Kategoritë

Prodhuesit

Furnizuesit

Jeta fillon te premten, Ioana Parvulescu Shihe të plotë

Jeta fillon te premten, Ioana Parvulescu

Një të premte të dhjetorit 1897, në një nga pyjet në rrethinat e Bukureshtit, shfaqet mbi dëborë një burrë pa ndjenja, i veshur në mënyrë të çuditshme, pa mjekër e me një të folur të veçantë. Edhe ai duket se nuk e kupton ku gjendet dhe ndihet i huaj. I gjithë qyteti merret me të dhe etiketimet, supozimet dhe qëllimet që i vishen janë të shumta.

Info shtesë

Disponueshëria: Në gjendje

$9.86

Me ulje çmimi!

-30%

$14.09

Titulli: Jeta fillon të premten
Origjinali: Viaţa începe vineri
Gjinia: Roman
Autori: Ioana Pârvulescu
Shqipëroi: Kopi Kyçyku
Shtëpia botuese: Pegi
Viti: 2017
Fq. 328
Pesha: 0.398 kg.
ISBN: 978-9928-228-54-3

Mbi librin

Një të premte të dhjetorit 1897, në një nga pyjet në rrethinat e Bukureshtit, shfaqet mbi dëborë një burrë pa ndjenja, i veshur në mënyrë të çuditshme, pa mjekër e me një të folur të veçantë. Edhe ai duket se nuk e kupton ku gjendet dhe ndihet i huaj. I gjithë qyteti merret me të dhe etiketimet, supozimet dhe qëllimet që i vishen janë të shumta: mos është një vrasës makabër e serial, mos është një hajdut, një marsian, një mashtrues?

Që ta mbajnë nën vëzhgim, vendosin t'i japin punë si gazetar, punë në të cilën, heroi ynë ia del mbanë më së miri. Falë syve të tij, por edhe të shumë personazheve të tjera, mjeshtërisht të formësuar, zbulojmë epokën e artë, shekullin e haresë së jetës, atëherë kur njerëzimi besonte në përparimin shkencor dhe në të ardhmen.

Falë shkrimit elegant të Pârvulescu-t, hyjmë krejt natyrshëm në intimitetin e personazheve: doktori Margulis, njeri i mirë që pret më të varfrit në klinikën e tij; e bija Xhulia, e kredhur në lexime revistash dhe e etur për jetë e dashuri; Gavroshi, një rumun që njeh mirë rrugicat e fshehta të lagjeve të varfra të Bukureshtit; Niku, miku i ngushtë i të riut Zhak Margulis.

Ne vizitojmë edhe zyrat e gazetave të mëdha, të zhurmshme të botës së atëhershme, me skandalet dhe prapaskenat e tyre: kjo është atmosfera në të cilën gazetari ynë "do të bjerë nga qielli", para se të birësohet nga shoqëria e lartë e Bukureshtit.

E falë këtij personazhi kryesor, këtij heroi "të ndryshëm", i cili gjendet vërtet jashtë kohës e jashtë vendit, na paraqitet një botë paragjykimesh e mediokriteti lëndues. Ky roman fitoi çmimin e letërsisë së Bashkimit Europian në vitin 2013. Ai është përkthyer në dhjetëra gjuhë, duke marrë mbështetjen e kritikës ndërkombëtare.

Fragment nga libri

Fuqia e historisë së madhe nuk krahasohet me fuqinë tonë kundërshtuese, kjo vlen edhe për jetën vetjake. Dhe se në çdo faqe të historisë së botës bëjmë edhe ne një kërcim, si të pakontrolluar, ndërsa shansi ynë i vetëm është të lëshohemi në rrjedhë, por duke shfrytëzuar në maksimum makinerinë e ngjarjeve, për të mos mbetur poshtë, prapa. Të çapitemi me shpejtësinë e kohës, të kohërave, më saktë. Të përshtatemi, më mirë sesa t'i kundërvihemi.

Komente mbi librin

"I bazuar në njohuri të shëndosha historike dhe kulturore të kohës që përshkruan, ky roman, i rrëfyer nga pikëpamjet e personazheve të ndryshme, na ka lënë një shije të plotë e të këndshme, me imazhet që ndjekin njëra – tjetrën si në një film. Trilli i romanit shfaqet disi më ëndërrimtar se realiteti i ngurtë me të cilin jemi mësuar, e megjithatë përjetojmë të njëjtat ndjenja si personazhet, habinë, entuziasmin, kuriozitetin, pritshmërinë e lartë, frikën, humbjen dhe dashurinë."

Scottish Review

"Autorja di si të rrëfejë një histori, si një përrallë pranë oxhakut... Do të doja të mos mbaronte kurrë."

Europa libera

"Ky roman i parë krijon mbresa shumë të mira, sidomos falë fantazisë që përmban."

Le Monde