nga Admin

13 Nëntor, 2009

“Ai që nuk mbron dot pronën e vet, e meriton t’ia rrëmbejnë të tjerët. “

…Kjo ekspoze më shtyn të vendos në planin e parë të tablosë sime një njeri që sundoi për një kohë të gjatë në Greqi dhe që e mbushi skenën deri në atë shkallë, saqë Greqia u përgatit për fatin e vet të lartë nën hijen e ambicies së këtij tirani.

Do të hyjë në tregimin tim gjithë ajo që arriti të bëjë gjenija fatale e një skithi muhamedan, i cili kalkulimet e arsyes i përdorte vetëm për të turbulluar rendin publik; kurse talentet e jashtëzakonshme me të cilat e kishte pajisur një natyrë e egër, për t’u ngjitur, krim pas krimi, në rangun e sovranëve, të cilët arrinte t’i sfidonte si i barabartë mes të barabartëve.

Një përzierje mendjehollësie dhe injorance, naiviteti dhe pabesie, maturie dhe kuturisjeje, trimërije dhe vetëruajtjeje, mizorie dhe bestytnije, tolerance dhe fanatizmi; kam për të treguar se si Ali Tepelenë Veli Zadeja, si krijoi një nga ato famat e përbindshme që kanë për të jehuar gjatë në të ardhmen, erdh u rrokullis nga maja e pushtetit teposhtë, duke i lënë Epirit, atdheut të tij, trashëgiminë ogurzezë të anarkisë, dinastisë tartare të osmanllinjve të këqija që s’llogariten, grekëve shpresat e lirisë dhe Europës tema ndoshta afatgjate grindjesh dhe mosmarrëveshjesh.

I panjohur ashtu si dhe farërat e pavarësisë që po mugullonin në Greqi, Ali Tepelena lindi së bashku me to aty nga viti 1740….

Ai thosh se rridhte nga një familje e moçme e Azisë së Vogël, i pari i së cilës i quajtur Isa ose Jezu, pat kaluar në Epir bashkë me hordhitë e Bajazit Ilderimit; mirëpo nuk përmend asnjë titull që të përligjë origjinën e vet.

Gjurmimet që kam ndërmarrë për të nxjerrë prejardhjen e tij ma tregojnë më tepër vendas sesa aziatik, pasardhës shqiptarësh të krishterë që përqafuan muhamedanizmin pas pushtimit të Shqipërisë nga turqit. (fragment nga libri)

Postshënim:

Ali Tepelena: Historia e vezirit të tmerrshëm“, nga Fransua Pukëvil (François Pouqueville) nën shqipërimin e Ardian Klosit, pajisur me një pasthënie të gjatë prej tij. Është biografia kyçe e historianit frëng për vezirin e Janinës, botuar për herë të parë më 1825, si gjysma e parë e veprës së tij në tri vëllime “Historia e ringjalljes së Greqisë”.

Prej saj u nisën gjithë shkrimtarët, historianët, artistët e mëpasëm që vunë në qendër figurën e Aliut ose episodet e ndryshme rreth karrierës së tij. Mjerisht në Shqipërinë komuniste dhe paskomuniste kjo vepër e Pukëvilit u quajt si “jo dashamire ndaj shqiptarëve”, “me mllefe kundër Ali Pashës” etj. dhe nuk arriti deri më sot të shohë dritën e botimit.

Në disa numra do të botojmë nga Pukëvili portrete të Ali Tepelenës në periudha të ndryshme të jetës së tij, shoqëruar me fragmente nga pasthënia. Jetuan gati 9 vjet pranë e pranë, të vëmendshëm, dyshues, pa ia hequr sytë njëri-tjetrii Veziri u trembej letrave të konsullit dhe zotërisë së tij, perandorit, konsulli u trembej kurtheve dhe vrasësve të vezirit.

Veziri admironte fuqinë që fshihej prapa konsullit, Bonapartin e madh, pushtuesin e Europës, konsulli magjepsej nga errësirat që fshihte shpirti i tiranit. Veziri shpresoi ta përdorte në makinacionet dhe kombinimet e tij, pa sukses, konsulli u betua se do t’ia tregonte gjithë botës karrierën e tij gjakatare, me sukses, vetëm se më pas, atëherë kur koka e tij qe porositur për në Stamboll.

Pa Fransua Pukëvilin Ali Tepelena do të kishte mbetur një nga ata sundimtarët e Orientit që bëjnë emër sa janë gjallë, shkaktojnë edhe tërmete, pastaj i përpin historia. Do kishte mbetur diku në një varg të Bajronit ose në shënime ekzotike udhëtarësh europianë.

Kurse biografia që Pukëvili nisi ta botonte qysh në gjallje të pashait e që e mbylli të plotë 3 vjet pasi koka e tij u ekspozua në Bab Humajum, që u përkthye në gjuhët kryesore europiane me një shpejtësi prej shekulli 21, i dha një famë që mbajti me dhjetëvjeçarë të tërë. Ajo u ngacmoi fantazinë disa prej penave më të mëdha të kohës, Hygoit, Dymasë, ajo dha lëndë për vepra skenike ose për tablo madhështore të cilat mund t’i kundrosh edhe sot në galeritë e Luvrit.

Krahasimi mund të bëhet vetëm me një figurë tjetër shqiptari, tre shekuj e ca më parë, atë të Skënderbeut, vetëm se në drejtim të kundërt: Barleti, biografi i Gjergj Kastriotit, i dha Europës shembullin frymëzues të heroit të krishterë që është në gjendje ta pengojë vërshimin osman, kurse Pukëvili, biografi i Ali Tepelenës, i tregoi kontinentit shembullin tmerrues të tiranit oriental që s’ndalet para asgjëje në karrierën e vet, e që pastaj papritur bëhet pishtari që i vë flakën perandorisë së tij.

Vepra e Pukëvilit u mirëprit kudo, vetëm në vendin e lindjes së protagonistit të tij jo, sidomos pas Luftës së dytë botërore dhe ngritjes në Shqipëri të një historiografie të vetme, me vendosjen e një diktature të vetme. Edhe pse qëndrimi ndaj Aliut nuk u shpreh në mënyrë krejt eksplicite si në rastin e Skënderbeut ose rilindasve e të tjerëve, u nënkuptua se ai ishte një figurë e shquar e kombit. U përkrah botimi i disa veprave zbukuruese për të, dalëngadalë në vitet 70 e 80 u poq edhe qëndrimi zyrtar i historiografisë që thoshte pak a shumë se Ali pashë Tepelena punoi për një pashallëk të pavarur shqiptar, i nënkuptuar gati si pararendës i pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë frymë as që mund të mendohej botimi i biografisë së parë dhe kryesore për të, asaj të Pukëvilit.

Njëkohësisht u përhap opionini, përsëri zyrtar, se Pukëvili nuk kishte qenë dashamirës ndaj shqiptarëve dhe se kishte shtrembëruar faktet historike. Kjo gjendje vazhdoi edhe pas vitit 1991, megjithë liberalizimin e botimeve. Me sa duket biografia e Ali Tepelenës nga Pukëvili ka qenë kafshatë e fortë edhe për periudhën e pluralizmit të mendimeve. Çka tregon edhe një herë se e kemi vështirë të merremi haptas me historinë tonë, me ngjarje dhe fakte që mund të luhatin skema të ngulitura nëpër koka prej kohësh. – Ardian Klosi

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>