nga Admin

22 Korrik, 2011

Shpata nen diell (foto)

Nga Catherine Nixey (Financial Times)

Shpata nen diell (foto)Shpata, nën diellin e pasdrekes së vonë shkëlqen, duke krijuar imazhin e zakonshëm të rrezikut. Turma, e cila e kupton këtë imazh, bie në heshtje. Demi, i cili nuk e kupton, ul kokën e tij të frikshme dhe i sulet matadorit.

Për ata që e shohin atë që do të ndodhë më pas si shqetësuese, ka një ngushëllim; dhe për ata që e shohin si të këndshme, ka një shqetësim. Kjo është vera e fundit që skena të tilla do të mund të shikohen në arenën e ndeshjeve me dema të Barcelonës, të famshmen Monumental. Vitin e kaluar, parlamenti i Katalunjës votoi të ndalojë ndeshjet me dema duke filluar nga viti 2012. Kështu, sezoni i vitit 2011, që do të vijojë deri në shtator, është hera e fundit kur një betejë e tillë mes njeriut dhe kafshës mund të shikohet. Kjo betejë, për kundërshtarët konsiderohet si “torturë” por Heminguei e quajti atë “art”.

Është një fund që vetë Heminguei e parashikoi. Në reportazhin e tij kryevepër të vitit 1932, “Vdekje pasdreke”, ai diskutoi një modifikim që qe kryer në atë kohë në sportin spanjoll të ndeshjes me dema: kuajt në arenë u pajisën me mjete mbrojtëse, pasi më herët ato shumë shpesh shpoheshin nga brirët e demave.

Qeveria e kohës e mori një vendim të tillë “për të shmangur pamjet e tmerrshme që shpesh ia neverisin argëtimin të huajve dhe turistëve.” Heminguei vetë nuk qe shumë i shqetësuar. Sipas tij, ky vendim qe hapi i parë drejt ndalimit të ndeshjes me dema. Dhe kishte të drejtë.

Vendimi i Katalunjës shikohet si një fitore e madhe për aktivistët e mbrojtjes së kafshëve të Spanjë. Ata tani shpresojnë se ndalimi në Katalunja do të shikohet si një precedent për ndalimin në të gjithë Spanjën. Dhe jo vetëm në Spanjë. Në Itali, ministri i turizmit deklarioi vitin e kaluar: “Nëse Katalunja mund të ndalojë një traditë kaq të lashtë, ne duhet të mendojmë ndoshta për ndalimin e garës me kuaj Palio në Siena për shkak se “dhuna kundër kafshëve dëmton imazhin e Italisë”. Qe pikërisht turizmi që i bëri këto sporte të famshme në të gjithë botën dhe po turizmi ai që po përdoret për t’i ndaluar.

Kundërshtimi është i dukshëm që në çastin që unë arrita te arena, disa qindra metra larg katedrales Gaudi, ku të moshuarit spanjollë janë mbledhur për të diskutuar lajmet e të dielës. Luftimet me dema janë zhvilluar në këtë arenë çdo vit që kur ajo u ndërtua më 1919, me përjashtim të viteve të luftës civile. (Trajtohet në librin “Lamtumirë Armë“).

Trotuaret në këtë zonë janë ende të mbuluara me bojë të kuqe gjaku, trashëgimi e shumë viteve protestë.

Disa parrulla më të freskëta në trotuarin përballë thonë: “Ndalojeni tani”. Unë flas me Lluis Villacorta Montero, i cili është i mbuluar kokë e këmbë me bojë të kuqe. “Kam protestuar në këtë vend për shtatë vjet me rradhë,” thotë ai. “Unë isha i pari.” E pyes nëse si spanjoll që është, mos ndjen ndonjë lloj meraku që një traditë kaq e madhe si ndeshja me demat po zhduket. “Ne jemi katalunjas,” më korrigjon një tjetër aty për aty.

Kjo nuk është një fjalë e hedhur në ajër. Ndeshjet me dema u promovuan gjatë periudhës së Franco-s si traditë spanjolle; ky nuk është një virtyt shumë i shitshëm te Katalunjasit. Për më tepër, ky lloj sporti nuk ka qenë gjithmonë i pranuar as në pjesën tjetër të Spanjës. Në vitin 1576, Papa Pius V nxorri një urdhër për ta ndaluar praktikën, por ky urdhër u tërhoq tetë vite më vonë. Montero ka frikë se mos edhe urdhëri i tanishëm tërhiqet më vonë. “Njerëzit që mbështesin ndeshjet me dema janë shumë të fuqishëm,” – thotë ai.

Para se të largohem, e pyes Monteron se çfarë mendon për Hemingway-n. “Nuk më pëlqen ai,” më përgjigjet duke rrudhur vetullat e mbuluara me bojë. “Ndoshta Plaku dhe Deti. Ajo është një betejë mes njeriut dhe kafshës. Por kjo e demave nuk është me të vërtetë një betejë. Nuk është një lojë e barabartë.”

Arena Monumental (foto)Arena Monumental është një strukturë pothuajse identike me amfiteatret e Romës së lashtë. Turistët zënë vend. Në korridor flas me Michael Otte, një amerikan që studion në kolegjin Dartmouth, për të cilin vizita në Spanjë është pjesë e programit të shkollës. E pyes nëse është me të vërtetë i lumtur që po shkon në një betejë demash. “Unë nuk e kasha të qartë deri tani se demi në fund të betejës vdes,” thotë ai. “Më shumë isha i frikësuar për toreadorin.” Po tani, e pyes? “Tani nuk më duket tërësisht dëfryese.”

Unë i ngjis shkallët drejt ndenjëses sime. Arena Monumental përbën palimpestin pothuajse të përsosur të të shkuarës së Spanjës: Struktura romake mbi të cilat ka harqe maure, të cilat mbartin mbishkrime të Katolicizmit. Në hyrjen anësore të arenës gjendet një famulli për matadorët. Ndërsa kaloj, i hedh një sy brendësisë së saj; një afreskt i Virgjëreshës Mari. Nuk përmbahem dot nga pyetja se, kur vjen fjala për të vdekur përballë turmës, cilën anë mban Shën Maria.

Gjithsesi toreadorët, dukshëm kanë më shumë besim. Ndërsa një bandë tunxhi luan një fanfarë, ata hyjnë të veshur me satin me brez të qëndisur me ar, duke përshëndetur turmën që i përshëndet me enthuziazëm dhe kënaqësi. Pastaj, papritur vjen një fanfarë e dytë dhe në arenë hyn demi. Vërej e alarmuar se demi nuk është i frikësuar. Përkundrazi, i lehtë si një qen, ai turret drejt toreadorit.

Turma duartroket. Megjithëse kjo betejë është shumë joshëse, turma është gjithsesi e rrallë, më e rrallë se sa në fillim të shekullit të 20. Në atë kohë, toreadorët për të cilët shkroi Hemingway, Belmontes dhe Joselitos, konsideroheshin si zota dhe paguheshin si futbollistë. Sot lavdia më së shumti i përkes së shkuarës, veçanërisht në Katalunjë. Këtë mbrëmje arena është e mbushur as në një të pestën e vendeve. Indiferenca më shumë se sa pamja çnjerëzore duket se po sjell fundin e ndeshjes me dema këtu.

Në arenë demi nuk po sulet më me furi. Ai qëndron, duke gulçuar nën dritën që po dobësohet. Toreadori ngre shpatën. Demi, tashmë më i rëndë i vërsulet. Shpata e shpon. Koka e rëndë e demit zhytet poshtë. Banda rifillon t’i fryjë fanfarës dhe spanjollët poshtë valëzojnë shallët e bardhë në ajër me admirim. Ato fluturojnë në ajër si pëllumba. Megjithatë nuk ka paqe për demat. Këtë mbrëmje gjashtë dema janë vrarë sakaq dhe pesë të tjerë presin rradhën. Pas vrasjes së parë unë i trembem të dytës. Gjithsesi, pas të tretit, vërej me një farë shqetësimi se po filloj të admiroj disa lëvizje; të eksitohem nga një shmangie mjeshtërore apo nga një vërsulje veçanërisht e rrezikshme, ndërsa krijoj përshtypjen pozitive për toreadorin më të pëlqyer, të mbrëmjes Fernando Adrián Hernández Machicado.

Pastaj vjen edhe vrasja e fundit. Demi i fundit rrëzohet në dysheme. Banda luan fanfarën e fundit dhe Machicado, i cili duket se është toreadori i mbrëmjes, ngrihet në krahë nga shokët e tij dhe nxirret nga ringu, fyryra e tij shkëlqen dhe ngrihet lartë mbi kokat e errëta të turmës. Pas meje dalloj një vajzë amerikane, e cila ka më pak vërejtje se sa bashkëkombësi i saj dhe ecën drejt toreadorit. “Çfarë tipi!” i thotë ajo shokut të saj. “Ai është i nxehtë!”

Turma del ngadalë nga Monumental duke ndjekur Machicadon, duke u përpjekur të prekin rrobat dhe kordonat e tij. Për një çast ai është një Joselito; një zot. Pastaj turma arrin te furgoni i toreadorëve, i cili nuk është asgjë më shumë se sa një makinë e vjetër në ngjyrë blu. Zoti ulet poshtë dhe toreadorët hyjnë brenda, duke u rehatuar në ndenjëset e mbuluara me imitim lëkure; dera mbyllet dhe furgoni i vjetër largohet. Turma kthehet prapa dhe ecën përgjatë dyshemesë të mbuluar me të kuqe.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>