nga Admin

29 Janar, 2016

Letërsia – Kërkuesit nga Instituti Polak i Fizikës Bërthamore zbuluan forma të përsëritjes matematikore në fjalitë e romaneve më të famshme të letërsisë botërore. Librat e përroit të ndërgjegjes i afroheshin më shumë ideales

“Zgjimi i Fineganëve” nga James Joyce është përshkruar si shumë gjëra, nga një kryevepër te një libër i pakuptimtë dhe i palexueshëm. Por është gjithashtu, sipas shkencëtarëve, nga Instituti i Fizikës Bërthamore në Poloni, thuajse njëlloj në strukturë me një multifraktal matematikor.

Akademikët analizuan në mënyrë të detajuar statistike 100 vepra botërore të letërsisë nga autorë si Charles Dickens, Dumas, Mann, Eco dhe Beckett. Duke parë gjatësinë e fjalive dhe mënyrën se si ato varionin, ata zbuluan që një shumicë dërrmuese e teksteve të marra në studim përbëheshin nga një korrelacion në variacionet e gjatësisë së fjalive të udhëzuara nga dinamikat e një kaskave. Kjo do të thotë se konstrukti i tyre është një fraktal: një objekt matematikor në të cilin çdo fragment kur zgjerohet ka një strukturë që i ngjan së tërës.

Fraktalët përdoren në shkencë për të modeluar strukturat që përmbajnë forma të përsëritjes, përfshirë flokët e dëborës dhe galaksitë.

“Të gjitha punët e ekzaminuara tregojnë vetëngjashmëri në kuptimin e organizimit të gjatësisë së fjalive. Disa ishin më shprehëse – këtu doli në veçanti “Ambasadorët” e Henry James – ndërsa të tjerët ishin më pak të kuptimta si romanca franceze e shekullit 17 “Artamene ou le Grand Cyrus”.

Megjithatë, korrelacionet ishin evidente dhe kështu këto tekste ishin konstruksion i një fraktali, tha doktor Pawel Oswiecmika nga Instituti i Fizikës Bërthamore të Akademisë Polake të Shkencës, një nga autorët e studimit të ri të korrelacioneve në tekstet rrëfimtare.

Disa vepra, megjithatë, ishin më komplekse nga ana matematikore se të tjerat, ku rrëfimet e përroit të ndërgjegjes ishin më komplekset krahasuar me të tjerët. “Zgjimi i Fineganëve”, zbuluan shkencëtarët, ishte më kompleksi nga të gjithë.

“Rekordin absolut në kuptimin e formave matematikore të përsëritjes e mban “Zgjimi i Fineganëve” nga James Joyce. Rezultati i analizave tona ndaj këtij teksti janë virtualisht të padallueshmet nga multifraktalet matematikore ideale”, – tha profesor Stanislaw Drozdz, një tjetër autor i studimit të publikuar në revistën e shkencave kompjuterike “Shkencat e Informacionit”

Vetëm Joyce, që mendohet të ketë thënë se ai e shkroi “Zgjimin e Fineganëve” – “për të mbajtur kritikët të zënë për 300 vjet”, – mund ta ketë parashikuar këtë. Në një letër rreth romanit, “Punë në Progres” siç e njihte ai atëherë, Joyce i shkruan Harriet Weaver: “Jam vërtet një nga inxhinierët më të mëdhenj, nëse jo më i madhi, në botën përveçse një muzikant, filozof dhe shumë gjërave të tjera. Të gjithë inxhinierët që njoh e kanë gabim. Kaq thjeshtë. Po bëj një histori që nuk duhet të mendosh se vërtitet vetëm rreth një miu dhe një rrushi”.

Akademikët shkruan në revistën e tyre se: “Studimi i tipareve të ndryshueshmërisë së gjatësisë së fjalisë në tekstet e mëdha të letërsisë botërore tregon një libër që të tërheq dhe ka estetikë krijohet nga alternimet e gjatësive të ndryshme të fjalive”.

“Një shumicë dërrmuese e teksteve të studiuara thjesht zbaton të tilla mësime fraktale, por veçanërisht për t’u vlerësuar në këtë aspekt janë novelat e përroit të ndërgjegjes. Ata duket se zhvillojnë një tipar të strukturave të përsëritura”.

Punë të tjera që kanë ngjashmëri me strukturat matematikore janë të shkrimtarëve si Dave Eggers, Julio Cortazar, John Dos Passos, Virginia Woolf, Roberto Bolano dhe Joyce.

Akademikët theksojnë se “fraktiliteti i një teksti letrar në praktikë nuk do të jetë kurrë aq perfekt sa në botën e matematikës, sepse fraktali matematik mund të shumëfishohet në infinit, ndërsa numri i fjalive në një libër është i fundmë.

“Nuk është ende plotësisht e sigurt nëse shkrimi i përroit të ndërgjegjes në fakt zbulon cilësi më të thella të vetëdijes sonë apo imagjinatën e shkrimtarëve”, – tha Drozdz, duke sugjeruar që puna e shkencëtarëve mund të ndihmojë një ditë në vlerësimin më objektiv të librave në një zhanër ose në një tjetër.

Drozdz thotë sot se zbulimet mund të përdoren gjithashtu për të shtyrë shkrimtarët të eksplorojnë më tej natyrën dhe rregullin sipas të cilave funksionojnë gjërat. “Ashtu si Joyce kishte një lloj intuite, siç u ndodh të gjithë artistëve të mëdhenj, një mënyrë e tillë rrëfimi reflekton më së miri si punon natyra dhe më pas e kanë koduar në tekstet e tyre”, tha ai.

Eimear McBride, veprat e së cilës kanë marrë shumë çmime ndërkombëtare, thotë se ajo nuk habitet nga zbulimi. Sipas saj, për nga natyra shkrimi që vjen nga rryma e përroit të ndërgjegjes kombinon përmbajtjen, kuptimin, estetikën dhe gjithashtu e përdor gjuhën si një objekt në vetvete për të riformuar rregullat e shkrimtarit në një kontekst.

Megjithatë, shkrimtarja u shpreh paksa e zhgënjyer që i gjithë synimi i studimit ishte përcaktimi më i saktë i zhanrit ndërkohë që ai mund të ndihmonte në përsosjen e mënyrës së rrëfimit të historive.

*Burimi: The Guardian (Gazeta SHQIP)

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>