Kategoritë

Prodhuesit

Furnizuesit

PayPal

Plaku dhe deti, Ernest Hemingway Shihe të plotë

Plaku dhe deti, Ernest Hemingway

Plaku dhe deti është një tregim për forcën dhe dinjitetin e shpirtit të njeriut. Me simbolikën e tij ai trajton pyetjen e madhe, se deri ku duhet të shkojë njeriu, deri ku duhet të guxojë. Për Heminguejin njeriu, në trevën e dyluftimit të pabarabartë, madje të vetë vdekjes, nuk ka përse të tërhiqet pa e provuar.

Info shtesë

SKU000740

$5.63

Klientët që blenë këtë libër, blenë edhe...

Titulli: Plaku dhe deti
Origjinali: The old man and the sea
Gjinia: Roman
Autori: Ernest Hemingway
Shqipëroi: Ismail Kadare
Shtëpia botuese: Onufri
Viti: 2002
Fq. 112
Pesha: 0.14 kg
ISBN: 978-99927-45-79-7

Koment nga Xhevat Lloshi

Plaku dhe deti është një tregim për forcën dhe dinjitetin e shpirtit të njeriut. Me simbolikën e tij ai trajton pyetjen e madhe, se deri ku duhet të shkojë njeriu, deri ku duhet të guxojë. Për Heminguejin njeriu, edhe kur e di se do ta kapërcejë të zakonshmen, se po shkel përtej saj, në trevën e dyluftimit të pabarabartë, madje të vetë vdekjes, nuk ka përse të tërhiqet pa e provuar. Më mirë të kthehesh i mundur pasi e ke provuar ndeshjen, pasi e ke treguar se e ke guximin ta bësh, sesa të dështosh pa e bërë provën.

Plaku i detit na tregon se e arriti atë që nuk e kishte bërë tjetërkush dhe nuk ka rëndësi se nuk e solli edhe mishin e peshkut për ta ngrënë. Kjo nuk ishte një sprovë për të sjellë diçka për të ngrënë, por për të sjellë një provë të guximit dhe të krenarisë. Është një ngjarje në kufirin e së pamundurës, nga e cila peshkatari është kthyer fitimtar.

Në këtë kuptim, rrëfimi kishte forcë tërheqëse për një shkrimtar, si Kadareja, i cili jo një herë në veprën e vet shkon te kufiri i së pamundurës, madje te vetë kufiri midis jetës e vdekjes. Konstandini u ngrit nga varri për ta kapërcyer kufirin, se atij i pëlqenin idetë e reja, kapej me pasion, duke i çuar nganjëherë gjer në skaj. Për Stresin, Konstandini dhe Doruntina qenë përpjekur të thyenin ligjet që i mbajnë të mbërthyera qeniet e gjalla, qenë përpjekur të thyenin ligjet e vdekjes, të arrinin të pamundurën.

Plaku i Heminguejit shkon tepër larg që të tregojë se çfarë është i zoti të bëjë njeriu dhe çfarë mund të durojë. Në filozofinë e tij, njeriun mund ta asgjësosh, por jo ta mposhtësh. Njerëzit e zakonshëm nuk e vënë re që edhe në bisedën e tyre të përditshme bëjnë përkthim. Kur dikush pyet: Çfarë do të thuash ti me këtë? Ç'kuptim ka kjo? Ku ma hedh fjalën? Nuk po të marr vesh.

Ai kërkon t'i përkthehet ajo që sapo ka dëgjuar. Përveç përkthimit të jashtëm nga një gjuhë në një tjetër, ka edhe një përkthim të brendshëm, përbrenda po asaj gjuhe. Ismail Kadareja është mjeshtër i këtij përkthimi të brendshëm në veprën e vet. Jo vetëm në rastet kur drejpërdrejt shënon po në atë vend ese dhe trajtesë, proces dhe zhdrivillim, por edhe duke e shndërruar këtë në përftesë letrare.

Te "Ura me tri harqe" janë vënë pranë fjalët e katër gjuhëve: "Sonte është tamam aksham. Nuk është as mbrëmje, as soir, e aq më pak vjeçer, por është aksham". Po në këtë vepër, nëpërmjet një stilizimi arkaizues, është ndërtuar togu autonomi me cak, që është në të vërtetë një "përkthim" i togut real, të përdorur nga udhëheqësit sovjetikë pas pushtimit të Çekosllovakisë: sovraniteti i kufizuar, e po kështu ka bërë me togun kompromisi historik duke u kthyer në lëshim i dyanshëm historik.

Madje, edhe sajesat e veta Kadareja i përkthen, siç e gjejmë një rast te po ajo vepër: Nulbytymin, që mund të përkthehej njëfarësoj me fjalën zerokrejti. Duke e ndjekur këtë vijë të menduari, do të bindemi se lidhjet e shkrimtarit me përkthimin janë më të thella sesa duken. Ai bën rregullisht përkthim, shpjegim, interpretim, ndërshkëmbim ose komutim.

Krijimtaria nuk është pasqyrim i realitetit, por një rishpjegim i tij, ajo nuk mund të gjykohet se sa besnike i qëndron historisë, por se sa na zbulon një mesazh artistik aty ku ne shohim e dëgjojmë, por pak kuptojmë; ne kemi nevojë për dragoman që ta rrokim kumtin dhe kjo është një fjalë mjaft e shpeshtë në veprën e Kadaresë. Në këtë kuptim, shkrimtari është kurdoherë për ne edhe një përkthyes, nga ligjërata e zakonshme në gjuhën artistike.

Mbi autorin

Shumëkush mund të thotë se ai nuk ka qenë shkrimtari më i madh amerikan dhe as krijuesi i librit më të mirë amerikan, por Ernest Heminguej është pikërisht shkrimtari amerikan, një plazmim i patjetërsueshëm i talentit letrar dhe pesonalitetit monumental. Ai fitoi zemrat e të gjithë amerikanëve mbarë botës me stilin e tij të rrëfimit dhe e ngjiti atë në nivele të reja në statusin e popkulturës.

Më shumë se shkrimtar, ai është heroi i luftës, korrespondent i luftës, i çatdhesuar, gjuetari i luanëve, peshkatari legjendar, pijetari, figura tragjike, personaliteti imponues. Cytja e tij drejt jetës ishte një shqetësim që kurrë nuk pushoi së qeni, që e lidh atë me njerëzit e zakonshëm, të cilat gjallonin në romanet e tij më të famshme.

"Pothuajse çdo dhjetëvjeçar atë e gjen në një vendqëndrim të ri. Ka një grup krejt të ri miqsh dhe njëfarë numri lajkatarësh", shprehet Dr. James Nagel, njëri prej studiuesve më të shquar të Heminguejit. Ndonjëherë është e vështirë të mësosh me saktësi ku e ka zanafillën jeta dhe legjenda e Heminguejit.

Që prej lindjes së tij në Oak Park, Ilinois, përgjatë romaneve që morën jetë nga vetë përvojat e tij e deri në vdekje, në moshën 62 vjeçare, jeta e Heminguejit ishte tërësisht e dokumentuar. Ende "s'ka çështje rreth tij që kurrë s'kanë marrë përgjigje dhe me gjasë kjo është arsyeja pse akoma vazhdojmë të flasim për të" thotë Red Griffin për Heminguejin. "Nëse mendja të mbetet e fiksuar pas Heminguejit, kjo gjë e dobëson aftësinë për ta kuptuar atë", thotë Majkëll Rejnolds, "Ai është një pus i thellë: bie brenda e kurrë nuk del më."