nga Admin

26 Nëntor, 2015

Romani më i ri i shkrimtarit Agron Tufa “Gurit të varrit ia rrëfej” 

Agron-Tufa“Çfarë do të ndodhte vallë nëse ti nuk e respektoje mosdashjen time, nëse ti do të më puthje me përdhunë? Nëse ti, Arsenio, më puthje pa më pyetur, m’i shqyeje rrobat me një lëvizje të vrazhdë, burrërore dhe bëje atë që kanë bërë shumë meshkuj të fortë me mua, pa më pyetur, duke u ngulur fort e dhunshëm në thellësinë time të butë? Ndoshta atëherë ti do të më zbuloje dhe, ndoshta do të ma zbuloje dhe mua vetë veten time…” Shkrimtari Agron Tufa prek kësisoj temën tabu të fatit të femrave të bukura në diktaturë, por dhe femrave të familjeve të persekutuara, të cilat kanë qenë pre e dhunimit, përdhunimit që zbret deri në nënvetëdijen e personalitetit. Romani titullohet “Gurit të varrit ia rrëfej” dhe vjen nga shtëpia botuese “Onufri”. Një temë që u ngrit ditët e fundit edhe në një debat publik që përfshiu shumë personalitete të kulturës. Pavarësisht se personazhet e librit të Agron Tufës gjallojnë si të vërtetë, vetë autori paralajmëron se: “Ngjarjet, personazhet dhe situatat e pasqyruara në këtë libër janë të trilluara. Çfarëdo ngjashmërie apo përafrimi me ngjarje reale, situata apo persona, gjallë a vdekur qofshin, është krejtësisht i rastësishëm (pa i rënë ndesh së vërtetës). I ftuar sot (dje) në emisionin “Wake Up” në “Top Channel”, shkrimtari për herë të parë rrëfen të vërtetat e librit të tij. Flet për ndjesitë personale që frymëzuan këtë libër teksa dëgjonte historitë e qindra femrave të dhunuara që po dokumentohen dhe arkivohen nga Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit.

“Gurit të varrit ia rrëfej” është fati i femrave të bukura që në kohën e diktaturës kanë vuajtur ndonjëherë edhe me koston, sepse kanë qenë të hijshme. Tingëllon paradoksale sot kjo, por ka qenë pjesë e realitetit tonë…

gurit-te-varrit-ia-rrefej-agron-tufaËshtë pikërisht ky realitet i bazuar dhe jo i fantazuar që bazohet në disa dhjetëra qindra biseda të regjistruara në Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Rrëfimet e femrave që kanë kaluar këtë kalvar janë të papërballueshme psiqikisht. Ato të bëjnë të ngrish gur; si është e mundur të kenë ndodhur këto. Por nga njëri rrëfim në tjetrin, sheh se kanë një universale të përbashkët të gjitha këto histori reale. Kupton se ka qenë si një procedurë, edhe kolegët e mi që merren me këtë sferë kanë zbuluar të njëjtën gjë. Këtyre femrave u është rezervuar një fat i trishtë, një fat i zi me qëllim që ato të thyhen. Nuk po flas vetëm për atë pjesë të tyre që quheshin si klasa të përmbysura, të deklasuarat që i takonte fati të lindnin të bukura, etj., të cilat se s’bën do të implikoheshin ose do t’u krijonin një diagramë të posaçme për t’i nënshtruar, por edhe për femra të tjera që shkëlqenin me një hijeshi dhe dhunti që u kishte dhënë natyra.

Shprehja “Gurit të varrit ia rrëfej” si ndjesi emocionale del nga dikush që ka kaluar një kalvar të madh vuajtjesh në jetën e vet…

Po janë pikërisht kjo kategori femrash. Aty është një personazh që e ilustron këtë shprehje, është protagonistja e romanit që ilustron pikërisht këtë brengë të pashlyeshme që edhe dheu nuk e merr me vete. Ato nuk ia thonë dot as familjes, as vëllait, as të dashurit, as burrit, asnjë të afërmi, as psikanalistit, as institucionit qoftë ai dhe fetar. Pra ato vazhdojnë të jetojnë me tmerre të parrëfyera brenda vetes. Edhe instrumentet e kësaj shoqërie janë të painteresuara dhe të paafta që kjo narrativë të derdhet aty ku duhet në mënyrë që të ndodhë ai shkarkimi i madh. Në fund të fundit, romani edhe me vetë fjalën “rrëfej” në trup të titullit zgjidh dy probleme; edhe rrëfimin e një pengu të paçliruar por edhe rrëfimin si letërsi artistike, sepse unë mendoj që letërsia artistike sot po i ikën në mënyrë skandaloze rrëfimit, thjesht edhe nga paaftësia për ta bërë këtë.

-Libri ishte në Panair, sepse nuk u fol për të?

-S’ka gjë u fol për kolegët tanë si Blushi e kompani. Libri ka fatin e vet.

-Është edhe pak faji juaj më lejoni t’jua them…

-Jo nuk është faji im. Unë si detyrën time përballë shoqërisë kam vetëm një; të shkruaj mirë…

– Ka një editor që t’i jepte jehonë më shumë se kaq librit?

-Po përfundimisht unë jam kthyer në shtëpinë time natyrale, atje ku unë e nisa me librin tim të parë (Onufri). Është një botues që për mua nuk është thjesht botues, por me të mund të flitet për letërsinë për çështje nga më të ndryshme të kulturës, ka një kokë të kthjellët. Për herë të parë jam ndier shkrimtar në këtë vend duke parë një botim kaq cilësor.

-Ju thoni se ky është një trill artistik, pra historia që ju keni rrëfyer në libër është thjesht trill dhe çdokush që mund ta gjejë veten duhet ta dijë që nuk është ai personazhi, nuk është ajo historia e tij. Por teksa e lexon prologun, të bën të besosh se ju e keni gjetur atë ditar, e keni shfletuar dhe se në këtë libër ka një histori të vërtetë…

Historia është e vërtetë dhe gjithkush mund të pretendojë se kjo është historia ime…Shpesh ne mendojmë se imagjinojmë një ngjarje. Vladimir Nabukov thotë se: Jeta është shpeshherë shumë më e papritur sesa imagjinata jonë artistike. Dhe unë them se në fakt kanë ndodhur shumë e shumë herë gjëra më të tmerrshme sesa është rrëfyer në libër. Por unë besoj se truku artistik për të shmangur narratorin që tregon dhe për të lënë personazhin që tregon është bërë pikërisht në këtë mënyrë sikur narratori e ka gjetur atë dorëshkrim.

-Megjithatë ka dy linja rrëfimi në roman të dy femrave që kanë të njëjtin fat. Ka qenë një zgjedhje për ta bërë sa më fiction. Narrativa me disa linja që gjithmonë në fund lidhen, funksionon së fundmi edhe në letërsi, ashtu si në film duket sikur është modë të shkruash në këtë lloj forme?

-Unë dhe romanin para këtij që titullohet “Mërkuna e zezë” e kam në këtë formë. Është ndikimi i gjuhës filmike, teatrit madje dhe pikturës. Kjo nuk është një gjë e re. Romani i madh amerikan modernist, duke filluar me John Dos Passos, e ka marrë montazhizmin si princip. Madje autori shkoi në Rusi për të studiuar punën e regjisorëve Dziga Vjertov dhe Sergei Eisenstein dhe për ta bërë princip për herë të parë e për ta shpërngulur nga kinemaja në letërsinë artistike.

-A do të kishit dashur ta shihnit film këtë libër?

-Do të kisha dashur, por nëse do ta respektoj vërtet romanin, do të bëj një film për nervafortët, gati e papërballueshme psiqikisht.

-Ka një narracion kronik për çështjen e historive të pashlyera të komunizmit që me sa duket të gjitha dhe të gjithë do t’ia tregojnë gurit të varrit. Edhe sot media ka publikuar një qëndrim të Ismail Kadaresë për çështjen e dosjeve. A keni ju një qëndrim rreth kësaj?

-Me qëndrimin e Ismail Kadaresë jemi njohur edhe më herët dhe unë besoj se mendoj njëlloj për këtë çështje. Do të thoja se në fund të fundit, shumë gjëra që ne na vijnë si rastësisht, burimin e kanë tek ato llagëme dhe bodrume të shoqërisë dhe historisë sonë që nuk janë ndriçuar ndonjëherë dhe nuk lejohet të hyjë një rreze drite dhe kjo jo pa qëllim, por e qëllimshme. Unë tani meqë punoj dhe merrem me këto çështje (në Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit) shoh se në të gjitha pozicionet kyçe, në qoftë se ne perceptojmë një strategji të arkitekturës të ndërtimit të shtetit dhe shoqërisë, që gjithkund është vënë Luciferi, Sfinksi apo dikush tjetër.

Për ta kuptuar më mirë dhe për të folur më qartë. Kush po e pengon procesin që të hapen dosjet, nëse ato janë të shkruara e zeza në të bardhë?

-Unë besoj se elitat e implikuara politike të Shqipërisë, që janë majtas dhe djathtas. Më shumë majtas për të qenë i saktë e më pak djathtas, por në këtë çështje kur ke të bësh me moralin nuk ka masë pak dhe shumë. Nëse je i implikuar je.

Botimi i këtij romani përkon me hapjen e një debati publik për fatin e femrave në kohën e diktaturës, ku u përfshinë femrat e bukura të kohës si dhe këngëtare… Si e përcollët këtë debat? Kur vetë ju thoni se këto femra e kanë pasur të vështirë të rrëfehen veçse gurit të varrit, sa të besueshme bëhen për publikun këto histori të ndodhura në diktaturë?

-Aq më keq për publikun nëse s’i beson. Nëse dikush preferon se përpara rrasës së varrit t’ua thotë të gjallëve, ky është problem i njerëzve të gjallë. Por unë mendoj se debati që nisi nga rrëfimi i këngëtares Alida Hisku ka qenë vetëm një pjesë e vogël e së vërtetës. Dhe për turpin e tyre, prostitutat që i janë nënshtruar burgjeve refuzuan një ndër të vërtetat më rrëqethëse të asaj kohe. Debati përfshiu shumë zëra, kanë folur shumë, por për ironi të fatit nga këta zëra dy meshkuj pretendojnë se nuk ka pasur përdhunime. Ata duhet të kenë qenë xhelozë që nuk qenë gjatë gjithë kohës femra dhe nuk vuri dorë kush mbi ta por mbi Alida Hiskun ose përndryshe nuk ka shpjegim ky mohim. Duhet pasur kurajë të rrëfehet e vërteta. Ata që e mohojnë se ka ndodhur për fat të keq, këta janë toni më i keq i mediave tona të cilat u ofrojnë mikrofonin xhelatëve për të thënë të vërtetën e viktimave. Kjo nuk është e drejtë.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>