Kategoritë

Prodhuesit

Furnizuesit

Pax Albanica, Mustafa Nano Shihe të plotë

Pax Albanica, Mustafa Nano

"Pax Albanica" është një hulumtim i kujdesshëm në të shkuarën tonë, përmes rrëfimeve të gjetura në arkivat e kohës, të udhëtarëve, gazetarëve që shkelën herët në Shqipëri apo mendjeve të ndritura shqiptare, duke ndërtuar një portret të munguar deri tani mbi raportin që shqiptarët kanë mbajtur me fenë që nga pushtimi osman.

Info shtesë

Disponueshëria: Ne gjendje

$11.27

Me ulje çmimi!

-20%

$14.09

Klientët që blenë këtë libër, blenë edhe...

Titulli: Pax Albanica
Origjinali: Pax Albanica
Gjinia: Publicistika
Autori: Mustafa Nano
Shtëpia botuese: Saras
Viti: 2014
Fq. 244
Pesha: 0.301 kg.
ISBN: 978-9928-152-18-3 

Mbi librin

Analisti Mustafa Nano sjell për herë të parë një studim mbi historinë e fesë në Shqipëri. "Pax Albanica", botimi më i ri i Shtëpisë Botuese "Saras", është një hulumtim i kujdesshëm në të shkuarën tonë, përmes rrëfimeve të gjetura në arkivat e kohës, të udhëtarëve, gazetarëve që shkelën herët në Shqipëri apo mendjeve të ndritura shqiptare, duke ndërtuar një portret të munguar deri tani mbi raportin që shqiptarët kanë mbajtur me fenë që nga pushtimi osman.

Në gusht të vitit 1936, Faik Konica, shkoi plot ëndje të shihte një film të shkurtër për Shqipërinë, që po shfaqej në një prej kinemave të Uashingtonit. Në shënimet e tij, teksa ndërtonte librin "Shqipëria kopshti shkëmbor i Europës Juglindore", ai nënvizonte me nervozizëm fjalët e spikerit, i cili tha se "e tërë popullsia e Shqipërisë është myslimane".

"Sikur ai orakull ta kish marrë punën pak më shtruar dhe të kishte marrë mundimin të pyeste, për shembull, për besimin e ministrave të qeverisë së Shqipërisë, do të kishte marrë përgjigjen e saktë se nga të gjashtë ministrat që formojnë kabinetin e sotëm, tre janë katolikë, një është ortodoks dhe dy janë myslimanë; edhe po të përfshihet në këtë numër kryeministri, i cili në këtë qeveri është mysliman, na del një shumicë prej katër të krishterësh dhe një pakicë prej tre myslimanësh", shkruante Konica.

Por jeta është e shkurtër, thoshte ai, studimi kërkon lodhje, njeriu përton të mendojë thellë, publiku është i durueshëm dhe ha çdo gjë që t'i vësh përpara; prandaj përse të lodhesh të kërkosh faktet, kurse pa pikë zori mund të këputësh, pa pehriz, lloj-lloj hamendësimesh e trillimesh me okë? Konica besonte se Shqipëria nuk është një vend mysliman, duke nënvizuar tri besimet.

Në hulumtimin e tij bashkangjitur në librin që nuk mundi ta shihte të botuar, ai ishte i bindur se njohuritë mbi raportin e shqiptarëve me besimin ishin të pakta dhe fragmentare. Përgjatë 45 viteve të komunizmit, feja ishte e ndaluar në vend dhe gjithçka ishte shkruar mbi të mbeti arkivave, apo në kujtimet dhe shënimet e të huajve që e shkelën këtë vend.

Gati 80 vjet nga studimi fragmentar i Konicës, një tjetër gazetar me shije të hollë për shkrimin si ai, i rikthehet kësaj çështjeje, duke sjellë për herë të parë në një libër një vështrim historik, shkruar plot stil mbi raportin që shqiptarët kanë pasur me fenë në shekuj. Një tezë e guximshme, të cilën Mustafa Nano duket se e ka marrë me pasion, teksa lexon librin e tij më të ri "Pax Albanica", botim i Shtëpisë Botuese "Saras".

Një libër që e sjell në një tjetër dimension profilin gazetaresk të Nanos, duke ndërtuar një tablo të plotë të atmosferës fetare ndër shekuj te shqiptarët që para pushtimit osman e më pas. Një libër që çdo historian do të donte ta kishte shkruar me stilin e Nanos, i cili nuk e fsheh mes rreshtash grishjen nga historia.

Libri ka ardhur pas një pune të gjatë hulumtuese, për të bërë bashkë në 244 faqe gazetarë, udhëtarë të huaj që vizituan dhe shkruan për Shqipërinë, mendje të zgjuara të këtij vendi, apo copëza shkrimesh në shtypin e kohës që plotësojnë panoramën historike të besimeve fetare në vend. Në botimet shqipe pas viteve '90, qoftë dhe në atë publicistike, mungojnë libra që i referohen një teme të tillë. Më poshtë ne po botojmë një pjesë nga libri, i cili gjendet tashmë në të gjitha libraritë nga botimet "Saras".

Fragmente nga libri

Pse e ndërruan fenë shqiptarët?

Nuk jemi të vetmit që kemi kaluar nga Krishterimi në Islam. Është tanimë një fakt historik, që Shqipëria është islamizuar më shumë se vendet e tjera të Ballkanit, por ky islamizim nuk është as unik, as i çuditshëm. Islamizimi ka ndodhur edhe në vende të tjera. Bosnja, me gjithë karakteristikat e veta, është një rast i ngjashëm islamizimi; madje, islamizimi në Bosnjë u bë më herët dhe në harkun e një kohe më të shkurtër.

Konvertimet në Bosnjë ishin të rralla pas viteve '20-'30 të shekullit XVII, pasi ç'ish për të ndodhur kish ndodhur. Dhe është interesante të vihet re se islamizimi masiv në Shqipëri nisi të bëhej kur në Bosnjë tashmë kish përfunduar. Sipas Thomas Arnold-it, gjatë shekullit XVII janë kthyer në fenë islame jo më pak se 300 mijë shqiptarë.

Ndërsa myslimanët boshnjakë, për shkak të asaj sindromës së rrethimit që shpjegon, deri në një farë mase, edhe sjelljen e myslimanëve shkodranë, kanë qenë më fanatikë sesa myslimanët shqiptarë dhe kjo gjë është pranuar nga shumica e studiuesve, në mos të tërë. Deri dhe Konicës, që nuk gjente rehat nëse s'u binte shqiptarëve myslimanë, këta të fundit, me mendjen e tij, i dukeshin lule para boshnjakëve.

"Ç'kujtojnë xhonturqit? Mos kujtojnë se shqiptarët janë boshnjakë, a çerqezë, që t'i lidhen Anadollit?", shkruan ai në vitin 1904, në një moment kur ishte në të mira. Edhe në Bosnjë kish myslimanë që pinin raki apo gra myslimane pa perçe, por shumë më pak sesa në Shqipëri. Në një kohë që konsuj apo udhëtarë të ndryshëm në Shqipërinë e fundshekullit XVIII e fillimshekullit XIX shihnin, siç kam vënë në dukje në kreun 2, tolerancë e marrëdhënie disi sportive të shqiptarëve me fenë e vet e me fetë e të tjerëve (vetëm Ibrahim Manzour bën përjashtim: ai flet për myslimanët fanatikë në Gegëri, për labët që nuk dinin gjë tjetër, veçse të deklaroheshin turq, për besimtarët e zellshëm në Çamëri etj.), vëzhgimet e udhëtarëve e diplomatëve të huaj në Bosnjë ishin të një natyre tjetër.

Udhëtari francez, Charles Pertusier, ka shkruar në vitin 1822, se "myslimani [në Bosnjë] shtyhet me besimin e vet deri në formën e skajshme të fanatizmit". Ndërsa Evliya Çelebi-u shkruan lidhur me myslimanët e Sarajevës: "Janë të gjithë njerëz që e kanë frikë Zotin dhe shquhen për një besim të thellë e të kulluar ...

Pleq e të rinj, të pasur e të varfër, janë të fiksuar pas lutjeve". I njëjti autor që ka vizituar Shqipërinë në të njëjtën periudhë, flet për "njerëz të ligj" (e ka fjalën për myslimanët e një fshati të Delvinës, me emrin Lopis, të cilët, me sa duket, i ka parë indiferentë në lëmë të besimit), për njerëz që e kanë mendjen tek alkooli (Në Libohovë ka parë dasmorë që dendeshin me pije e qebap) e për njerëz që "mbahen si besimtarë syni dhe ndjekës të zellshëm të shkollës hanefite, por mes tyre ka shumë që janë të shpenguar e moskokëçarës në punë të besimit e janë të dhënë pas shkencave mistike".

Parantezë: Evliya Çelebi-u i shekullit XVII dhe "kamera" e tij që sheh nga të gjitha anët

Evliya Çelebi-u s'ka lënë qoshe të perandorisë e të botës pa shkelur (e prandaj veten e quan 'the world traveller Evliya'). Ka qenë kudo, në Mekë e Medinë, në Egjipt, në Anadoll, në Rumeli, e deri në Austri e Holandë dhe të bën përshtypje që konin e vëzhgimit, ashtu si dhe mendjen tek-tuk, e ka të hapur, sido që të shumtën e kohës nuk harron të mbajë qëndrimet e veta prej osmani.

Siç është rasti, kur thotë: "[Në Vjenë] burrat e gratë nuk i fshihen njëri-tjetrit. [Madje] gratë s'e kanë për gjë të ulen e të çaprashitin me ne otomanët dhe burrat as që thonë ndonjë fjalë përballë kësaj situate, por thjesht bëjnë mënjanë apo largohen tutje. Dhe kjo gjë nuk quhet e turpshme. Arsyeja është se në të gjithë botën e krishterë, janë gratë që kanë komandën, dhe ato sillen në këtë mënyrë të pahijshme qysh nga kohët e virgjëreshës Mari".

Disa studiues i konsiderojnë kujtimet e tij si shënime dosido në planin stilistik dhe disa të tjerëve nuk u pëlqen fantazia tepër e harlisur që ai shtie në punë për të bërë përshkrimin e shumë ngjarjeve e rrethanave, gjë që e nxjerr si një udhëtar të çakërdisur. Në të vërtetë, ka plot raste që në librin e tij të udhëtimeve, "Seyahâtnâme", nuk merret vesh ku mbaron realiteti e ku fillon fantazia.

Fjala vjen në një fshat të Bullgarisë, Çalik-kavak, ai sheh një grua plot xhinde, me flokët të shpupuritur, që bën magjira të çuditshme. E sheh me sytë e vet, teksa merr hi nga zjarri i shuar i shtëpisë ku kish bujtur Çelebi-u me suitën e tij, dhe i rrethuar nga një gjysmë duzine fëmijësh cullakë, në prani të këtyre të fundit, me dorën e mbushur me hi zë të fërkojë piçkën e vet, dhe më tej, hirit që i mbetet në dorë i fryn me të gjithë forcën e mushkërive.

Ajo që ndodh, e lë pa gojë Çelebi-un dhe njerëzit që e shoqërojnë. Fëmijët shndërrohen në zogj, ndërsa ajo vetë në një pulë, dhe ashtu dalin jashtë, në oborr, derisa vjen dikush që u pshurr "zogjve", dhe në momentin që mbi ta bien stërpika urine, që të gjithë rimarrin format e tyre humane.

Flet me dashuri për shqiptarët, të cilët i has kudo nëpër Ballkan, deri edhe në More, sidomos në More. Origjinën e tyre e lidh me tribunë arabe të Kurashit në Mekë, dhe ky është një pohim që nuk të lë indiferent, pasi nga një familje, a klan i kësaj tribuje ka origjinën dhe Muhameti, Profeti. Dhe për të arritur në këtë përfundim, i bie nga një rrugë ca si shumë e shkurtër.

Janë disa fjalë të gjuhës shqipe që e bëjnë ta shquajë këtë lidhje, mes të cilave është fjala 'arnaut', që në turqisht bën 'arnavud' e që në persisht bën 'arnabud', me kuptimin 'turpi mos i zëntë'. Ai e ka gjetur shpjegimin, sidoqoftë: shqiptarët me origjinë mekane janë nakatosur më pas me italianë e frankë dhe gjatë kalifatit të Omarit, gjuha e tyre, që ata e flasin "në mënyrë të përunjur dhe të butë" ("humbly and gently") mori këtë formë që ka, d.m.th. diçka midis arabishtes dhe frankishtes.

Etimologjinë e emrit të Kurveleshit e lidh me këtë origjinë të shqiptarëve. "Quryelesh", hamendëson ai se ka qenë emri fillimisht, dhe prej këtu shkohet kollaj te tribuja e famshme "Quraysh". Ai na bën me dije se shqiptarët që ka takuar e dinin këtë gjë dhe mburreshin.

Në këtë mes, të befason duke rrëfyer një ngjarje, së cilës nuk i është referuar pothuaj askush deri më sot. Ndoshta ngaqë ka lidhje me legjendat e jo me historinë. Ai flet për një mauzoleum, në rrethinat e Elbasanit, në nderim të një arabi me emrin Jabal-i Alhama, i cili ka qenë bashkëkohës e bashkëluftëtar i Profetit Muhamet, e që në një rrethanë të caktuar na qenka bërë paraardhësi i sojit të shqiptarëve; medemek shqiptari i parë, i pari fare, në këtë botë; një lloj Adami (Ademi) i shqiptarëve.

Ai ishte nga tribuja "Quraysh". Ishte një gazí shumë trim, që "i bëri dhuratë profetit shumë kokë e gjuhë të prera armiqsh". Gjatë kalifatit të Omarit qëlloi që – nuk dihet nëse me apo pa dashje – i nxori një sy një sheiku arab, i cili, me syrin e vet në pëllëmbë të dorës, shkoi te kalifi, dhe i tha: "Omar, është e drejta ime mbi bazën e ligjit të Profetit që t'i marr një sy Jabal-i Alhama-s".

Dhe u vendos që, mbi bazën e ajetit kuranik që thotë se "një jetë për një jetë, një sy për një sy ...", të bëhej ashtu si kërkoi sheiku. Jabal-i nuk donte të mbetej me një sy, prandaj ia mbathi tok me njerëzit e klanit të tij, dhe e mbajti frymën te Perandori i Bizantit, Herakli.

Herakli është i njëjti perandor, të cilit, kështu thotë tradita myslimane, Profeti Muhamet i ka dërguar një letër (e njëjta letër i është dërguar dhe të parit të Egjiptit, të Etiopisë e të Persisë), ku e fton që t'i nënshtrohet atij, e të kthehet në fenë islame. Bernard Lewis thotë në librin e tij "Islami e Perëndimi", se këto letra, sipas kritikës moderne, madje edhe sipas shumë studiuesve myslimanë, nuk janë autentike.

Herakli e lejoi të jetonte në Progonat e Dukat. Kështu, Jabal-i Alhama erdhi këtyre anëve deri atëmot të pabanuara dhe këtu zë fill familja shqiptare. Duke qenë se këto vise ishin nën hyqmin e frengjëve ("under Spanish rule", thotë ai saktësisht), në harkun e një kohe të shkurtër u krijua gjuha shqiptare, që në thelb është një përzierje frëngo-arabe. Dhe kjo familje me kalimin e kohës u përhap në të gjithë Shqipërinë, në Vlorë, në Berat, në Elbasan, në Shkodër etj. Përrallë e lezetshme apo jo?

Çelebi-u bën një vizitë edhe në Shkodër, ndalet ca më shumë tek e folmja e tyre dhe krahas fjalëve buk (bukë), uy (ujë), mish, dele, pulë apo numrave që i ka transliteruar në mënyrë të saktë, pasi në përkthimin anglisht kanë ardhur në formën që njohim ne sot ('nand' për 'nëntë' dhe 'dhet' për 'dhjetë'), ka mbajtur shënim dhe shprehje jo fort të hijshme të jetës së përditshme, si "mos ha mut", tikifshan tam (të qifsha t'tam), tikifshan byth (të qifsha në bythë), të pjerdhsha në hundë (ekziston sot kjo shprehje në Shkodër?) etj.

Por shqiptarët i përshkruan dhe si njerëz të dhënë shumë pas jetës së qejfit e pas argëtimeve, të cilat ai nuk i sheh me sy të mirë, por nuk mund të mos i mbajë shënim në emër të ndjenjës së detyrës së kronikanit. Ai flet për argëtime kolektive homofilike, të cilat i evidenton si mënyrë jetese në shumë vende të Shqipërisë. Në Europën e krishterë sheh kudo që "the women are in zharge" (në komandë janë gratë), e që deri edhe perandori habsburgas i hap rrugën një gruaje, ndërsa në disa vise të Shqipërisë ai sheh shumë homoseksualë.

"Gjirokastritët", thotë, "kanë një zakon të keq; në raste dasmash apo [festash fetare], ata pispillosen me xhinglat më të mira që kanë, dhe jepen pas pijeve alkoolike; djemtë kapen dorë më dorë me dashnorët e tyre, i përqafojnë fort, dhe vallëzojnë së toku në stilin e të krishterëve; kjo që bëjnë ata është një gjë shumë e prapë, pasi është rit i të pafeve; por ky është zakoni i tyre, e ne nuk mund të mos e themi".

Në Elbasan, të cilin e përshkruan si të ishte një kopsht i parajsës apo më tej si "nusja e Shqipërisë në Rumeli", e më potershëm akoma, si "nusja e botës", i kanë bërë përshtypje shumë gjëra. Çelebi-u ka bredhur botën, por si zor të gjesh një vend a një qytet tjetër, që t'i ketë lënë atë shije të bukur e të magjishme që i ka lënë Elbasani.

Edhe Tursun Beu, reporteri i pushtimeve të Sulltan Mehmetit II që e ka vizituar Elbasanin nja dy shekuj përpara Çelebi-ut, nuk e fsheh hiç goditjen që i ka dhënë ai vend "i rrethuar me male të pakalueshme dhe me fushën plot ujë të bollshëm, që ka bërë që tokat e bukës të jenë pjellore e të pasura".

Në ditën e pazarit, të dielën, Çelebi-ut ia marrin mendjen turma e madhe që duhet çarë me bërryla, çupat që kanë ardhur nga fshatrat e që kanë fytyrën e një zane a formën e një engjëlli, djemtë e vajzat e këndshme të qytetit, që – ky është kulmi i vlerësimit; një mysliman që thotë këtë e çon veten në kufijtë e blasfemisë – "bien në sy për bukurinë e hijeshinë e tyre dhe për tiparet e tyre pothuaj hashemite ('hashemit' do të thotë 'që e ka prejardhjen nga Hashimi, stërgjysh i profetit Muhamet')".

"Dyert e shtëpive [atje] janë të hapura ditë e natë; për ta është turp të jenë pa miq në shtëpi, e të hanë veç në prani të shërbyesve; ata nuk japin shenja se e bëjnë për të madhe edhe nëse dikush u jepet në derë natën vonë, me shpurën e vet e me kuaj", thotë. Dhe vijon: "Në shumë dyer vilash e sarajesh, në pjesën e sipërme, janë shkruar në arabisht vargje të tilla, si 'Dita jote është e bekuar nga kamja e lavdia / porta e shtëpisë tënde është e hapur për cilindo që ka nevojë' apo 'Nderin e shtëpisë e ka në dorë i zoti i saj / ndërsa nderi i të zotit matet me bujarinë e tij'".

Ai flet më poshtë edhe për një si park jashtë qytetit, që "nuk gjendet as në Turqi, as në Arabi e as në Persi", e që ai e quan 'Buzurg Seng' (Shkëmbi i madh). Dhe në këtë pikë, ai i lë mënjanë skrupujt osmanë, gati e lëshon veten pas një kërshërie e empatie që e rrëmben dhe përshkruan një skenë idilike mes djemsh që, po të ish piktor, do të kish marrë formën e një dëshmie të rrallë artistike: "Këtu vinë të rinj të panumërt, që nuk e fshehin se u ka rënë në kokë për djem të tjerë, buzët e kuqe të të cilëve janë si trëndafila e qershi.

Të parët u këndojnë këngë të dytëve dhe kështu shfaqin ndjenjat e tyre të ëmbla e të trishtuara në një mënyrë të atillë saqë edhe bilbilat, prej admirimit, nuk guxojnë të nxjerrin zërin. Në çdo cep të sheh syri njerëz që bëjnë dashuri, që argëtohen, që pinë e që dehen, me muzikë e këngë e dëfrime të natyrave të tjera ditë e natë ...".

Ka shumë gjasa që asociimi që i bëhet prej kohësh Elbasanit me tundime e pasione sensuale brenda gjinisë ta ketë burimin te ky rrëfim që Evliya Çelebi-u e bën në librin e tij "Seyahâtnâme". Por nuk kuptohet pse kjo gjë ka ndodhur veç për Elbasanin. Atij e njëjta pamje i hapet edhe në Gjirokastër (e përmenda më sipër) apo në Berat, banorët e të cilit "tërhiqen në mal apo edhe në ndonjë qoshe të qytetit", dhe atje "like so many libertines may spend an entire week eating, drinking and carousing" (harxhojnë një javë të tërë mes shthurjes, me të ngrëna, me të pira).

Dhe përshkrimin e këtyre situatave e bën në të shumtën e kohës mes një asnjanësie etike që të çudit; në mos, mes një vetëpërfshirjeje emotive që ia komprometon qasjen prej myslimani rigoroz. Ai flet për këtë "shthurje" me tone të hareshme, a thua se i ka ardhur mirë që ata bënin argëtime kësodore dhe se do t'i vinte keq nëse nuk do të kish pasur fatin të ndodhej këtyre anëve, ku më të bukurat e gjërave që sheh kanë qenë, megjithatë, të një natyre krejt tjetër.

Elbasanin ai e vizaton – këto i ka veçuar në një studim të vetin edhe Hasan Kaleshi – si "qytetin e poetëve dhe të studiuesve", ndërsa në Berat i kanë rënë në sy gjashtë kafene, ku mblidhen "poetë, studiues e shkrimtarë të dijshëm, të cilët janë të sjellshëm e elegantë, inteligjentë e të matur, dhe të dhënë më shumë pas gëzimeve të jetës sesa pas fesë".

Duhet thënë se Çelebi-u është i pari, por jo i fundit autor që nënvizon qasjen homofilike të shqiptarëve. Dyqind vjet më pas është albanologu Johann Georg von Hahn që ndalet te ky argument. Madje, në librin e tij "Studime shqiptare" ka nja dy-tri faqe me titullin "Dashunia për çunat". Çelebi-ut i kish rënë në sy më së shumti homoseksualiteti i toskëve (duke përjashtuar Elbasanin), ndërsa Hahn-it, ai i gegëve. "[Në Gegni] dashunia dorike për djem vazhdon ashtu siç e përshkruejnë shkrimtarët e Greqisë së vjetër", ia bën ai.

Një vendas, gegë, që i shpjegonte zakonet shqiptare, i thotë Hahn-it se gegët, në ndryshim nga toskët e osmanllinjtë që i përdorin çunat si gratë e përdala, "kanë ndjenja të pastra si drita e diellit dhe dylberi nderohet si një shenjt; këto ndjenja [për çunat] janë nga më të naltat që ka zemra e njeriut". Hahn-it i kish bërë përshtypje që toskët "kanë këndue ma fort kangë dashnie femnash", e që gegët "nuk u këndojnë kangë marrëdhënieve të tyre me seksin femër". Për më tepër, "feja nuk ushtron ndikim mbi këtë dashuni [të çunave për çunat]; muhamedani dashuron të krishtenin dhe i krishteni muhamedanin; madje ka ndodhë që nji i krishtenë të bahet muhamedan, sepse dylberi muhamedan e vinte këtë konditë".

Dëshmitë e Çelebi-ut e të Hahn-it mbi homoseksualitetin e shqiptarëve të zonave të ndryshme në kohë të ndryshme janë bajagi trallisëse kur i ballafaqon me reagimet homofobike në kor në ditët e sotme. Nga ana tjetër, në përmasa më të vogla, ky proces ka ndodhur edhe në vende të tjera të pushtuara nga otomanët, si në Kretë (kur plasi revolucioni grek, gjysma e banorëve të Kretës ishin myslimanë, sido që një pjesë syresh ishin kripto-kristianë), në Qipro, në malet Rodope me pomakët, bullgarët e islamizuar apo, sipas Robert Mantranit-it, "me vllehët e Maqedonisë lindore, meglenovllehët ... lazët e Azisë së Vogël, një popullsi e hershme gjeorgjiane, një numër hebrenjsh" etj.

Kur austriakët, pasi rrethimi i Vjenës më 1683 nga ana e turqve dështoi, zunë të merrnin nën kontroll Hungarinë, një nga gjërat e para që bënë ishte dëbimi nga tokat e tyre i mijëra hungarezëve të konvertuar në myslimanë (kish dhe spahinj mes tyre) dhe sprapsja e tyre poshtë, drejt jugut, në Bosnjë.

Por, pavarësisht faktit që konvertime ka pasur edhe në vende të tjera, pyetja mbetet: Pse të shumtët e shqiptarëve të krishterë u konvertuan në fenë islame pas pushtimit osman? Historianët, por edhe intelektualë kureshtarë e të pasionuar pas punëve e të shkuarës së Shqipërisë, shqiptarë e të huaj, janë thelluar vazhdimisht në këtë çështje, dhe gjasat janë që të mos ketë gjëra të rëndësishme që t'u jenë përvjedhur vëmendjes e vigjilencës së tyre, e kjo është arsyeja që prej kohësh secili syresh nuk bën gjë tjetër, veçse bën ndonjë saktësim, ndonjë nënvizim e ndonjë interpretim, që në panoramën e përgjithshme shtojnë pak.

Nuk është dhuna që i ka bërë shqiptarët myslimanë

Teza, sipas së cilës ky konvertim është bërë me dhunë, ka rënë prej kohësh, s'ka gjë se në periudha të caktuara, para e pas arritjes së pavarësisë, është mbrojtur me këmbëngulje nga pothuaj të gjitha historiografitë kombëtare të vendeve që kanë qenë të sunduara nga turqit. Bullgarët, fjala vjen, si provë të islamizimit të dhunshëm në Rodopet Qendrore e Perëndimore kanë dhënë tri shënime të lëna nga dëshmitarë okularë që kanë qenë të pranishëm gjatë një fushate ushtarake në vitet 1660.

Por nuk ekziston origjinali i asnjërës prej këtyre dëshmive, dhe Ali Eminovi është i sigurt se ato janë shpikur nga nacionalistët bullgarë në fund të shekullit XIX, në mënyrë që – po e perifrazoj idenë e tij – t'i nxirrnin bullgarët në një dritë heroike e t'ua bënin më të lehtë luftën me ndërgjegjen e tyre prej renegati.

Historiografia shqiptare nuk dihet të jetë mbështetur në falsifikime të tilla, por deri vonë, sidomos në tekstet shkollore, i është mëshuar tezës se pushtuesi turk ka qenë mizor dhe se rezistenca e shqiptarëve nuk ka reshtur në asnjë rast dhe me këtë është lënë të nënkuptohet një konvertim në Islam në rrethana shtypjeje e presioni të dhunshëm. Në të vërtetë, rezistenca antiosmane e shqiptarëve është një sendërgjí e natyrës patriotike. Është një gjë që nuk është e dokumentuar.

Madje, çfarë është dokumentuar është bash e kundërta, d.m.th. një mirëkuptim, e shpesh një njëjtësim, i plotë i shqiptarëve me osmanët. Historianët tanë kanë folur e flasin për kryengritje të armatosura antiosmane, për akte të qëndresës ndaj Stambollit etj., etj., dhe anashkalojnë ngjarje të tjera ku e ku më të rëndësishme që kanë treguar se shqiptarët kanë qenë të shkrirë brenda perandorisë.

Është e çuditshme, fjala vjen, që në tekstet tona të historisë, si në ato që u jepen në duar nxënësve të shkollave, ashtu edhe në ato me natyrë studimore e akademike, nuk përmendet beteja e Jaffa-s (Joppa), qytetit që i përket Izraelit në ditët tona, por që në fund të shekullit XVIII, kur Napoleon Bonaparti urdhëroi një nga gjakderdhjet më absurde në historinë moderne, ishte pjesë e Sirisë osmane.