çudi: mëngjezi s'ishte i keq. E rrallë dhe e verdhë, vërtet, fleta e plepit përtej dritareve me hekura e kafazë, po qielli i kulluar, i ëmbël. Shpeshëria që, siç na duket neve, njerëzisë, s'ditka kurrë se ç'qenka dhembja e pikëllesa, cicërinte e ngazëllohej me bujë të madhe aty pranë konakëve të beut e tej e tutje – arave, pemëve, qiellit – kurse ay, Xheladin Beu i Shemshedin Beut të xheladin Pashait, apo "Beu i madh", siç i thosh tërë bota, zot i patundur mbi çifligje e mbi njerëz, ndjente një zbrazëtirë të madhe në zemër.

Gojën e kish të hidhur sikur paskej ngrënë shafran, qiellëzën të thatë, gjuhën të trashë si shuall bualli. Dhe herë-herë, një të therur në tepelekun e kokës. As nga shëndeti, as nga malli e gjeja s'ish qarë shumë gjer ahere Beu i madh. Shëndetin e kish patur grurë: burrë i ngjeshur, dërdëng, ta çaje bëje katër: kamjen të rëndë, shumë brezash, sa as vetë s'ja merrte dot radhën me të numëruar e me kalem; bujqit, rajej e harbutë, të gjithë me dorën në zemër, si nuse kaurri: s'guxonin as t'i thoshin me emër, as ta shikonin në dritën e syrit.

Edhe sikur t'u bënte urdhër që të shtirheshin përdhe që t'i shkelte me këmbë, siç shkelet balta për të bërë plitharë, shumë prej tyresh do të shtriheshin t'i shkelte. Se jo më kot Xheladin Beu kish në dorë bukën e kopaçen, tamam ç'i duhet fusharakut që të bëhet i butë si dele, jo aq fort për jetën e tij sa për atë të fëmijve të njomë e shumë brenga të tjera të kësaj dore. Tua të qaheshin? Po kujt t'i qaheshin? Kush i dëgjonte? Të ngriheshin e të iknin? Mirë, të iknin, po ku? Kudo që të shkonin i priste qaforja, sepse gjithë bejlerët e pashallarët kishin kërbaç e qahjanj. Tërë dheu që jepte bukë ishte e tyrja. Mirë thoshin ata që thoshin: gjithë derrat një turi kanë...

Ca që ishin ngritur e kishin ikur natën, në erësirë, me fëmijët në kosha e pleqtë në tezga, kishin humbur si uji nëpër ujë, nuk u qe ndjerë nami e nishani. Prandaj ata që kishin mbetur, rrinin aty ku ishin, bënin grurë e hanin misër. Kur s'kish misër të mirë, hanin misër gjarpri, këlkëzë, të shkuar nëpër tri ujra, zienin përbrenda siç ziejnë e roniten në lyrën e vet ato kokat e këmbët e bagëtisë të futura në një poçe të madhe balte, me këltyrën të zënë me brumë, brenda në furrë.

Nuk u ndjehej as regëtima, as cicërima. Herë-herë binte ndonjë sëmundje e u vinte kosën të vegjëlve e të mëdhenjve; shtëpi e fshatra të tëra mbeteshin të shkrta. Po, çudi, çudi, pas sëmundjes shtroheshin përsëri si fara e sinapit. Ta pret mendja se ndër rajenj e ndër harbutë kish edhe kokëndezur, që nuk duronin më tej e mateshin t'ja shkrepnin, po Xheladin Beu, që ishte brezi i tretë zot në atë mëngë të mbretërisë së madhe të Baba sulltanit, e kish vënë punën në vijë të mos bënte rrëk njeri, kështu që kokëndezurit mbeteshin pa kokë përpara se të ndiznin koka të tjera. Këtë punë e bënin qajhallarët, "trimat" siç u thosh beu, apo "lanxhot", "larot", "zybat", siç u thoshin me gjysmë goje ata të tjerët, vegjëlia. Ja kështu! Puna e bejllëkut dhe e çiflikllëkut do marifete. Dhe marifetet mblidhen e shtohen brez pas brezi, nga babai, nga gjyshi e më tej.

Këto marifete Xheladin Beu i kish në xhep dhe i nxirrte një nga një a të gjitha bashkë, si t'ja donte puna. Veç kësaj, duhet ta dini se ai kishte zënë të gjitha shtigjet, shpatullat i kishte të ngrohta dhe i kthente gjithnjë andej nga ngrohte dielli, duvaxhi me mish e me shpirt i "llambës së dynjasë", Baba sulltanit, të cilit i dërgonte kur e kur peshqeshe: mahmudije të verdha e çupa të bardha, nga çifligjet e tija. Nuk e harronte Kapu Aganë, as sadrazemin, as sulltan-validenë, as adëmin e madh, të parin e haremllëkut të sulltanit, që të mbyllnin sytë kur Xheladin Beu zgjeronte çifligjet lart e poshtë, në stërkat e bujqësisë, në zabelët dhe tokat e buta pa zot.

Nuk përzihej fort në gërnjat e të mëdhenjve të mbretërisë, po kur i vinte ndonjë bumbashir e i thosh se Baba sulltani kish luftë s'di se ku, në Qyrdistan, në Rabistan apo në Tinglimajmunistan, beu i dërgonte karvanë me imdate e njerëz me dyfegje, që do të linin kokat andej. Po mbi të gjithë, beu mbështetej tek i vjehri, që ish bir veziri, mbështetej tek të kunetërit, që ishin të gjithë në bukë të madhe.

Me gjithë këto të mira që zumë në gojë e ato që nuk i zumë fare – kazanët e qypat dinga me mahmudije të verdha nga ato të merhum sulltan Mahmutit, me dupje lira, ingjiliska e verdhashka të ndryshme të kauristanit (s'prish punë se i kish prerë kauristani, alltën ishin edhe këto, nuk i hante ndryshku) dhe që i shtoheshin mot për mot, kukumale – me gjithë ata trimat mustaqepresh e mustaqerruar, që kish nënë urdhër e që s'linin të fluturonte as zogu pa lënë poshtë ndonjë pendë, se nuk i ushqente më kot me mish të majmë e somune të bardha, Xheladin Beu ndjente një zbrazëtirë të madhe në zemër (po, brenda në zemër) atij mëngjezi të ëmbël vjeshte.

Dhe kjo oda e madhe e konakut të madh me mure kalaje, me ca dritare me nga dy palë hekura të përdredhura si brirë dashi e me kafazë, nëpër të cialt drita e diellit hynte e çjerrë si nëpër ca kula drizash, i qerthullohej beut ashtu siç qerthullohen kuajt në lëmë. Jo, nuk qerthullohej oda, po qerthulloheshin trutë e Xheladin beut.

Dhe nuk dinte ç'ishte kjo punë. I sëmurë nuk ishte, sepse ishte ngjallur, dhe të ngjallurit, thonë, nuk sëmuren kurrë. Kish patur, vërtet, në të ri, një si frëngjyzë a si i thonë asaj sëmundjes së frëngut, që ja kish dhënë peshqesh një cingi e trashë, brenda në Manastir, ku kish vajtur me ftesën e valiut dhe kish "këmbyer gjellën", po kjo s'ish gjë: punë e vjetër, e harruar. Fshikën ja kish mbyllur një xherah plak me melhem zhive e hudhër të shtypur në havan e s'di çfarë tjetër.

Ca më vonë i qe mbushur trupi me pushkuriza prush të kuqe, po edhe këto i kish mbyllur me melhem dhe trupi i qe zbardhur përsëri. Pastaj i kish rënë leshi i kokës, po rroftë festja me xhufkë, që ja mbulonte tullupanen. S'di se kush i kish thënë se po të kesh ndonjë sëmundje të kësaj dore, duhet ta hedhësh, t'ja japësh dikujt, ta përndash mbarë e prapë: peshqesh e dhe! Kjo isht epunë që dihej.

Filan be, hanedan i madh, e kish hedhur oftikën duke pështyrë fshehur në gjellët e mira që u shtronte mysafirëve dhe, thoshin, ish bërë mirë, kish rrojtur edhe mjaft vjet. Ç'është e drejta, me kohë e mot, shumë nga mysafirët e të afërmit ishin sëmurur, po kësaj s'ke ç'i bën: sikush si ta ketë shkruar nga dora e zotit. Fundi i fundit, përse ata të mbeteshin faqekuq si molla, kurse ai, beu handean, të zverdhej e të thahej dita ditës? Ata të rronin, ai të vdiste - ë? Kështu bëri edhe Xheladin beu; i suall një çupë të mitur (sa më e mitur, thoshin, aq më e mirë është për benë, se të miturat e kanë gjakun të hollë, të valë, dhe gjaku i hollë dhe i valë e hollon, e ngroh dhe e spastron gjakun e trashë, të ftohtë...) dhe beu e pishi. E prishi e dha urdhër ta shpinin tutje që të mos shihej e të mos dëgjohej. Pastaj e përndau frëngjyzën anembanë, në gra e në dylberë, dhe u shërua fare...

Mbi autorin

Lindi më 13 shtator 1907 në Pogradec. Mësimet e para i mori në vendlindje, studimet e mesme në Selanik, në Shkollën Tregtare Rumune (1921-1928). Më 1931 u diplomua në Bukuresht, në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike. Më 1934 mori doktoratën në shkencat bankare dhe monetare. Për shkak të rezultateve të shkëlqyera në mësime, seriozitetit dhe kapacitetit të veçantë intelektual, u emërua drejtor i Bankës Nacionale të Rumanisë.

Kundërshtimi që i bëri politikës financiare të pushtuesve gjermanë, i solli si ndëshkim mobilizimin në ushtri dhe drejtimi drejt Frontit të Lindjes. Nga rruga e vdekjes së sigurtë e ktheu një telegram ku njoftohej se Nëna e tij ishte shumë sëmurë. Mundi të arrijë në Shqipëri në Shtator 1942, dy javë pasi Nëna kishte ndërruar jetë.

Në janar u emërua Drejtor i Drejtorisë Qëndrore të Bankës së Shtetit Shqiptar. Dha dorëheqjen në gusht 1946, pasi nuk pranoi të firmosi kursin që pati caktuar shteti komunist mes lekut shqiptar dhe dinarit jugosllav, dhe që dëmtonte rëndë ekonominë e vendit tonë.

Në maj 1947 e arrestuan dhe pasi i thanë "armik i popullit", e dënuan me pesë vjet heqje lirie. Kuteli u dërgua në kampin e Vioçishtit, bashkë me të burgosurit e tjerë që punonin për të tharë kënetën e Maliqit. E liruan "me falje", në prill 1949. Nga viti 1949, Kuteli nuk u mor më me ekonomi dhe punoi si përkthyes pranë Shtëpisë Botuese Naim Frashëri.

Letërsisë i kushtoi kohën e pakët që i mbeti nga puna e normuar e përkthimit.Zemra e tij pushoi së rrahuri nga një infarkt, më 4 maj 1967. Veç shkrimeve të shumta në shtypin e kohës, si në fushën ekonomike dhe në atë letrare, Kuteli botoi që në të gjallë edhe 30 libra, (17 në fushën ekonomike, shumica rumanisht) ku shpaloset talenti dhe gjenia e tij krijuese si ekonomist e prozator, poet e folklorist, publicist, prralltar e kritik letrar. Një vend më vete në krijimtarinë e tij zënë përkthimet, nga Rusishtja, Rumanishtja, Frëngjishtja e Italishtja.

 

  • Autori Mitrush Kuteli