11 Maj, 2016

Gazeta letrare çeke “Cultura.cz» boton analizën e kritikut Filip Šimeèek, profesor i letërsisë së huaj pranë Universitetit të Pragës, për librin me tregime të shkrimtarit Ylljet Aliçka. Në Çeki, shtypi i profilizuar dhe ai masiv vijon t’u kushtojë hapësirë komenteve dhe analizave të librit të autorit shqiptar Ylljet Aliçka “Kur Hrushovi kaloi pranë fshatit tonë”, përkthyer nga Premysl Vins.

NGA Filip Šimeèek

Kur lexon frazën e parë të secilit tregim nga vëllimi “Kur Hrushovi kaloi pranë fshatit tonë” të shkrimtarit shqiptar Y. Aliçka, ndien menjëherë ndikimin e traditës së letërsisë anglo-amerikane. Ashtu si dhe te Heminguej, më shumë se ana emocionale, në tregimet e Aliçkës mbizotërojnë dialogu, befasia dhe racionalja.

Shkruar thuajse si një ditar nga jeta e tij, te tregimet e Aliçkës mungon pika e fortë e psikologjisë së personazheve, të cilën ai e zëvendëson me absurdin e situatave. Pikërisht ky tipar e bën letërsinë e tij origjinale dhe tejet të thjeshtë e njerëzore. Në vend të zbukurimeve letrare të historive rozë, ai mbledh thërrime nga koha e stalinizmit shqiptar, që po t’i bësh tok na japin mozaikun e një epoke të caktuar. Mungesa në dukje e koherencës mes tyre është thjesht imagjinare. Në krijimet e Aliçkës kombinohen një larmi temash tepër të fuqishme: një nënë, tek e cila dashuria për fëmijën kapërcen dashurinë për Partinë dhe shokun Enver; diku tjetër, pafajësia e jetës rutinë të një çifti pleqsh përballet me ideologjizimin e tejskajshëm; më pas, shfaqet pasioni i një mësuesi të painformuar me situatën politike ndërkombëtare, për parullën “Vietnami do fitojë”, ndërkohë që lufta në Vietnam kishte mbaruar prej 15 vjetësh.

Autori shfrytëzon mjaft mirë kontrastin mes emocioneve të natyrshme njerëzore, nga njëra anë, dhe brutalitetit të njeriut të ashpër të regjimit, nga ana tjetër (në tregimet “Mbjellja e pemëve”, “Nëna”).

Për pyetjen se deri në ç’masë individi shqiptar është përgjegjës për poshtërimin e vet, autori e përjashton veten nga përgjigjja, atë ia lë në dorë lexuesit.

Artistikisht, ndër tregimet e spikatura pa dyshim është “Parullat në gurë”, që u shndërrua në shembull jo vetëm për lexuesit, por edhe për spektatorët e një filmi të suksesshëm.

Titulli: Një rrëfenjë me ndërkombëtarë Origjinali: Një rrëfenjë me ndërkombëtarë Gjinia: Roman Autori: Ylljet Aliçka Shtëpia botuese: Omsca – 1 Viti: 2006 Fq. 180 Pesha: 0.22 kg ISBN: 978-99927-52-94-7
Titulli: Një rrëfenjë me ndërkombëtarë
Origjinali: Një rrëfenjë me ndërkombëtarë
Gjinia: Roman
Autori: Ylljet Aliçka
Shtëpia botuese: Omsca – 1
Viti: 2006
Fq. 180
Pesha: 0.22 kg
ISBN: 978-99927-52-94-7

Tregimi përshkruan realitetin kafkian të një shkolle të humbur fshati, mësuesit dhe nxënësit e së cilës kalojnë një pjesë të mirë të kohës duke ndërtuar parulla politike pro-regjimit, ndërkohë që përmbajtja e tyre ndryshon herë pas here sipas vendimeve partiake. Nëse pranojmë se historia mbështetet mbi ngjarje të vërteta, mund edhe të mendojmë për një skematizëm letrar: një fshat ku qëllimi i vetëm i jetës së banorëve të saj është kujdesi për parullat politike, sepse autori nuk jep shumë hollësi mbi aspekte të tjera nga jeta e tyre: a kanë familje këta njerëz, a shkojnë ndonjëherë në kinema a teatër?

Absurdi përshkon tërësinë e tregimeve si një fill i kuq. Në tregimin “Kina nuk është vend revizionist”, gabimi pa dashje i një nxënësi merret si veprimtari subversive; ndërsa te tregimi “Kur Hrushovi kaloi pranë fshatit tonë”, pra, të një fshati plot me të internuar politikë, autori nuk merret fare me Hrushovin në vetvete, por me sistemimin e të persekutuarve të atij fshati nëpër koçekët (hangarët) e misrit, derisa të kalonte karvani i udhëheqësit sovjetik.

Titulli: Komunikimi dhe kultura, imazhi në veprim Origjinali: Komunikimi dhe kultura, imazhi në veprim Gjinia: Shkenca sociale Autori: Ylljet Aliçka Shtëpia botuese: UET Press Viti: 2015 Fq. 196 Pesha: 0.211 kg. ISBN: 978-9928-39-190-35-2
Titulli: Komunikimi dhe kultura, imazhi në veprim
Origjinali: Komunikimi dhe kultura, imazhi në veprim
Gjinia: Shkenca sociale
Autori: Ylljet Aliçka
Shtëpia botuese: UET Press
Viti: 2015
Fq. 196
Pesha: 0.211 kg.
ISBN: 978-9928-39-190-35-2

Koha e regjimit të Hoxhës jepet ironikisht në periudhën pas vdekjes së tij, ku autori vëzhgon reagimet e bashkëpatriotëve të tij me rastin e vdekjes së udhëheqësit.

Teksa periudhën postkomuniste autori e jep përmes një tregimi mbi ngjarjet e vitit ‘97, ngjarje këto që, për hir të së vërtetës, bota i njeh shumë pak. Por dhe këtu, në dallim me pritshmëritë e lexuesit, Aliçka nuk merret me shkaqet e asaj situate konfliktuale, as me rrugët politike të zgjidhjes së asaj krize. Përsëri ai e shtjellon historinë nga këndvështrimi i njerëzve të thjeshtë. Rezultati: një tregim tragjikomik për njerëzit që nuk merrnin dot rrogat, të cilat banka, për t’iu shmangur hajdutëve dhe keqbërësve të shumtë në atë kohë, vendosi t’i transportonte fshehur në arkivole dhe makina funerali.

Së fundi, mund të them pa hezitim se kujtdo që mund të jetë sadopak i interesuar për ta njohur të zakonshmen e atij vendi interesant nga një këndvështrim i pazakontë, do t’i rekomandoja së pari leximin e kësaj përmbledhjeje prozash të shkurtra”.

Marrë nga Gazeta Shqiptare/Balkanweb

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>