2 Mars, 2016

“Dosja H.” u botua së pari në revistën “Nëntori” më 1981. Ndonëse doli nga shtypi në kohën e acarimeve të mëdha në Kosovë dhe trajtonte çështje që lidheshin me autoktoninë e shqiptarëve në Ballkan, vepra pati një pritje të ftohtë dhe doli si libër më vete vetëm pas rënies së komunizmit.

980464_1101686049883916_3839117826793800207_oPARATHËNIE

Ka libra që lindin nga një shkëndijë, nga një fjalë, nga një takim i shkurtër. Ky është rasti i “Dosjes H.”. Një ditë gushti më 1979, në Ankara, Ismail Kadareja njohu një amerikan, Albert Lordin, i cili i tha se kishte qenë në Shqipëri në vitet ‘30 me një bashkatdhetar të tij, Milman Parry, për të studiuar gjurmët e eposit homerik. Kërkimi i tyre: të përcaktojnë nëse Homeri ishte i vetmi autor apo shefi i një ekipi redaktorësh. Përfundimi i tyre priret drejt hipotezës së dytë. Po ç’rëndësi ka kjo. Biseda me Ismail Kadarenë nuk zgjati veç pesë minuta. Në atë kohë, një shqiptar, e aq më tepër jashtë vendit, nuk kishte të drejtë t’i drejtohej një të huaji, sidomos një amerikani. Nga këto pak minuta diskutimi do të lindë një roman, të cilin shkrimtari do ta shtjellojë pas kthimit të tij në atdhe: “Dosja H.”.

Në këtë roman, ndoshta më shumë se në të gjithë të tjerët, shkrimtari tregon lidhjet e tij shpirtërore me grekët e lashtë. Ai ka lindur tridhjetë kilometra larg Greqisë dhe peizazhi i vendit të tij i kujton aty-këtu mitet greke: rrënojat e teatrit të kështjellës e deri te lumenjtë që, siç thuhej, çonin në ferr… Por më shumë se për grekët në tërësinë e tyre, “Dosja H.” është një nderim për më të shquarin e tyre, Homerin, “të verbrin e madh”, ashtu sikurse të tjera romane, si “Koncert në fund të stinës” dhe “Dimri i vetmisë së madhe” janë një dëshmi e admirimit për një tjetër mjeshtër, Shekspirin.

Ndërsa në “Prillin e thyer” zotëron ngjyra tragjike, “Dosja H.” vë në dukje më shpesh groteskun. Dhe Kadareja jep këtu një nga recetat e humorit të tij: ballafaqimin e të huajve me Shqipërinë. Që këtej lindin moskuptime, ngatërresa dhe gjendje burleske. E njëjta procedurë rishfaqet që nga “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Atë e gjen pastaj me kinezët te “Koncerti”. Çdo herë trupat e huaj janë hedhur jashtë nga organizmi Shqipëri. “Dosja H.” nuk i shpëton këtij rregulli.

Sipas shembullit të “Prillit të thyer” ne jemi përsëri të zhytur në një dekor legjendash. Që larg, kur koha është e kthjellët, duken Bjeshkët e Namuna, zona të parapëlqyera në tregimet kavalereske shqiptare, po ashtu si Lugjet e zeza (të verdha, në realitet, e që Kadareja i ka “nxirë”). Pa dijeninë e tyre, për arsye të temës kërkimore që ata bëjnë, dy të huajt gjenden të përzier në një grindje shumë të lashtë ballkanike, ku luhet fati i përkatësisë së legjendave. Duke hulumtuar një të shkuar tremijëvjeçare, ata ndeshen me urrejtjen e së tashmes; konfliktet e sotme nuk kanë për qëllim vetëm territoret, por gjithashtu epokat, kohën. Kadareja tregon në “Dosjen H.” një interes të veçantë për kohën. Nga njëra anë, duke pasqyruar harresën dhe mekanizmat e transmetimit të kujtesës – temë tashmë e dashur për autorin e “Kamares së turpit” dhe “Eskili, ky humbës i madh”, nga ana tjetër, duke studiuar mjetet letrare: “Asgjëkund në eposin europian, madje as në sagat islandeze nuk kishin ndeshur në një përdorim të tillë të kohës”, shkruan ai në “Dosjen H.” Mekanizmi i epopesë e mahnit atë. Veç kësaj, ai ripunon tekstet e tij, vendos motërzime të ndryshme sipas ribotimeve, krejt si epopeja, e cila gjatë shekujve transformohet. Ajo që tregohet nuk është e ngrirë. Epopeja është kaluar gojë më gojë nga një rapsod te tjetri. Po kështu, të dëgjuarit luan një rol të rëndësishëm në “Dosjen H.”. Homeri i verbër kishte vetëm zërin. Dhe në faqet që vazhdojnë të gjithë dëgjojnë, të gjithë dëgjohen. Madje dhe aparaturat dëgjojnë njeriun.

Në daljen e saj në revistën “Nëntori” në fillim të viteve ‘80, “Dosja H.” u prit me një heshtje të plotë nga kritika shqiptare dhe ajo nuk u botua si libër veçse në vitin 1990. Pushteti e qortoi redaksinë e revistës “Nëntori” që e publikoi këtë roman. Arsyeja: për shkak të legjendave, për mënyrën qesharake me të cilën trajtohen spiunët, për përgjimin që u bëhej të huajve në periudhën komuniste. Për çdo turist bëhej një raport për veprimet e tij, gjestet dhe fjalët që thoshte… Për më tepër, Ismail Kadareja në këto faqe na ofron luksin, duke na përshkruar në mënyrë të favorshme portretin e një shkrimtari shqiptar, në atë kohë të ndaluar: Faik Konicës. Për shkak të censurës, emri i tij nuk përmendet, por e gjejmë si ministër fuqiplotë të Mbretërisë Shqiptare në Shtetet e Bashkuara. Përfundimisht, “Dosja H.” s’kishte asgjë për t’iu pëlqyer rojave besnike të regjimit.

ÉRIC FAYE*

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>