nga Admin

3 Shkurt, 2015

Fatos Kongoli

Shkrimtari, i cili prej vitesh jeton në SHBA, rikthehet me një libër të ri

Fatos Kongoli_1Fatos Kongoli e ka zhvendosur vitet e fundit studion e tij të punës në SHBA. Mijëra kilometra larg nga rrugët e Tiranës ku mëngjeseve herët i pëlqente të bënte shëtitje i vetëm, ai hedh në letër histori që vijnë nga këto rrugë. Pas librit “Njeriu më fat” që solli për lexuesin në vitin 2013, këtë muaj shkrimtari vjen për lexuesin me një tjetër roman. Shtëpia botuese “Toena“, e cila boton veprën e Kongolit, ka paralajmëruar që më 10 shkurt do të gjendet në librari romani i tij i ri “Gjemia e mbytur”. Duket që ndjesitë e thella njerëzore janë dhe në këtë libër shqetësimi i shkrimtarit. Gjejmë edhe në këtë libër përshkrime të ndjera të dashurisë që ndien një burrë. Por këto ndjenja kaq të thella shkrimtari i kalon në një dimension më social. Pse njeriu është xhelati më i egër i Njeriut? A ka kuptim ndëshkimi? A ka kuptim katharthisi pas një krimi të kryer me ndërgjegje të qetë? Po ndjesa sa vlerë ka? Po dashuria, ajo e burrit për gruan, e prindit për fëmijën, e njeriut për njeriun, e njeriut për Natyrën është aspiratë apo iluzion? Këto pyetje enden në romanin që pritet të dalë në treg, pyetje që na takojnë me njerëz që i kemi çdo ditë përreth nesh. Fatos Kongoli është një prej autorëve shqiptarë më të njohur pas viteve ’90 i botuar në disa gjuhë të huaja. Gjemia e mbytur Fatos KongoliKrejt ndryshe nga formimi i tij si profesor matematike, ai shpalosi herët prirjet e tij letrare, por që do të binin në sy gjatë ndryshimit të sistemit. Ka punuar për një kohë të gjatë si gazetar letrar dhe redaktor në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Është autor i një vargu librash. Librat e Kongolit janë botuar në Francë, Itali, Zvicër, Greqi, Gjermani, Poloni, Sllovaki, Bullgari e Serbi, me jehonë në disa nga gazetat dhe revistat më të mëdha europiane si “Le Monde”, “Le Figaro”, “La Stampa”, “Le Temps”, “Le Soir”, “L’Express”, “Magazine Littéraire”, “Der Tagesspiegel”, etj. Është tri herë fitues i çmimit vjetor për librin më të mirë në prozë dhënë nga Ministria e Kulturës (1995, 2000, 2002), si dhe i çmimit “Velia” (2000). Është fitues i çmimit ndërkombëtar “Balkanika”-2002. Është fitues, gjithashtu, i çmimit më të lartë letrar në Shqipëri “Penda e Artë” (2004). Shoqata e Botuesve Shqiptarë e ka vlerësuar me çmimin “Shkrimtari i vitit” për 2006-n, ndërsa romani “Lëkura e qenit”, përkthyer në gjermanisht, u shpall libri i muajit qershor 2006 në Gjermani.

“… Frenimi im nis sapo hapet dera e apartamentit dhe ajo shfaqet përpara meje. Nga shprehja e fytyrës së saj më krijohet përshtypja sikur kam trokitur në derë të gabuar, sikur gruaja me sy të thellë blu, në mëdyshje nëse duhet të më dëbojë apo të më ftojë brenda, në vendim tim ka pritur dikë tjetër. Ajo nuk më dëbon, unë e di këtë. E di prej shumë ditësh. Por përshtypja sikur në vendin tim ajo ka pritur dikë tjetër, nuk më shqitet. Dhe kur më në fund ajo arrin të sajojë një buzëqeshje, më duhet një mundim i madh të shtirem, t’i përgjigjem me të njëjtën buzëqeshje. Kjo nuk më pengon të shkoj pas saj drejt një banaku, ku ulemi përballë njëri-tjetrit, me të vetmin ndërmjetës të aftë për të na mbushur mendjen, qoftë dhe përkohësisht, se as ajo nuk priste dikë tjetër, as unë nuk kisha trokitur në derë të gabuar: një shishe me konjak “Napoleon”.

(pjesë nga libri)

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>