|
Ben Andoni (MAPO) Ka mjaftuar një prononcim i kryeministrit Berisha për librin, që strukturat e shtetit shqiptar të luajnë disi. Por sesa do jetë efektive kjo, do e tregojë koha. Libri nuk ka qenë shumë prezent në premtimet e shumta të kreut të ekzekutivit shqiptar dhe kjo ka bërë që edhe strukturat që merren me të- të vazhdojnë në apatinë e tyre. Ministria e Arsimit ka ndihmuar pak në shpërndarjen e librit në biblioteka, ashtu si Drejtoritë Arsimore kanë vijuar me paradokset e tyre. Kurse, politika e Ministrisë së Kulturës ka treguar se më shumë shkurajon sesa i inkurajon njerëzit e librit. Është krijuar një Këshill Libri që nuk ekziston realisht, ndërsa problemet duket se majisen për çdo vit. Legjislacioni i cunguar, sistemi fiskal mbytës ndaj librit, numri i pakët i bibliotekave publike dhe mosfinancimi i tyre, shpërndarja e paorganizuar dhe pengesat institucionale të qarkullimit të librit në Rajon, pirateria dhe botimet klandestinë, por edhe niveli jo i kënaqshëm profesional i një pjese të botuesve, janë vetëm disa prej problemeve që po vuan sot libri shqip, sipas Z.Toçi. E ardhmja: Askush nuk e parashikon dot, sepse ministrat e Kulturës dhe Arsimit, që kanë ndërruar njëri-tjetrin, e kanë vlerësuar njësoj librin Më në fund ka ardhur një prononcim i kryeministrit për Librin. A mendoni se kjo do të thotë një rishikim i politikës aktuale me librin? "Çdo vëmendje ndaj librit është mirëpritur nga komuniteti i njerëzve që merren me të, veçanërisht nga autorët e botuesit. Por kjo vëmendje ka qenë vazhdimisht e pakët në pothuaj dy dekadat e fundit dhe dënimi më i madh që i është bërë librit shqip gjatë kësaj periudhe, dhe rrjedhimisht dhe lexuesit dhe të lexuarit në Shqipëri, ka qenë indiferenca e pashpjegueshme e politikës dhe e administratës shtetërore, gjë që ka ndikuar në uljen e ndjeshme të leximit ndër shqiptarët dhe largimin e njerëzve ndaj librit. Edhe prononcimi i kryeministrit është mirëpritur, edhe pse i vonuar, më shumë se 3 vjet pas ardhjes në pushtet. Vështirë se mund të mendohet një rishikim i politikës aktuale me librin pa një rishikim të Ligjit për "Librin në RSH" dhe të "Ligjit për të Drejtat e autorit". Më skeptik e bën qëndrimin e komunitetit të njerëzve që merren me librin fakti që gjatë këtyre tre vjetëve u shtuan taksat ndaj librit me rivendosjen e TVSH-së, në sajë të vendimeve të qeverisë u vështirësua qarkullimi i lirë i librit në hapësirat shqiptare në Rajon dhe me komunitetet e emigrantëve shqiptarë, nuk u mbështet prezantimi i librit shqip në arenën ndërkombëtare dhe as në veprimtaritë më të njohura kombëtare (siç janë, p.sh., Panairi kombëtar i Tiranës dhe ato që zhvillohen në qytete të tjera të vendit), madje po në rrugë institucionale u bënë përpjekje për të penguar nismën e botuesve për organizimin e veprimtarive të tilla, nuk pati asnjë reagim institucional apo qeveritar ndaj thirrjes së dhjetëra intelektualëve të njohur për të lehtësuar barrën fiskale ndaj librit, etj". Jeni botuesi që keni peshën specifike më të madhe të botimeve. Si keni mundur ta ruani këtë peshë të Toen-ës në kohët e fundit, me këtë vështirësi ekonomike... "E vërteta është se puna botuese sot nuk është ndër bizneset e lakmuara. Jo vetëm te Toena, por shoh edhe te kolegët e mi që puna botuese ka pësuar një rënie të ndjeshme. Numri i titujve të rinj ka pësuar rënie, po ashtu edhe tirazhet, si pasojë e rënies së leximit. Ne mbijetojmë në një treg tërësisht informal të librit në Shqipëri,ku libri nuk mbrohet dhe lulëzon pirateria. Ne kemi mundur ta ruajmë ritmin e botimeve (rreth 160 tituj të rinj në vit) në sajë të kontakteve të vazhdueshme me lexuesin, tendencës për të zgjeruar rrjetin e librarive që mbajnë siglën e Toena-s, promocionin e veprave më të rëndësishme dhe, në mënyrë të veçantë organizimin e takimeve të shpeshta të shkrimtarëve shqiptare me lexuesin; gjë që një pjesë e madhe e botuesve e quajnë shpenzim të tepërt". Kush është filozofia e punës suaj dhe ku synoni në vitet e ardhshme... "Ne synojmë që me librat tona të jemi kudo që ka shqiptarë, të bëjmë kujdesin e duhur për letërsinë kombëtare dhe të botojmë autorët më të spikatur, të sjellim prurjet e reja nga letërsia botërore dhe të arrijmë që çdo ditë të japim për lexuesin një libër të ri". Ka një sërë problemesh për librin, shpërndarja, financimet, e drejta e autorit, bibliotekat, sponsorizimet... Kë veçoni ju prej tyre dhe kë quani më pengesë... "Vështirësitë dhe pengesat janë të shumta. Ato i kemi bërë vazhdimisht publike me të gjitha format dhe mjetet që kemi mundur, edhe pse përgjithësisht kanë rënë në vesh të shurdhër. Legjislacioni i cunguar, sistemi fiskal mbytës ndaj librit, numri i pakët i bibliotekave publike dhe mosfinancimi i tyre, shpërndarja e paorganizuar dhe pengesat institucionale të qarkullimit të librit në Rajon, pirateria dhe botimet klandestinë, por edhe niveli jo i kënaqshëm profesional i një pjese të botuesve, janë vetëm disa prej problemeve që po vuan sot libri shqip". Ka një Këshill Kombëtar të Librit. Sa ka funksionuar ai dhe çfarë i shërben ai librit shqiptar sot... "Në Këshillin Kombëtar të Librit jemi mbledhur vetëm 2 herë deri më sot. Hera e dytë ka qenë para pak ditësh kur na u kërkua që të diskutonim për ndryshimin e politikave ndaj librit, pas prononcimit të kryeministrit në lidhje me librin. Një funksionim normal i këtij këshilli, padyshim që do t'i shërbente librit shqiptar sot, edhe pse ai është një organ konsultativ dhe nuk e ka të drejtën e vendimmarrjes". Ku është më e precizuar sot politika e TOENA-s me librin... "Synimi ynë bazë është që të jemi sa më gjithëpërfshirës në llojshmërinë dhe tematikën e botimeve tona në mënyrë që të tërheqim sa më shumë lexues. E thënë ndryshe synojmë të botojmë çdo gjë. Por vëmendja më e madhe po i kushtohet botimit dhe promovimit të autorëve shqiptarë, të lënë pak si pas dorë kohët e fundit". Cilat janë kolonat më të pëlqyera nga publiku të TOENA, në sondazhet që keni bërë... "Puna me kolana ka filluar prej kohësh të aplikohet edhe nga kolegët e tjerë botues. Kjo tregon futjen në një fazë më të lartë zhvillimi të botimeve shqiptare dhe konsolidimin e disa prej botuesve më të njohur. Në kemi organizuar deri tani punën me disa kolana, por ato më të suksesshme na rezultojnë: kolana e letërsisë së traditës, poezia e zgjedhur shqipe, përrallat e zgjedhura nga bota, romani bashkëkohor, antologjitë e ndryshme etj". Sa mendoni që me anë të mekanizmave të Ministrisë së Arsimit, librat e mirë ose libra të shtëpive prestigjioze botuese shkojnë tek nxënësit... "Nisma e Ministrisë së Arsimit për të pasuruar bibliotekat e shkollave me fondet publike të kësaj ministrie na ka dhënë dy rezultate të kundërta: efekte pozitive se, më në fund, libri jashtëshkollor filloi të shkojë të nxënësit, gjë që ka munguar për më shumë se një dekadë; nga ana tjetër solli rrezikun e madh të manipulimit dhe të punës pa kritere në përzgjedhjen e titujve të librave, me preferenca ndaj botuesve të veçantë, pa respektuar të drejtat e autorit e duke lënë jashtë rekomandimeve pjesën më të madhe të veprave më të rëndësishme të botuara. E njëjtat gjë mund të thuhet edhe për listat që harton organizmi ndërkombëtar i UNICEF-it, edhe pse nuk operon me fondet publike, pasi edhe ky organizëm i referohet listave të komisioneve përkatëse në Ministrinë e Arsimit. Personalisht mendoj se ka ardhur koha që komisione të mos ekzistojnë më. Mua më duket absurde që në një kohë që është liberalizuar hartimi, shtypja dhe shpërndarja e teksteve shkollore, ato jashtëshkollore mbahen akoma të centralizuara". Ka një panair përpara, i cili pritet me shumë interes nga shqiptarët. Me çfarë do të përfaqësoheni ju... "Panairi i Librit i Tiranës është, padyshim, festa më e madhe e librit në botën shqiptare. Është bërë traditë që të gjithë botuesit pjesëmarrës të paraqesin aty për herë të parë veprat e tyre më të rëndësishme të vitit. Po kështu edhe ne, pasi panairi është edhe një ballafaqim i punës me kolegët botues, një lloj gare për më të mirën në fushën e botimeve, një kontakt masiv me lexuesit dhe një thirrje për vëmendje më të madhe për librin dhe zgjidhjen e problemeve të tij. Besoj se përfaqësimi ynë në këtë panair do të jetë surpriza e radhës për lexuesit e shumtë të librave tona, miqtë dhe dashamirësit e librit". A ka qenë më e afrueshme politika e shtetit nga panairi në Panair. Konkretisht çfarë ndihme keni si shtëpi botuese dhe si Shoqatë e Botuesve për të promovuar librin... "Në të vërtetë shteti e ka braktisur Panairin e librit në këto tre vitet e fundit, pa përmendur këtu sulmin e egër dhe të paskrupullt që i bënë institucionet e tij panairit të vitit 2006 që u organizua në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës. Edhe pse është e përcaktuar tekstualisht në "Ligjin për librin në RSH", Nr. 9616, datë 27.09.2006, mbështetja që shteti duhet të japë për panairet e librit nuk është shpjeguar kurrë dhe nuk kemi pasur asnjëherë përgjigje pse kjo indiferencë e shtetit ndaj veprimtarisë më të rëndësishme kombëtare me librin. Konkretisht në ligjin e cituar më lart ka dy nene ku përcaktohet konkretisht: Neni 9 (Kreu III): "...Këshilli Kombëtar i Librit ndihmon për organizimin e takimeve, të panaireve, ekspozitave, konkurseve dhe veprimtarive të tjera kombëtare e ndërkombëtare, me pjesëmarrjen e autoreve, përkthyesve, botuesve dhe librashitësve shqiptarë e të huaj...". Neni 15, pika 4 (Kreu V): Shteti nxit ndërgjegjësimin për librat dhe për shprehitë e leximit nëpërmjet: Organizimit të ekspozitave dhe panaireve të librit..." Le të shpresojmë një mbështetje institucionale për panairin e këtij viti që do të çelet me 14 nëntor, ku vetëm për qiranë e Pallatit të Kongreseve, ku do të mbahet panairi, shteti i kërkon haraç librit 7.000.000 lekë të reja. Theksojmë se kjo veprimtari nuk është fitimprurëse për organizatoren e saj, Shoqatën e Botuesve Shqiptarë dhe kjo, mesa duket, nuk po kuptohet sa duhet nga ata që administrojnë fondet publike për librin". Si e mendoni të ardhmen e librit shqip...dhe të Shtëpisë suaj botuese... "E ardhmja e librit shqip do të mbetet e brishtë dhe problematike për sa kohë nuk do të ketë politika të qarta dhe konkrete në mbështetje të letërsisë kombëtare dhe botimeve shqipe. Duhen mbajtur parasysh tirazhet e ulëta, fuqia e dobët blerëse e lexuesit shqiptar, mosnxitja dhe mostrajtimi i krijuesve, kuadri i mangët ligjor, tregu i deformuar i librit, pirateria e shfaqur legalisht si zotësi profesionale, mungesa e kritikës etj. Padyshim që edhe në veprimtarinë e shtëpisë botuese që unë kam krijuar dhe drejtoj prej vitesh ndikojnë fuqishëm problemet që u rreshtuan me lart. Megjithatë, të ardhmen e shtëpisë botuese e shikoj vetëm në rritje, si rrjedhojë e përvojës dhe pasionit me të cilët e kemi ngjizur dhe e ushqejmë çdo ditë, të paktën sa të jemi ne, themeluesit e saj".
|