• Banner

Juvenilia dhe vjersha te tjera, Ndre Mjeda
  • Juvenilia dhe vjersha te tjera, Ndre Mjeda

Juvenilia dhe vjersha te tjera, Ndre Mjeda

Në këtë poemë shoqërore – psikologjike me elemente të poemës filozofike, që u shfaq si dukuri e veçantë në letërsinë shqiptare të kohës, janë sintetizuar tiparet më karakteristike të artit të Mjedës, si: fryma demokratike, lakonizmi dhe plasticiteti.

380 Lekë
Sasia
Ne gjendje

Përshkrimi

Titulli: Juvenilia dhe vjersha të tjera
Origjinali: Juvenilia dhe vjersha të tjera
Gjinia: Poezi
Autori: Ndre Mjeda
Shtëpia botuese: Dituria
Viti: 1999
Fq. 128
Pesha: 0.171 kg
ISBN: 978-99927-31-44-3

Mbi veprën

"Andrra e jetës" Në këtë poemë shoqërore – psikologjike me elemente të poemës filozofike, që u shfaq si dukuri e veçantë në letërsinë shqiptare të kohës, janë sintetizuar tiparet më karakteristike të artit të Mjedës, si: fryma demokratike, lakonizmi dhe plasticiteti. Kjo poemë është vazhdim, shtjellim i përgjithshëm i atyre motiveve nga jeta e fshatarëve të varfër, që e shqetësonin Mjedën dhe njëkohësisht pasqyrë e mendimeve të tij për jetën njerëzore dhe lumturinë.

Në qendër të vëmendjes është një familje e varfër malësore që përbëhet nga nëna dhe nga dy vajzat. Poema ndahet në tri pjesë që i përgjigjet fatit të tre heroinave: Trinës, Zogës e Lokes. "Andrra e jetës" hapet me një metaforë aq të thjeshtë sa edhe të hijshme, të gjallë e kuptimplotë: Molla t'kputuna nji degët,dy qershia lidhë n'nji rrfiku fillojnë kufijt e gegëtrrinë dy çika me nji nanë.

Kjo metaforë jep idenë e lidhjes së ngushtë të personazheve të veprës dhe njëherësh të bën të parandjesh ndarjen e tyre. Me imtësi të zgjedhuara, poeti na e jep të gjallë mjedisin malësor: U ndie një za te shtegu;Cice, del se erdh murgjinae mbrapa po vjen Triname i gjengj të sykës n'grykë! Vajza e vogël vdes para kohe. Poeti përshkon thellë në mendimet dhe ndjenjat e nënës, e cila e jeton me dhembje fatkeqësinë, para se të ngjasë, në një natë të tmerrshme ankthi.

S'ka gjë më tragjike dhe njëkohësisht më të lartë njerëzore, sesa skena midis Lokes dhe Zogës pas vdekjes së Trinës; habia fëminore e vogëlushes që s'kupton dramën në shtëpinë e saj, dhe kujdesi i dhembshur i nënës, e cila, duke qenë vetë nën peshën e rëndë të dhembjes, nuk do që ajo të rëndojë, të bjerë në shpirtin e njomë të vajzës.

Në pjesën e dytë, që i kushtohet Zogës, poeti ka derdhur ngjyrat më të ndritshme, duke dashur të shprehë nëpërmjet këtij personazhi ëndrrat e veta për të ardhmen. Në fillim jepen ndjenjat dhe dëshirat karakteristike për moshën e vajzës me forcë të veçantë psikologjike, pa sentimentalizëm, me shumë vërtetësi dhe kthjelltësi. Ëndërrimet rinore të Zogës realizohen. Ajo dashurohet dhe martohet.

Poeti e përcjell me këshilla plot dhembshuri për jetën e saj të re. Së fundi, me një këngë plot optimizëm, na lajmëron se Zoga u bë nënë. Është për t'u vënë re se bukuritë e natyrës parakalojnë njëra pas tjetrës, për t'ia lënë vendin buzëqeshjes së fëmijës. Epilogun e poemës e përbën fundi i jetës së vështirë, plot saktifica e stoike të Lokes që, e mbetur vetëm, thërret vdekjen ta marrë. "Andrra e jetës", megjithëse trajton një rast të veçantë, pasqyron tragjedinë e fshatarësisë shqiptare dhe dëshirën e saj të zjarrtë për një jetë më të mirë.

Titulli i veprës ka një kuptim të thellë. Me këtë poeti s'ka dashur aspak të thotë se jeta është një iluzion, veçse jeta për të varfërit mbetet një ëndërr e parealizuar. Poema pra, në thelb është realiste me një gjykim romantik. Poeti ka prekur plagë të rënda të shoqërisë së kohës: mjerimin që mbystesa e sa jetë, ende të paçelura (fati i Trinës), zakonin patriarkal që e ndante nënën nga e bija dhe e mbërthente të parën pas vatrës së shuar; mospërfilljen e shoqërisë ndaj individit (fati i Lokes).

Mbarimi tragjik i kësaj të fundit është një protestë e heshtur. Por jo më pak i fortë është fakti që, kur heroi ka humbur çdo shpresë, poeti nuk e bën të kërkojë ngushëllim në iluzionet e jetës përtej varrit. Lokja vdes me ndjenjën e revoltës ndaj fatit të saj të padrejtë. Personazhet në poemë janë të gjalla e tipike dhe kanë një logjikë të brendshme në përputhje me mjedisin ku jetojnë e veprojnë.

Trina sapo është vizatuar, meqenëse edhe në jetë nuk arrin të zhvillohet si karakter. Ajo, sapo shfaqet, zhduket. Megjithatë e kryen rolin e vet. Me fatin e saj është përgjithësuar fati i tërë atyrë fëmijëve fshatarë që vdisnin para kohe nga puna e rëndë dhe nga kushtet e vështira të jetës. Zogën e shohim në zhvillim: në fillim fëmijë naive, që nuk kupton ç'ka ngjarë kur i vdes motra, pastaj vajzë me ëndërrimet karakteristike të moshës së saj.

Siç zbulohet edhe nga ato ëndërrime ajo është vajzë malësore tipike, e thjeshtë, punëtore, por edhe e aftë për ndjenja të thella e të fuqishme, që shokun e jetës e përfytyron "me rrip rreth brezit, me një gjashtore e një kacatore", pra, para së gjithash, trim. Lokja është tipi i gruas malësore, punëtore, vetëmohuese, nënë e dhembshur e stoike, mbi të cilën ka rënduar tërë barra e familjes, se burrat i shuante pushka e armikut, hakmarrja ose kurbeti.

Ajo sakrifikon rininë që të rritë të bijat, dhe është e lumtur, nuk jepet përpara vështirësive të jetës. Mesazhi që përmban kjo figurë, është lufta me jetën. Gjersa pati mundësi të luftonte, ajo jetoi. Vdiq kur nuk mundi më të japë asgjë. Dhe në fund të fundit ajo u largua nga jeta me një fitore përderisa e kreu detyrën e vet, e bëri të bijën të aftë për të jetuar dhe për t'ia përcjellë një qënieje tjetër flakën e jetës.

"Andrra e jetës" pasqyron dashurinë e poetit për fshatarësinë e varfër, admirimin e tij për tiparet e larta morale të njerëzve të thjeshtë, në veçanti të gruas shqiptare, si edhe dhembjen për fatin e hidhur të atyre njerëzve. Mjeda nuk depërton në shkaqet shoqërore të dramës së heronjve të vet, as nuk mendon për rrugën e ndryshimit të gjendjes. Po ai nuk pajtohet me këtë realitet të hidhur. Njëkohësisht poeti nuk bie në pesimizëm, ruan besimin në vlerat pozitive të jetës, në të ardhmen.

Tek "Andrra e jetës" ka tragjizëm, po jo mohim të jetës. Së ardhmes poeti i këndon nëpërmjet Zogës, e cila arrin të realizojë ëndrrën e vet për lumturi, megjithëse brenda kuadrit të ngushtë familjar. Fati i saj merr kështu një kuptim simbolik. Jo më kot linja e Zogës zë vendin kryesor të poemës. Tërë pjesa e dytë është himni më i zjarrtë për bukurinë e saj.

Në mendjen e lexuesit dy tabllotë e dhimbshme të pjesës së parë e të fundit shkrihen në tablonë madhështore të nënës që mban në krahë fëmijën, simbolin e vazhdimësisë së jetës. Merita më e rëndësishme e "Andrrës së jetës", e parë në kuadrin historik, qëndron në dhënien e tablosë realiste të mjerimit në malësinë shqiptare. Pasqyrimi realist i gjendjes së rëndë të malësorëve ishte në mënyrë të tërthortë një akuzë kundër shoqërisë së kohës.

Nga ana artistike "Andrra e jetës" është një nga veprat më të përsosura të poezisë sonë. Ajo shquhet për atë thjeshtësi të mrekullueshme të subjektit dhe të stilit që karakterizon kryeveprat. Thellësia e mendimit shkrihet këtu me njomësinë e ndjenjave, analiza e mprehtë psikologjike me forcën përshkruese. Lakonizmi është i pashembullt: në 296 vargje jepet drama e mjerimit dhe e paragjykimeve, himni i zjarrtë për jetën dhe për dashurinë, skaliten tre personazhe të paharrueshme, pikturohet me ngjyra të forta e të qarta mjedisi malësor. Figuracioni është sa i thjeshtë, aq i pasur dhe kuptimplotë.

Gjuha e poemës (shkodranishtja e plotësuar me fjalë e shprehje të krahinave përreth), është e larme, shprehëse, e saktë, e begatë me fjalë të rralla. Mjeda është një poet atdhetar me prirje të theksuara demokratike që i këndoi lëvizjes kombëtare nga pozitat e fshatarësisë së varfër, së cilës i përkiste me origjinë.

Nga këto pozita ai pasqyroi edhe mjerimin e popullit. Në atë pjesë të veprës së tij që trajton motive shoqërore gjejmë pakënaqësi nga realiteti i kohës, dhembje për fatin e popullit. Bashkë me Çajupin ai dha një ndihmesë të rëndësishme në kalimin e letërsisë sonë nga romantizmi në realizëm. Qe kryesisht poet lirik, i një lirizmi që pasurohet shpesh me momente epike; dallohet si për ndjenjën e masës, ashtu edhe për forcë përshkruese.

Poeti është edhe mjeshtër i përsosur i vargut dhe i strofës. Në poezinë e tij gjejmë një larmi të veçantë vargjesh dhe një begati strofash. Mjeda parapëlqen tetërrokëshin dhe njëmbëdhjetërrokëshin. Tingëllimën e lëvron me mjeshtëri të veçantë. Mjedën e karakterizon thellësia psikologjike në vizatimin e personazheve (Lokja dhe Zoga janë nga personazhet më të realizuara të poezisë sonë). Në artin e tij shkrihen hovet e frymëzimit me punën këmbëngulëse për të lëmuar fjalën e për t'i dhënë shkëlqim. Mbi veprën "Juvenilia" Veprën "Juvenilia" autori e ka botuar në Vjenë në vitin 1917.Me termin (Juvenus – rini) ai ka dashur të tregojë se poezitë i ka shkruar në moshë rinore.

"Vaji i bylbylit", poema dhe krijimi i parë i Mjedës , shkruar në moshë 21 vjeçare. Në rrafshin simbolik, bylbyli i privuar nga liria e fluturimit është Shqipëria e robëruar (e në këtë rast edhe vetë autori sepse shumë intelektualë shqiptarë ishin detyruar të largoheshin nga atdheu për shkaqe politike) kurse "privuesi i lirisë" është Perandoria Osmane. Poema ndahet në katër pjesë dhe si trajtë ligjërimi ka dialogun.

Në këngën e parë shfaq gjendjen e Shqipërisë pas Kongresit të Berlinit me grishjen (ftesën) që i bën bilbilit të dalë nga kafazi se kish ardhur koha. Në këngën e dytë tregohen shkaqet e vazhdimit të qëndrimit të bylbylit (Shqipërisë) në kafaz (në robëri). Shkaqet ishin objektive: pushtuesi dëshiron ta mbajë nën sundim më të gjatë dhe shkaku subjektiv: se Shqipëria ishte e paaftë që ta sjellë vetë lirinë.

Në këngën e tretë simbolika zbërthehet me atë se përmendet atdheu (bylbyli) dhe vetë autori (unë). Me bylbyl përpos që nënkuptojmë Shqipërinë nxjerrim në pah edhe simbolikën se fjala bylbyl nënkupton edhe vetë poetin i cili bënte pjesë në një varg intelektualësh që dhuna e pushtuesit i kish detyruar të largohen nga atdheu (tipar i romantizmit).

Në këngën e katërt kemi ndërhyrje të meditimeve filozofike se "pas dimrit vjen pranvera", lirgjërata kalon nga e përgjithshmja në të veçantën. Mjeda gjatë poezisë ndryshon: nga elegjiak në optimizëm, ndryshon vargun nga pesërrokësh në shtatërrokësh, pastaj nga shtatërrokëshi në tetërrokësh e në fund përfundon me dhjetërrokësh. Poezia "I tretuni" shpreh mallin e autorit për atdhe.

I treturi simbolizon mërgimtarin që e mundon malli për vendlindjen. Kjo poemë përbëhet nga pesë këngë. Në këngën e parë paraqitet i treturi në mërgim, në të dytën vendi ku ka mërguar, në të tretën meditimet e mërgimtarit dhe në këngën e katërt biseda imagjinare me lejlekun dhe në këngën e pestë biseda me nënën në ëndërr ku veçohet qortimi i nënës për "kthim në vendlindje".

Mbi autorin

Motivet atdhetare e demokratike formojnë përmbajtjen edhe të krijimtarisë poetike të Ndre Mjedës, një poet i lindur në Shkodër dhe i shkolluar për teologji në disa vende të Evropës. Kur u kthye në atdhe punoi si famulltar. Iu kushtua që herët lëvizjes atdhetare. Më 1901 së bashku me të vëllanë themeloi shoqërinë "Agimi", e cila krijoi një alfabet të shqipes dhe botoi disa tekste me këtë alfabet.

Për përgatitjen filologjike që kishte më 1902 mori pjesë në një kongres orientalistësh që u mbajt në Hamburg, kurse në Kongresin e Manastirit më 1908 u zgjodh anëtar i Komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes. Më 1916 – 1917 ishte anëtar i Komisisë Letrare në Shkodër. Mori pjesë aktive në lëvizjen demokratike të viteve 1920 – 1924 dhe u zgjodh edhe deputet. Pas rënies së kësaj lëvizjeje u tërhoq nga jeta politike dhe punoi si prift i thjeshtë në Kukës. Vitet e fundit i mbylli si mësues i gjuhës shqipe në Shkodër.

Krijimtaria poetike e Ndre Mjedës nis herët, por pjesën më të madhe të poezisë së tij e botoi pas shpalljes së Pavarësisë. Përmbledhja e parë që botoi në ato vite ishte "Juvenilia" (1917), ku përfshihen vjersha të shkruara në fund të shek. XIX e në fillim të shek. XX. Poema romantike "Vaji i bylbylit", e shkruar më 1887 në frymën e Rilindjes, përshkohet nga ideja patriotike dhe nga malli i të mërguarit për vendlindjen.

Por krahas vjershave me tone elegjiake, Ndre Mjeda shkroi dhe poezi të mbrujtura me frymën luftarake të poezisë së fundit të Rilindjes. Në poemën "Liria" (1910 – 1911) gjeti jehonë kryengritja e malësorëve të Veriut më 1911, lufta e tyre dhe aspirata për drejtësi shoqërore. Motivet shoqërore dhe fryma demokratike erdhën duke u thelluar në krijimtarinë e Ndre Mjedës.

Në poezinë "Mustafa Pasha në Babunë" poeti ka shpotitur qëndrimin e lëkundshëm të asaj pjese të parisë feudale që iu shmang luftës kundër pushtuesit osman. Ndre Mjeda është autor edhe i shumë krijimeve për fëmijë, të mbrujtura me idetë e moralit të Rilindjes, me frymën e dashurisë për njeriun, për lirinë dhe për natyrën.

Detajet e librit
SKU000993
Bashkëngjitje
Shkarkime
KATËR HAPA PER TE POROSITUR

Udhëzues i shkurtër mbi procesin e porositjes së librave nëpërmjet faqes tonë.

Shkarkime (292.13KB)
16 libra të tjera në këtë kategori:

Referenca: SKU001972

Botuesi: Naimi

Enderrime, Naim Frasheri

Kishte gati plot një shekull që përmbledhja poetike "Tehajjulat", një nga perlat e lirikës naimiane, për shkak të barrierës gjuhësore, kishte mbetur e panjohur, thuajse e humbur për lexuesin shqiptar. Studiuesit e Naimit nuk kishin mundur të thoshin asgjë më tepër, veç të pohonin si fakt ekzistencën e saj.

Çmimi 700 Lekë
More
Ne gjendje

Botuesi: Te tjere

Këngë të Milosaos, Jeronim de Rada

Jeronim De Rada lindi më 1814 në fshatin e vogël dhe piktoresk Maki të Kozencës, jo larg nga Shënmitër Korona, qendër e kolegjit arbëresh Shën – Adrianit. Në këtë kolegj De Rada i ri kreu studimet e para, që patën rëndësi të veçantë për formimin e personalitetit të tij.

Çmimi 400 Lekë
More
Ne gjendje

Botuesi: Argeta LMG

Këngët e Milosaos, Jeronim de Rada

Jeronim De Rada lindi më 1814 në fshatin e vogël dhe piktoresk Maki të Kozencës, jo larg nga Shënmitër Korona, qendër e kolegjit arbëresh Shën – Adrianit. Në këtë kolegj De Rada i ri kreu studimet e para, që patën rëndësi të veçantë për formimin e personalitetit të tij. 

Çmimi 500 Lekë
More
Ka mbaruar
Përshtypjet (0)