Albumi "Malli Pėr Mėmėdhenė", ėshtė njė ndėrthurje e vjershave tė vjershėtorėve tanė qė i kėndojnė Shqipėrisė, me fotografi me bukuritė e rralla tė natyrės shqiptare tė krahinave tė ndryshme tė vendit tonė dhe me dorėshkrime tė vėrteta tė vjershėtorėve shqiptarė tė sjella nė kėtė album.
Gjenerali i ushtrisė sė vdekur, Ismail Kadare (fragment)
Në hotel Dajti gjenerali e ndjeu veten mirë. Ai shkoi në dhomën e tij dhe ndërroi uniformën. Pastaj zbriti në holl dhe porositi një bisedim telefonik me shtëpinë.
Gjenerali, prifti dhe tre shqiptarët u ulen në një tavolinë. Ata biseduan për gjera të ndryshme dhe të parëndësishme. U shmangeshin bisedave politike dhe shoqërore. Gjenerali ishte shumë serioz dhe i sjellshëm. Prifti fliste pak. Gjenerali dha të kuptonte se ai ishte kryesori, megjithëse prifti fliste më pak. Ai foli për traditat e bukura që ka krijuar njerëzimi në lidhje me varrimin e ushtareve. Përmendi grekët e trojanët, që varrosnin njerëzit me aq madhështi në pushimet midis luftërave. Ai ishte shumë entuziast për misionin e tij. Do ta kryente shumë mirë këtë mision të rëndë dhe të shenjtë. Mijëra nëna prisnin bijtë e tyre. Ato kishin njëzet e ca vjet që prisnin. Është e vërtetë se kjo pritje ndryshonte pak nga ajo pritja tjetër, kur ato shpresonin, t'u ktheheshin të gjalle bijtë e tyre, por, sidoqoftë, edhe të vdekurit priten. Ai do t'u çonte nënave eshtrat e bijve të tyre, që gjeneralët budallenj nuk ditën të udhëhiqnin në luftë. Ai ishte krenar për këtë. Ai do të bënte çmos.
Zoti gjeneral, telefoni... Gjenerali u ngrit plot gjallëri.
Më falni, zotërinj. - Me hapa të gjatë dhe madhështore shkoi në portinerinë e hotelit.
Po aq madhështor u kthye. Shkëlqente i tëri. Në tryezë pinin konjak dhe kafe. Biseda ishte më e ngrohtë. Gjenerali përsëri dha të kuptohej se ai ishte kryesori në këtë mision, sepse prifti, megjithëse kishte gradën kolonel, në këtë rast ishte vetëm një përfaqësues shpirtëror. Ai ishte kryesori dhe mund të hapte çfarë bisede që të donte: për konjakët, kryeqytetet, cigaret. E ndiente veten shumë mirë në këtë sallon hoteli, me këto perde të rënda, me këtë muzikë të huaj, bile, më tepër se të huaj. Ai u habit dhe vetë nga i erdhi kështu papritur kjo dashuri për konfortin, për të gjitha objektet që shikonte rreth e rrotull në sallonin e hotelit, duke filluar nga kolltukët e rehatshëm e gjer të zhurma e këndshme që bënte makina e ekspresit të kafes. Me tepër se dashuri, ndoshta ishte një ndjenjë malli e parakohshme për diçka që e ndiente se do ta braktiste për një kohë të gjatë.
Gjenerali ishte i gëzuar. Shume i gëzuar. As vete nuk e dinte përse i erdhi kjo valë gëzimi e papritur. Ky ishte gëzimi i udhëtarit që gjen një strehë pas një udhe të rrezikshme në mot të keq. Ajo gota e vogël e verdhë e konjakut nisi t'i dëbonte përherë e më shumë pamjen e irnosur e kërcënuese të maleve, që edhe tani në tavolinë e shqetësonte herë pas here. Si një shpend krenar i vetmuar... Befas e ndjeu veten tepër të fuqishëm. Trupat e dhjetëra mijëra ushtarëve, të futur në toke, pritën kaq vjet ardhjen e tij dhe ja, ai erdhi që t'i ngrinte ata nga balta dhe t'ua kthente prindërve dhe të afërmve. Ai erdhi si një Krisht i ri, i pajisur me harta, lista dhe shënime të pagabueshme. Gjeneralët e tjerë i udhëhoqën këto kolona të pafundme ushtaresh drejt disfatave dhe asgjesimit, kurse ai erdhi që t'ua shkëpuste harrimit dhe vdekjes atë diçka që kishte mbetur prej tyre. Ai do të endej varrezë me varrezë, kudo, mbi ish-fushat e luftëtarëve, me qëllim që t'i gjente të gjithë të zhdukurit dhe të humburit. Në luftën e tij me baltën nuk do të njihte disfatë, sepse ai ishte pajisur me forcën magjike të statistikave të përpikta.
Ai përfaqësonte një vend të madh e të qytetëruar dhe prandaj puna e tij do të ishte madhështore. Në punën e tij kishte diçka nga madhështia e grekeve dhe e trojaneve, diçka nga funeralet homerike. O, si do të mbeteshin me gojë hapur shqiptarët, që mbanin kaq shumë ombrella në duar.
Gjenerali ktheu edhe një gotë. Dhe që atë nate e tutje, çdo ditë, çdo mbrëmje, atje larg në vendin e tij, të gjitha ata që prisnin, do të thoshin për të: Ai tani kërkon. Në shkojmë nëpër kinema, në restorante, në kafe, ndërsa ai i bie kryq e tërthor tokës së huaj dhe kërkon. Kërkon, hap varre. Oh, punë të renda ka, por ai do të dijë t'ia dalë mbanë. Jo meë kot dërguan atë.
Zoti e ndihmoftë!
Pėr informacione tė mėtejshme, ju lutem shkoni kėtu: faqja.
Albumi "Malli Pėr Mėmėdhenė", ėshtė njė ndėrthurje e vjershave tė vjershėtorėve tanė qė i kėndojnė Shqipėrisė, me fotografi me bukuritė e rralla tė natyrės shqiptare tė krahinave tė ndryshme tė vendit tonė dhe me dorėshkrime tė vėrteta tė vjershėtorėve shqiptarė tė sjella nė kėtė album.