nga Admin

30 Mars, 2012

Abetare shqip (foto ilustruese)

Autore: Nonda Bulka, 1935

Abetare shqip (foto ilustruese)

Dikur isha në Ersekë. Vajta për një vizitë dhe bora më bllokoi. Ndenja atje tetë ditë. Është e vërtetë se atje gjeta ca shokë me të cilët çoku e bënim nga një «të vogël»; por megjithatë u mërzita. Isha së bashku me një «kadi» (gjykatës, beqar, miku im)[1]. Kadiu fliste për kodin civil. E kishte marrë me vete ungjillin (k.c) dhe kështu, kur iu sosën paratë në poker, kishte ç’bënte: këndonte hollsisht mënyrën se si duhen martuar beqarët. Po unë ç’të bëja? Vendosa të vete në librarinë e madhe të Ersekës, të bleja një libër dhe të shkoja kohën. U futa.

-Keni libra, zotni?

-Si urdhëron, zotni! – m’u përgjigj seriozisht librari.

Dhe më tregoi raftin.

-Nxirrmë një ta shoh!

Dhe ai më nxori me shpejtësi «Abetaren». Unë e vështrova në sy; m’u duk sikur tallej. Por jo, librari e kishte me gjithë mend, nuk tallej.

-Merre, zotni, se është e mirë! Të gjithë e këndojnë dhe është libri që shitet më shumë.

-E kam lexuar! – ia preva me inat librarit!, – ke tjetër?

-Jo, tha librari, s’kam  tjetër.

Dhe më vështroi në sy me habi. Ndoshta u habit që pa një njeri, i cili kishte kënduar

«Abetaren». E ku ta dish! Kur ua tregova shokëve këtë histori autentike, s’besonin. Akoma edhe sot s’kam marrë vesh, nëse librari i Ersekës foli seriozisht apo deshi të bënte «humor», duke më konfonduar me ata qindra pseudointelektualë, të cilët kanë nevojë seriozisht për «Abetaren shqipe».



[1] Është fjala për Alqiviadh Lamanin, kushëri i N. Bulkës. Kishin shkuar në Ersekë në dimrin e vitit 1935 për një rast vdekjeje në rrethin familjar.

Shënim: falenderojmë z.Emil Lafe për tekstin. Shkrimi vjen i frymëzuar nga shkrimi i ripublikuar rishtazi në faqen tonë mbi librashitësit në kryeqytet, nga Mark Marku

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>