|
Doris Lessing, fituesja e "Nobel 2007 në Letërsi", në një intervistë ekskluzive me Rudina Xhungën, për "Shqip" në "Top Channel" "Një herë, kur erdhi BBC, më mbuluan me një çadër për të arritur një efekt, pastaj më rrethuan me drita dhe bënë kaq rrëmujë. Në fund më thanë: Fol! Po ç‘të thosha unë? Nuk dua të flas më. Le t‘i lexojnë librat e mi, nëse duan. Sot është intervista e fundit". Gjatë bisedës përmend zgjedhjet e manipuluara në Shqipëri. Kur shikon habinë që shkaktoi me fjalën manipulim, Lessing sqaron se ka lexuar për Shqipërinë. Dhe në fund të tregon se ka lexuar librin "Ridënimi" të shkrimtarit shqiptar, Fatos Lubonja, të sapobotuar në Londër. Nobelistja angleze i ka kushtuar këto rreshta këtij botimi, në kopertinë: "Ridënimi" rrëfen komunizmin në Shqipëri. Zymtësia e tregimit ndriçohet nga kuraja dhe mençuria e të burgosurve. Çfarë njerëzish të mrekullueshëm kanë përndjekur dhe vrarë regjimet komuniste, kudo në botë. Ngjan sikur, ajo që ata donin të zhduknin, ishte thjesht përsosmëria". Më 11 tetor 2007, kur Horace Engdahl, sekretari i përhershëm i Akademisë Suedeze, 15 minuta para shpalljes së "Nobelit", telefonoi në shtëpinë e Doris Lessing në Londër, për ta njoftuar personalisht, ajo nuk ishte. Me siguri nuk e ka pritur më këtë çmim, tha Engdahl para gazetarëve, ndërsa shpallte "Nobel 2007 në Letërsi". Lessing në fakt nuk e kishte pritur më. Libri që më së shumti ndikoi në dhënien e këtij çmimi për gruan e 11 në historinë e "Nobelit", ishte shkruar plot 45 vjet më parë. Ai është "Golden Notebook" - "Shënimet e arta", një libër i cilësuar si far për feminizmin. Bibla e emancipimit të çdo gruaje që kërkon më shumë, "që kërkon më shumë nga vetja, jo nga burrat" - shpjegon ajo. Një libër i ndërlikuar, por shumë seksi. Një histori për vështirësitë që has gruaja ndryshe, gruaja protagoniste, që është një shkallë më lart në emocion, zgjuarsi dhe seksualitet se burrat e rëndomtë. Gruaja që në libër është Ana Wulf dhe në realitet vetë Doris Lessing. E megjithatë, Lessing nuk pranon se ka shkruar letërsi feministe, madje shfaqet si antifeministe, kur në një intervistë të vitit 2003, sulmon lëvizjet e femrave që duan t‘i pronësojnë librat dhe ca më keq akoma t‘i shtrembërojnë idetë. Ajo sulmon gratë që kujtojnë se botën e përmirëson lufta me burrat, gratë që s‘dinë ç‘duan: "Nëse për gratë ka ndryshuar diçka, atëherë kjo erdhi nëpërmjet shkencës dhe teknikës dhe jo përmes lëvizjes së grave. Makina larëse, aspiratori për pluhurat dhe tableta kundër shtatzënisë e kanë ndryshuar jetën e grave dhe jo sloganet. Ti duhet të krijosh komitete, të shkruash në gazeta, të zgjedhësh në Parlament njerëzit e tu. Kjo është një rrugë e gjatë, e mundimshme dhe e ngadaltë, por ajo të çon te synimi". Nuk dihet nëse Doris Lessing ka shkuar te synimi, po duket aq e qetë kur e sheh. E qeshur, e mirë, si një gjyshe. Të vjen e brendshme ta pyesësh vetëm për jetën e saj, shpërndarë në libra, personazh i të cilave qe ngaherë ajo vetë, me dilemat dhe dështimet individuale, me pyetjet dhe përgjigjet e 90 viteve kur gjithë çfarë pa, besoi dhe deshi, vdiq. "Humbën të gjitha - thotë. U shpërndanë si re në qiell. Sepse asgjë nuk mbetet përgjithnjë. Veç diçkaje. Besimit, se gjërat i përmirëson vetëm besimi tek to". Të besosh do të thotë të mundesh, do të thotë të ndryshosh, sikundër ajo bëri, duke ndryshuar vajzën e vogël që lexonte libra e fshehur në fermën afrikane, gruan e re që e përzunë nga shtëpia pse sulmoi aparteidin, 20-vjeçaren që la martesën për dashurinë dhe pastaj la dashurinë për bindjet, mandej sërish la dhe përsëri gjeti. Gjeti veten dhe e solli në këtë 90-vjetor të një jete jetuar çdo sekondë dhe treguar në 70 libra. Sapo mbarova librin tuaj të fundit "Alfred dhe Emili", mendova që, nëse Alfredi do të martohej me gruan e duhur, dhe Emili me burrin e duhur, në botë nuk do të kishte luftë. Çfarë donit të bënit ju me Alfredin dhe Emilinë? Thjesht të shkruanit apo të rishkruanit historinë e familjes suaj? Doja t‘u jepja prindërve të mi një jetë të denjë, jetën që ata nuk patën. Prindërit e mi kaluan një jetë shumë të vështirë, një jetë të shkatërruar nga lufta. Kështu që, kur e shkrova këtë libër e hoqa luftën. E fshiva Luftën e Parë Botërore dhe u dhashë prindërve të mi një jetë normale, të thjeshtë, jetën që mendoj se do ta kishin pasur, sikur të kishin jetuar në kohë paqeje. Do të ndiheshin më mirë prindërit tuaj po ta lexonin këtë libër? Them se po. Sidomos im atë do të gëzohej shumë, sepse gjatë gjithë jetës ëndërronte të ishte fermer. Në libër i dhashë atë që ai donte, të kishte një fermë, diku në krahinat lindore, gjë që nuk e realizoi dot kurrë. Pse shkruani, për të bërë të tjerët të lumtur, apo për të qenë vetë e lumtur? Shkruaj, sepse kam nevojë të shkruaj. Shkruaj, sepse duhet të shkruaj. Ç‘do të thotë të shkruash, të jetosh apo të mos jetosh? Është liri apo burg? Nuk e di, unë kam shkruar gjatë gjithë jetës. Nëse shikoni listën e librave që kam shkruar, janë shumë libra. S‘besoj se do të kisha jetuar dot ndryshe. Thjesht kam shkruar. Për çfarë keni hequr dorë në jetë për të shkruar libra? Shumë gjëra, shumë dhe s‘mund të them me saktësi se çfarë. Ju vjen keq për këtë? Sigurisht që nuk jam penduar. Bëra pikërisht atë që dija të bëja. Dini të bëni të tjera gjëra përveçse të shkruani? Ajo çka do të doja të bëja, do të doja të kisha qenë,... njerëzit do të qeshin kur ta dëgjojnë këtë, do të doja të kisha qenë një fermere nga ato të kohës së shkuar. Sepse jam rritur në një fermë dhe di gjithçka për fermat. Por ato lloj fermash nuk ekzistojnë më sot. Nga ato fermat me pak kafshë... diçka e thjeshtë. Askund nuk ka më ferma të tilla. Çfarë e bën një njeri shkrimtar, mungesa apo letërsia që lexon? Nuk e di. Unë u edukova nëpërmjet letërsisë, sepse nuk kam bërë shkollë. Jam edukuar vetë, kam shkolluar veten. Nuk di si do të më kishte shkuar jeta pa librat, por besoj se do të kishte qenë shumë keq. I besoni më letërsisë që lexonit dikur? Apo e keni zëvendësuar? Nuk do t‘i zëvendësoja kurrë rusët e vjetër. Ata janë kaq të veçantë. Dhe nuk do të zëvendësoja dot Stendalin dhe disa autorë të tjerë kyç. Ndërsa shkrimtarët anglezë mund t‘i zëvendësoja lehtësisht. Nuk e di pikërisht kë, por di me siguri që do t‘i zëvendësoja. Pëlqeni ndonjë shkrimtar tani? Tani? Nuk mund të mendoj ndonjë në veçanti. Lexoj libra të zakonshëm. Po lexoj Orhan Pamuk , p.sh. Nuk kam lexuar dot, ende autorin më të fundit që mori çmimin "Nobel". Asnjëherë më parë nuk kisha dëgjuar për të. E keni intervistuar? Jo. Kam intervistuar së fundmi Amos Oz . Ai ju pëlqente shumë. Nuk kam takuar asnjë që ta ketë intervistuar francezin. Më ngjan se ai nuk ekziston. Amos Oz më pëlqen shumë. Ai ka qenë në telashe kohët e fundit. Në këtë situatë që është Izraeli nuk mund të mos ishte në telashe. Po ju, keni telashe në Londër? Jo. Jam e lumtur të them se kam një jetë plot paqe. Ç‘do të thotë për një njeri të jetojë edhe rrëzimin e Hitlerit, Musolinit, Stalinit edhe të Perandorisë Britanike? O Zot! Perandoria Britanike mori fund para shumë kohësh dhe s‘arrij të përfytyroj se ç‘mund të them tani për të. Por ndërsa rritesha, Perandoria Britanike ishte diçka shumë e fuqishme, dhe ishte e pamundur ta mendoje se një ditë do të shuhej. Ishte e pamundur që të ishte më pak se ç‘ishte, por shikojeni tani. Gjithçka që ishte e plotfuqishme gjatë kohës që unë isha e vogël, si Hitleri, Musolini, Stalini... që të gjithë kanë ikur tashmë. Janë të gjithë si re në qiell. Nuk u besoj njerëzve që mendojnë se diçka mund të zgjasë përgjithnjë, sepse kjo nuk ndodh. Asgjë, asgjë nuk zgjat përjetësisht? Jo, asgjë nuk zgjat. Besoj se në ditët e sotme, njerëzit shohin Amerikën dhe mendojnë se do të zgjasë përgjithnjë. Por s‘ma merr mendja. Do të ishte interesante të shihja se ç‘mund t‘i ndodhë Amerikës. Pse çfarë mund t‘i ndodhë? Tani për tani duket e pamundur, por unë them se çarja ka nisur diku, edhe pse ne nuk e parashikojmë dot hëpërhë... nuk e di, gjithsesi. Po të udhëtosh nëpër Amerikë, bie në sy uniformiteti i atij vendi. Por nuk është i njëtrajtshëm. Është shumë ndryshe. Them se do të ndodhë diçka që ta bëjë këtë të dukshme, konkrete, fizike. Besoni te njerëzit që drejtojnë, te njerëzit ndryshe? Çfarë është Obama për ju? Të gjithë u lehtësuan me zgjedhjen e tij, sepse në këto çaste duket si njeriu, i cili thotë dhe bën gjërat e duhura, por le të presim, mbetet për t‘u parë. Ju keni jetuar dhe kohën kur njerëzit rrinin ndaras. Veç burrat dhe veç gratë. Po tani, në çfarë kohësh jetojmë për burrat dhe gratë? Vazhdojnë të rrinë të ndarë. Ende mund të shihen shumë gra të ulura në vende të ndryshme nga burrat. Por më pak. Them se është gjë e mirë. Por nuk di nëse është gjë e mirë që grave të reja angleze u pëlqen të dehen dhe... Gjithsesi, kjo që po jetojmë, nuk mendoj se është një vizion i lumtur i jetës. Asnjëherë nuk e kam kuptuar ç‘është barazia midis një gruaje dhe një burri. Çfarë duhet të jetë? Nuk mendoj se janë të barabartë dhe as që duhet të pretendojnë të jenë të tillë. S‘janë të barabartë. Për sa kohë që fëmijët do vazhdojnë t‘i lindin gratë, s‘do të jetë kurrë njësoj për të dy palët. Por janë më mirë se ç‘kanë qenë. Njoh plot çifte të reja ku burrat ndihmojnë vërtet me fëmijët e gjithçka. Edhe pse sot, gjithnjë e më shumë njerëz rrinë të pamartuar. Kjo është interesante... Pse gratë mendojnë se do të jenë të lumtura kur të jenë të barabarta me burrat? S‘e di. Kanë thënë që do të jenë të lumtura po të ishin të barabarta me burrat? S‘ma merr mendja. Mendoj se të jesh i barabartë... duhet të shpenzosh shumë kohë që të arrish të përkufizosh ç‘është barazia. S‘është hiç e lehtë. Keni pasur dy martesa afër njëra-tjetrës dhe pastaj asgjë më, kurrë. Jeni kundër martesës? Nuk e pëlqenit ju atë, apo s‘ju pëlqente martesa juve? Nuk është se shkoja shumë mirë me martesën në fakt. Bëhet fjalë për shumë kohë më parë, 50 ose 60 vjet të shkuara dhe më ngjan se kam harruar se ç‘do të thotë në të vërtetë martesë. Por diferencën mes brezit tim dhe brezit tuaj e bëri lufta. Lufta është diçka shumë e fuqishme. Unë nuk mund të ulesha mënjanë dhe të thosha: "Ah, po, kjo është luftë". Nuk ishte diçka që mund ta përjashtoje prej vetes dhe ta hiqje lehtë nga mendja. Për të sjellë në jetë tre fëmijë, kush vendosi, ju apo lufta? Lufta... Sapo nisi lufta, ne bënim fëmijë, sepse njerëzit bëjnë më shumë fëmijë kur ka luftë. Në fillim të jetës, kur isha rreth 20 vjeçe, linda fëmijë, si gjithë të tjerat në atë kohë. Tani shoh gratë që përpiqen të kenë fëmijë dhe nuk munden. Në atë kohë ishte e pamundur të mos kishe fëmijë. Ka kaluar shumë kohë, por fëmijët e mi jo vetëm që janë të rritur tani, por kam edhe stërnipër. Është një skenë krejt ndryshe sot. E dinë ata kush është gjyshja e tyre? Janë krenarë? Kam dy mbesa. Njëra është arkitekte dhe ka fëmijë. Tjetra është avokate. Ka shkuar në Amerikë kohët e fundit, duke menduar se atje është më e lehtë se në Londër të gjesh një burrë siç duhet. Por s‘më duket e nevojshme. Konsultohen me juve nëse duan të dinë gjëra për botën e grave, martesën, fëmijët? Gjithnjë. Nuk do të thotë që bëjnë gjithnjë siç i këshilloj unë, por shpesh i diskutojmë gjërat. Kanë probleme si shumë gra të reja sot. Janë shumë të specializuara në profesionet e tyre, kanë kaluar kohë të vështira në jetët e tyre profesionale dhe është e vështirë të parashikosh se ç‘do të ndodhë me jetët e tyre personale. Njëra ka një djalë të vogël, gjë që s‘është e lehtë. Është shumë e vështirë t‘i shohësh e të kuptosh se çfarë duan në jetë, ato. Sepse kanë vërtet gjithçka, por nuk u mjafton. Kur njerëzit tuaj të dashur ju pyesin për gjëra, për shembull, për dashurinë. Çfarë u thoni? Ato që keni shkruar në libra, apo diçka tjetër? Pse duhet të jetë ndryshe jeta nga libri? Është shumë interesante. Kur mbesat flasin me mua për dashurinë, kuptoj që nuk po flasim për të njëjtën gjë. Besomëni! Ato mendojnë gjithnjë se kush do të kujdeset për fëmijët e tyre dhe se kur... Nuk është aspak çështje e lehtë tani të flasësh për dashurinë. Ju e kuptoni konceptin e tyre për dashurinë? Sigurisht. Ato duan të kenë gjithçka. Duan të kenë edhe fëmijë edhe liri dhe këto nuk bëhen dot kaq lehtë, bashkë. E tillë është arkitektja. Tjetra në Amerikë po ia kalon mirë, po bën qejf. Po për seksin a flisni me to? Po, flasim edhe për seksin. Unë jam pothuajse 90. Tani seksi për mua ka më pak rëndësi se më parë. Po për neurozën femërore, për të cilën keni shkruar. Kanë pyetje ato? Vitin e shkuar përjetova një përvojë shumë interesante. "The Guardian" kishte një rubrikë për librat dhe një nga librat e përzgjedhur ishte libri im "Blloku i artë". Isha ulur mes publikut të madh dhe po kuptoja që ata nuk dinin asgjë për atë që fshihej pas "Bllokut të Artë". Atëherë vendosa t‘u jap një mësim historie. Ajo që po përpiqesha t‘u shpjegoja, ishte se në atë kohë të gjithë kishin një ëndërr. Ëndërronim ardhjen e një bote të mrekullueshme. Por kjo ëndërr u zhduk. Kjo ëndërr nuk ekziston më. Unë mundohesha t‘i shpjegoja publikut që dikur, në moshën time.. Dhe nuk mundesha. Nuk ua shpjegoja dot që situata kishte ndryshuar aq shumë, sa ajo që u dukej thelbësore dikur, nuk ishte më e tillë sot. Por ama ia dola t‘u shpjegoja se nga besimi te gjërat, gjërat përmirësohen. Kjo është diçka që mungon sot, këtë s‘e kanë sot, nuk e kuptojnë dot. Kjo është arsyeja që u dhashë një mësim historie. Po lexoja librin "Një takim" të Milan Kunderës përpara kësaj interviste, i cili rrëfente harresën e vlerave të vjetra. Po ju, çfarë mendoni? Ka të drejtë. Njerëzit i kanë humbur tërësisht vlerat sot. Nuk u japin më rëndësi të njëjtave gjëra, vlerave të vjetra. Nuk e di çfarë ka quajtur ai "vlera të vjetra", por mendoj se është një lloj anarkie, e thënë në mënyrë të përgjithshme. S‘di nëse do të ishte njeri në një mendje me këtë. Gjërat kanë ndryshuar kaq shumë. Ju morët çmimin "Nobel". Kjo do të thotë që vlerat vlerësohen, se ka një çmim edhe për vlerat? Shpresoj. Por nuk e di sa vlera të mëdha kanë mbetur. Vërtet që s‘e di. Mendoni se e keni marrë vonë çmimin "Nobel", 45 vjet pas "Bllokut të Artë"? Sa keq që nuk ma dhanë më parë çmimin "Nobel", të paktën 10 vjet më parë, atëherë kur isha ende e aftë të shkoja në Stokholm. Do të kisha vallëzuar 10 vjet më parë, ndërsa kur atje festonin, unë rrija ulur te ky divan. Më telefonuan nga Stokholmi dhe më thanë "sa shumë dëshirë kishim të ishit këtu". Mbesat dhe stërnipërit e mi festuan dhe u kënaqën vërtet atje, duke pirë shampanjë e duke kërcyer. Ndërsa unë isha ulur në shtrat, me tim bir pranë. Ai më pyeti: "Çfarë po mendon"? Po mendoja që ishte për të ardhur keq që s‘e kisha marrë më parë "Nobelin", sepse do ta kisha shijuar. Ka qenë vërtet një kokëçarje... vërtet. Si shkruan dikush pas "Nobelit", pas asaj që është maja e majës së një çmimi letrar? S‘kam shkruar më që pas marrjes së çmimit. Fare. S‘mundem. Jam shumë e zënë duke gatuar për tim bir e duke u kujdesur për të, sa s‘mund të gjej kohë për të shkruar. Libri juaj i fundit është "Alfred dhe Emili". Pas tij asgjë... E kam thënë që ai është libri im i fundit. Çfarë kërkon të shkruarit, frymëzim, vullnet? Nëse jeni e mërzitur dhe dita është keq, nuk shkruani? "Alfredi dhe Emili" është libri im i fundit. Për atë libër ulesha treçerek ore sot, gjysmë ore nesër, një orë pasnesër. Kështu e ndaja javën. Dhe përpiqesha që ajo që po shkruaja të përputhej në atë hapësirë. Në fund, mendova që s‘ka gjë më të keqe se kjo lloj lodhjeje. Vendosa që nuk do të shkruaj më, dhe i qëndrova fjalës. Por ju keni shkruar më shumë se 50 libra. Nuk e mendonit kështu në atë kohë, besoj? Pikërisht. Nuk kam pse të ndiej keqardhje për veten, apo jo? Pse shkruanit? Për kë shkruanit? Shkruaja, sepse duhej të shkruaja. Jam një njeri që shkruan. Shkrimtarët thonë që është një mister... ndodh diçka që ata nuk duan ta tregojnë ose nuk dinë si ta tregojnë, kur shkruajnë. Ju mund ta tregoni tani se çfarë ndodh? Ç‘është ai misteri? Nuk e di. Nuk flas për mistere. Veprën tuaj e kanë klasifikuar në tri faza: Komunizmi, sufizmi dhe tema psikologjike. E kanë klasifikuar drejt? Jo, nuk do të thotë asgjë. Kritikët pëlqejnë t‘i kategorizojnë gjërat. Këtë pëlqejnë ata. Për sa më përket mua... dikur quhesha shkrimtare për komunizmin, sepse ashtu e nisa. S‘di pse e quajtën libër komunist librin tim "Bari këndon". Më pas shkrova për luftën sipas tyre, më pas shkrova për çështjen e grave, më pas shkrova për sufizmin, po sipas tyre. Janë të gjitha kaq pa kuptim. Janë marrëzi. Unë thjesht shkruaja për atë që më shkruhej. Ju tregoni histori apo jeni shkrimtare e angazhuar? Nuk kam qenë shkrimtare e angazhuar. Nuk më pëlqen angazhimi. Unë tregoj histori. Çfarë donin feministet nga ju, atëherë? Janë shumë kontradiktore. Në të vërtetë, nuk e di çfarë duan. Jam shumë e zemëruar me to, sepse për shkakun e tyre, shumë burra nuk i lexonin veprat e mia dhe thoshin që veprat e mia ishin... nejse, burrat i diskriminuan veprat e mia për shkak të feministeve. Pastaj kishte dhe burra që thoshin "sa keq që e lejojnë këtë të ndodhë", sepse në këtë mënyrë largoheshin nga veprat e mia. Janë treguar të padrejtë ndaj meje, në shumë mënyra. Feministet, flas për feministet e viteve ‘60, sepse feminizmi ka nisur shumë kohë më parë, më dukeshin shumë të këqija. Pasi morët "Nobelin", në intervistën e parë, këshilluat që njerëzit që s‘ju kishin lexuar deri më atëherë, ta nisin me "Fëmija i Pestë ". Ky libër ka ardhur në shqip nga "Skanderbeg Books ". Do të donit t‘i thoshit diçka lexuesit shqiptar për këtë libër? Është libër shumë interesant. Të gjithë librat e mi kanë dalë të vështirë, në mënyra që unë s‘i prisja. Doja të shkruaja versionin e një fabule tepër të vjetër, kur zanat vendosin një alien në djepin e njerëzve. Provo të vendosësh në botën e civilizuar dikë që është rritur në faqen e një kodre, në një shpellë atje, diku. Sigurisht, ai do ta shkatërrojë atë. "Fëmija i Pestë" tërheq për disa arsye mësuesit për ta dhënë mësim letërsie. E pëlqejnë shumë këtë libër. Pyeta një herë një vajzë, jo shumë larg që këtu, se pse e pëlqente aq shumë. Ajo tha: "Sepse unë jam Beni". E pyeta se ç‘donte të thoshte, sepse ishte vajzë e bukur dhe nuk gjeja asnjë lidhje me Benin e librit. Dhe papritur kuptova se lexuesit ndienin nevojën të identifikoheshin me dikë që u ngjante, duke pasur idenë e të qenit të fortë, të ashpër, të ndryshëm, të vetmuar. Kam marrë letra nga mësues nga e gjithë Evropa që thonë se ky libër tërheq, i bën nxënësit të mësojnë. Uroj gjithashtu që ta lexojnë e ta pëlqejnë në Shqipëri. Doja t‘ju pyesja për lexuesit shqiptarë. Çfarë dini ju për ne? Para shumë kohësh kam pasur të bëj me njerëz që kishin një pikëpamje shumë romantike rreth Shqipërisë, por që nuk e kanë më. Tani më erdhi mirë të dëgjoj prej jush që Shqipëria është një demokraci normale. Është e vërtetë apo jo? Po, është demokraci normale. Së shpejti do të bëhen zgjedhjet e do të votohet për një piktor ose një doktor. Uroj të shkojnë mirë dhe njerëzit të votojnë... Uroj që po. Të mos ketë probleme si herë të tjera. Keni kaluar kohë të vështira, apo jo? Po është e vërtetë. Do të doja t‘ju falënderoja për këtë intervistë. Ishte kënaqësi që folëm bashkë. Intervistoi: Rudina Xhunga, Top Channel
|