Kategoritë

Botuesit

Autorët

Gra qe dashurojne teper, Robin Norwood Shihe të plotë

Gra qe dashurojne teper, Robin Norwood

Përse dashuria shndërrohet në “dashuri të tepërt” dhe kur ndodh kjo? Pse gratë nganjëherë, ndonëse e njohin partnerin e tyre si njeri të papërshtatshëm, ose të papranueshëm, nuk arrijnë dot të shkëputen prej tij? 

Info shtesë

SKU001182

Disponueshëria: Në gjendje

$9.02

Me ulje çmimi!

-20%

$11.27

Titulli: Gra që dashurojnë tepër
Origjinali: Women who love too much
Gjinia: Udhërrëfyes praktik
Autori: Robin Norwood
Shqipëroi: Guri Shyti
Shtëpia botuese: Minerva
Viti: 2013
Fq. 336
Pesha: 0.408 kg.
ISBN: 978-9928-164-68-1

Mbi librin

Pse dashuria shndërrohet në "dashuri të tepërt" dhe kur ndodh kjo? Pse gratë nganjëherë, ndonëse e njohin partnerin e tyre si njeri të papërshtatshëm ose të papranueshëm nuk arrijnë dot të shkëputen prej tij? Ndërkohë që shpresojnë dhe dëshirojnë që "ai" të ndryshojë, në të vërtetë, përfshihen gjithnjë e më shumë në një mekanizëm të mësuari me gjendjen.

Gra që dashurojnë tepër, një bestseller që ka arritur rekordin prej 5 milionë kopjesh të shitura, jep një varg rastesh, në të cilët janë shpalosur në mënyrë brilante shkaqet se pse shumë gra dashurohen me burra që nuk përshtaten dhe i harxhojnë kot energjitë e tyre për t'i ndryshuar ata. Robin Norwood, me simpati dhe me kompetencë profesionale absolute, tregon një itinerar të mundshëm drejt ndërgjegjësimit të vetvetes dhe drejt barazpeshimit të ndjenjave.

Koment nga Los Angeles Times

Robin Norwood ka shkruar me mjaft mendjemprehtësi një libër të jashtëzakonshëm, origjinal, i cili të mbërthen me emocionet e tij rrëqethëse. Ky libër i bukur dhe i shkruar me kaq zgjuarësi mund të ndihmojë gratë të heqin dorë nga modeli i dashurisë së çmendur.

Koment nga Dacia Maraini

Me çiltërsinë praktike të një amvise të mirë, që të mëson recetat e një gjelle të shijshme, gjellë e cila do të na bënte jetën sa më të shëndetshme, Robin Norwood u jep grave disa receta për të mjekuar sëmundjen e dashurisë.

Sigurisht, nuk është fjala për një sëmundje të çfarëdoshme dashurie, por për atë që nëpër libra thirret "pasion", "rrënim", "kllapi", por që ajo e ka quajtur vetëm "dashuri e tepruar". Por, kur ndodh që dashurohet tepër? Kur ndodh që dashuria shndërrohet në diçka shëndetlig, që bëhet e rrezikshme për mirëqenien tonë fizike dhe mendore?

"Kur vuajmë ngaqë jemi të dashuruara do të thotë se dashurojmë tepër", përgjigjet Norwood, kur përligjim të gjitha qejfprishjet, karakterin e keq, shpërfilljet dhe tradhëtitë e partnerit, në fakt dashurojmë tepër. Kur sjellja e tij na fyen, por mendojmë se është faji ynë, sepse nuk jemi aq tërheqëse apo aq të përzemërta, në fakt dashurojmë tepër.

Në këtë mënyrë praktike dhe të thjeshtë, Norwood arrin të na thotë disa gjëra tejet të thella dhe të përnjimendta. Kështu për shembull, kur dashurojmë tepër, në të vërtetë nuk dashurojmë fare, sepse na ka kapluar frika se mos mbetemi të vetmuara, frika se mos nuk jemi të denja për t'u dashuruar, frika se mos shpërfillemi ose braktisemi...

Dhe të dashurosh me frikë do të thotë, para së gjithash, t'i ngjitesh pas, në mënyrë të sëmurë, dikujt që na duket i domosdoshëm për qenien tonë. Të dashurosh me frikë, çon, përveç të tjerave, në vënien në veprim të një sërë mekanizmash kontrolli, me qëllim të "ta mbajmë tjetrin në hapësirën e kontrollueshme prej nesh".

Po ku e ka burimin kjo frikë? Norwood na këshillon të kthejmë kokën e të vështrojmë pas, drejt fëmijërisë, kur kanë filluar të njihen problemet e para familjare: dashuria për babanë, lidhja me nënën, përvojat e dhunës, tmerri i të qenit e braktisur. Pothuajse gjithnjë, në themel të dashurisë së tepruar femërore (në të vërtetë ky libër u drejtohet para së gjithash grave) ndodhet një tronditje e fëmijërisë.

Kur një fëmijë është braktisur apo shpërfillur nga i ati, kur rritet, shtyhet të gjejë një mashkull që do ta shpërfillte ose do ta braktiste. Sepse, po qe se një fëmijë ka pësuar një dhunë, do të bëjë çmos që ajo të shfaqet dhe të rishfaqet në lojërat e saj, "derisa të ketë krijuar, deri në njëfarë mase, përshtypjen se më në fund, ka shpëtuar prej saj".

Çfarë sinjalesh ndizen midis një gruaje, e cila synon drejt dikujt që ia ndien nevojën, dhe jo vetëm kaq, por që të marrë përsipër edhe përgjegjësitë për të, dhe një burri që është duke kërkuar dikë? Ajo që tek një grua krijon frikën se mos nuk do të dashurohet nga ndokush, është mungesa e dashurisë ndaj vetes, mungesa e besimit ndaj vlerave të veta, ndaj aftësive të veta, frikë kjo që, për t'u ndjerë të sigurtë, e bën të pranojë gjithçka tek burri që ka zgjedhur.

Duke vepruar në këtë mënyrë bëhet e varur nga vlerësimi i tij, nga afërsia e tij, nga humori i tij. Vetëm një dashuri e verbër dhe e mundimshme për të mund ta bëjë të ndjehet e sigurtë dhe të denjë për dashuri dhe stimë. Çfarëdolloj shenje mospërfilljeje apo tradhtie do të shihej si një shtysë kundër qenies së asaj vetë.

Mbi autoren

Robin Norwood është një psikoterapeute amerikane e specializuar në terapinë e familjes. Në mënyrë më të përgjithshme, ajo merret me problemet e "vartësisë së tepruar" dhe ka punuar në fushën e përdoruesve të drogës dhe të alkoolizmit. Ka botuar: "Të shërohesh me pse" (1994), "Letra të grave që dashurojnë tepër" (1997) dhe "Një mendim në ditë" (1998).