nga Admin

2 Shkurt, 2016

Kristo Frasheri

Akademiku i njohur, pinjoll i familjes së madhe të Frashërllinjve, ndahet nga jeta në moshën 96-vjeçare

Kristo FrasheriËshtë ndarë nga jeta në moshën 96-vjeçare akademiku Kristo Frashëri. Sipas njoftimit të shpërndarë nga Akademia e Shkencave, profesori është shuar nga shkaqe natyrore mbrëmjen e së dielës. Ceremonitë në nderim të tij do të mbahen nesër, nga ora 12:00 deri në orën 13:00, në Akademinë e Shkencave.

Kristo Frashëri, pinjoll i familjes së madhe të Frashërllinjve, ka qenë një ndër figurat më të njohura, duke e filluar veprimtarinë e tij shkencore që prej vitit 1938. Ai ka një numër të madh botimesh studimore, historike, dokumentare dhe shkencore, ku janë trajtuar periudha të ndryshme, figura dhe elemente të tjera përmes të cilave ka kaluar Shqipëria dhe shqiptarët.

Është e vështirë të bësh sot një përmbledhje të të gjitha veprave të akademikut Frashëri, sepse hapësira e tyre është mjaft e gjerë, ashtu si periudhat historike të trajtuara prej tij. Një nga shqetësimet më të mëdha të tij e që haset në të gjitha botimet, është dëshira e fortë për të sjellë në vend të gjitha deformimet që i janë bërë historiografisë shqiptare ndër shekuj.

Mbeten të rralla veprat e tij për Skënderbeun, Perandorinë e Arbrit, pavarësinë, rilindjen, kufijtë e cunguar të Shqipërisë në vitin 1913, por edhe për Çamërinë, Epirin, Kosovën, Himarën, shqiptarët e Maqedonisë e deri për kryeqytetin, Tiranën.

Kristo Frashëri mbante titullin “Nderi i Kombit” dhënë nga presidenti i atëhershëm Bamir Topi. Shqipëria humbi padyshim historianin më të madh të 100 viteve të fundit, që megjithatë do të lërë pas veprat e tij si një mënyrë për të mbetur gjithmonë mes njerëzve që duan të shohin e kuptojnë historinë dhe të vërtetat e saj.

Akademiku Frashëri e përjetoi historinë e shkruar në librat që nisin që nga etnogjeneza ilire deri në historinë e ditëve të sotme. Pinjoll i një familjeje të njohur patriotike dhe intelektuale të Frashërllinjve, ai u shqua si patriot dhe antifashist në vitet e okupacionit italian dhe gjerman, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Frashëri shkroi dhe krijoi për gati pesë dekada në diktaturën komuniste. Dhe më pas mendimet e tij të guximshme kanë luajtur një rol të rëndësishëm dhe kanë thithur vëmendjen mediatike e institucionale në rrugën drejt demokracisë.

Kristo Frashëri ka marrë pjesë aktive në Grupin e të Rinjve, e më pas edhe anëtar i Partisë Komuniste, si ilegal, dhe në maj të vitit 1943 u rreshtua në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Në vitin 1951, ai u përfshi në grupin e historianëve që ka hartuar Historinë e Shqipërisë. Kristo Frashëri nuk hoqi kurrë dorë nga veprimtaria shkencore në fushën e historiografisë deri në ditët e fundit të jetës.

Akademiku i njohur vazhdimisht ka ndriçuar problemet thelbësore të historisë së Shqipërisë. “Një historian i një brumi të veçantë që ka jetuar dhe punuar në klimën e katër regjimeve politike, thellësisht të ndryshme midis tyre, që ka pasur Shqipëria”, shprehet për të kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Myzafer Korkuti. Frashëri numëron rreth 75 vite të krijimtarisë dhe karrierës studimore e letrare. E nisi me shkrimet letrare të viteve ’30, ndërsa kishte filluar studimet në literaturë filozofike, sociale, politike, histori antike dhe moderne.

Jeta

Kristo Frashëri lindi më 17 dhjetor 1920 në Stamboll, në Turqi. Ishte djali i parë i patriotit dhe rilindësit Anastas Frashëri dhe rrjedh kështu prej njërës nga dinastitë e familjeve të Frashërit. I pagëzuar në kishën e Shën Triadhës së Fanarit në Stamboll, pati si kumbarë Dhimitër Nolin, vëllain e peshkopit Fan Noli. Profesor Kristo Frashëri ka një prodhimtari shkencore që mbulon një periudhë 70-vjeçare. Që nga viti 1938, kur ka botuar shkrimin e tij modest mbi Jeronim de Radën, ka botuar me dhjetëra e dhjetëra artikuj studimorë, referate historike, vëllime dokumentare dhe monografi shkencore, që trajtojnë pa përjashtim ngjarje, personalitete dhe procese të historisë së Shqipërisë. Ka trajtuar temat nga historia politike, zhvillimi ekonomik, probleme shoqërore, mendimi filozofik dhe lëvizja kulturore shqiptare. Ndër to janë sprovat për të ndriçuar mjegullnajën shqiptare gjatë mesjetës së hershme, rendin feudal mesjetar në viset shqiptare, formacionet shtetërore mesjetare, shqiptarët në betejën e Kosovës (1389), figurën e errët të Musa Arvanitasit, tiparet e regjimit feudal turk në Shqipëri, jetën kulturore shqiptare gjatë shekujve të sundimit osman, Rilindjen Kombëtare Shqiptare, luftën çlirimtare të Vlorës, zhvillimin e ekonomisë së tregut gjatë shekujve XIX-XX, jetën dhe veprimtarinë e Pjetër Bogdanit dhe Sami Frashërit.

Ngushëllimet

Meta: Mirënjohje pa fund

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, në mesazhin e ngushëllimit e konsideron akademikun Kristo Frashëri një rilindës modern dhe bashkëkohës i mendimit. Meta, në mesazhin e ngushëllimit, shprehet: “Me hidhërim të thellë mësova ndarjen nga jeta të Kristo Frashërit, profesorit dhe mësuesit, historianit të madh dhe njeriut modest që ka bërë histori. Mësova se u ndërpre një jetë që ishte gati të kapërcente pragun e 100 viteve të stuhishme; një jetë që, edhe shekullit të trazuar që kemi lënë pas, edhe këtij shekulli që jetojmë, i dha deri në fund punë dhe aktivitet të vyer, i dha portretin e një rilindësi modern dhe bashkëkohës. Pinjoll i mençur me një mbiemër të merituar që i ka dhënë aq shumë vendit, intelektual i klasit të parë dhe akademik i të njëjtit klas, profesor Frashëri është pjesëtar i një brezi të jashtëzakonshëm shqiptarësh të rrallë e të mëdhenj”, shprehet kryeparlamentari. Më tej, Meta thekson se “luftëtari me armë në dorë i Luftës së Dytë Botërore, që diti të zgjedhë frontin e duhur për lirinë e vendit, shkencëtari dhe humanisti i shquar, profesor Frashëri ka lënë një trashëgimi të shkëlqyer me peshën e fjalës së tij të jashtëzakonshme. Vepra e tij për historinë e Shqipërisë ka një vend të merituar dhe ai bën pjesë në gjithë atë plejadë njerëzish të veçantë që kanë shkruar për çfarë kemi lënë pas si popull e si komb.

Duke nisur me Gjergj Kastriotin e duke përfunduar me debate politike e historike të ditës, profesor Frashëri, ky rilindës modern i mendimit, ka dhënë fjalën dhe mendimin e tij të rëndë. Duke shkruar për historinë e vjetër dhe të re të Shqipërisë, profesor Frashëri ka bërë të mundur që ne shqiptarët ta njohim më mirë vetveten, njëri-tjetrin, por dhe vendin që zëmë në raport me popuj të tjerë. Duke na bërë të njohur çfarë kemi qenë, ka ndihmuar të kuptojmë se çfarë do të bëhemi. Mirënjohje pa fund për profesor Kristo Frashërin. Njerëzve të tillë të rrallë është pothuaj e pamundur t’u thuash ashtu siç e meritojnë, t’u thuash shqip e thjesht: faleminderit për gjithçka!”.

Idrizi: Ishte memorie e gjallë

Kryetari i Partisë Drejtësi për Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, e cilëson Kristo Frashërin si një memorie të gjallë dhe të shkruar të kombit. “Ndërroi jetë një njeri i madh i memories historike të Shqipërisë … Prof. Kristo Frashëri ishte memoria e gjallë dhe e shkruar e kombit tonë. Lamtumirë profesor! Kishim shumë nevojë për Ju! Si një popull që shpesh na zë amnezia. Ju na kujtonit gjithmonë postulatin që historia përsëritet, e s’duhet të harrojmë të shkuarën për të ndërtuar të ardhmen … Një nga veprat e fundit që kisha privilegjin dhe nderin të botonit para disa muajsh ishte ‘Historia e Çamërisë’. U prefsh në paqe! Zoti të mëshiroftë! Ne të jemi mirënjohës profesor!”, shkruan nënkryetari i Kuvendit.

Veliaj: Prehu në paqe!

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Kristo Frashërit, historiani dhe akademiku i njohur, të cilit pak kohë më parë i dorëzoi titullin “Qytetar Nderi”. “Kristo Frashëri na kujtoi se s’kemi ardhur nga hiçi dhe se historinë duhet ta bëjmë me punë çdo ditë! Prehje në paqe!”, shkruan Veliaj në rrjetin social “Twitter”.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>