Albert Kamy, “klasiku” modern
Albert Kamy (Camus) qe një prej shkrimtarëve më të vlerësuar francezë për sa kohë qe gjallë, ndërsa sot librat e tij vijojnë të jenë të supershitur në Francë si dhe të jenë shembujt më të fortë studimorë në universitetet e Europës Perëndimore për letërsinë dhe filozofinë. Kamy u rrit në varfëri në Algjeri, ku studioi filozofi dhe ku u mor edhe me teatër dhe gazetari.
Më 1938, u zhvendos për në Francë (i ati qe francez ndërsa e ëma spanjolle), dhe vijoi të shkruajë ese dhe pjesë teatrale, duke fituar reputacion mes qarqeve letrare dhe filozofike. Ai qe anëtar i Rezistencës Franceze gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe bashkëredaktonte gazetën e së majtës “Combat” deri në vitin 1948. Më 1957, ai u bë Nobelisti më i ri në të gjitha kohërat, për ese si “Miti i Sizifit”, (1942) dhe për romane si “I Huaji” (1941), “Murtaja”, (1946) dhe “Njeriu i Revoltuar”, (1951).
Kamy shkroi mbi armiqësinë dhe përgjegjësinë morale dhe shpesh krahasohet me dikur ish-kolegun e tij Jean-Paul Sartre (miqësia e tyre përfundoi në vitet ‘40, për shkak të mbrojtjes që Sartri ofroi për komunismin stalinist). Kamy e përshkruante veten si pesimist mbi kushtet njerëzore, megjithatë ëndërronte për një zgjidhje pozitive të pozicionit “absurd” se jeta është e pakuptimtë.
Ndërsa po udhëtonte për në Paris më 4 janar 1960, ai dhe botuesi i tij, Muchel Gallimard, u vranë në një aksident automobilistik. Kamy ka lindur si sot, 7 nëntor 1913.
Tor Heyerdahl, njeriu që sfidoi teorinë e qytetërimit
I lindur si sot në vitin e largët 1914, Thor Heyerdahl, etnolog me famë botërore, u bë i famshëm për aventurën e tij me anijen Kon Tiki. Në vitin 1947, Heyerdahl dhe pesë të tjerë u nisën për një udhëtim transoqeanik nga ishujt e Polinezisë në Amerikën e jugut, për të vërtetuar se edhe njerëzit e lashtë qenë në gjendje të kalonin oqeanin. Në vitin 1969, ai ngarkoi dy arka me papiruse, Ra I dhe Ra II, dhe i transportoi përmes Atlantikut në varkat “primitive” të banorëve vendës të Afrikës Perëndimore. Në këtë mënyrë, ai vërtetoi se Egjiptianët e lashtë qenë në gjendje të kalonin Atlantikun dhe se kjo gjë nuk ndodhi për herë të parë vetëm në vitin 1492 nga Kristofor Kolombi. Teoritë e tij u përbuzën nga akademikët, por ai ushtroi influencë të gjerë në antropologji dhe arkeologji. Filmi i bazuar mbi ekspeditën Kon-Tiki fitoi Oskarin në vitin 1951 si Dokumentari më i Mirë.
Filloi me Heyerdahl një proces i gjatë shkencor që rrezikon të hedhë poshtë teorinë e njeriut që doli nga shpella dhe u zhvillua deri në ditët tona. Në vitet ‘60-’70, akademikët filluan të shikojnë me admirim kulturat e lashta, duke hequr dorë shpesh nga trajtimi i tyre si forma rudimentare të “Homo Sapiens”. Teoria e formëzuar gjatë shekujve 18-19 nga filozofët europianë që besonin te superioriteti i filozofisë së hemisferës perëndimore, filloi të tronditej. Sot janë të shumtë ata që besojnë se mes popujve të lashtë, ka patur qytetërime po aq të zhvilluara si ky i yni dhe se teoria e zhvillimit gradual të njeriut nga shpella te kompjuteri, është thjeshtë e pabazë. Tor Heyerdahl lindi më 6 tetor 1914, në Larvik, Norvegji. Vdiq nga kanceri më 18 prill 2002.
BALLKANIKA 2008: Çmimi letrar për romanin më të mirë të Ballkanit për v.2008
Instituti i Librit dhe Promocionit “Toena”, në rolin e tij si organizator për përfaqësimin e Shqipërisë në këtë konkurs ndërkombëtar njofton se:
- Këtë vit Shqipërinë do ta përfaqësojë shkrimtari Bashkim Shehu me romanin e tij “Angelus Novus”
- Fituesi për romanin më të mirë të Ballkanit do të shpallet në Shkup, më datën 5 tetor 2008.
Shpallja e fituesit për romanin më të mirë ballkanik për vitin 2008 do të bëhet në Shkup të Maqedonisë më 5 tetor të këtij viti. Janë propozuar dhe dorëzuar prej kohësh veprat e autorëve nga seicili vend ballkanik dhe juria e përbërë nga një anëtar nga seicili vend po shqyrton prej kohësh veprat. Në ceremomni, veç anëtarëve të jurisë, autorëve kandidatë dhe botuesve organizatorë, do të jenë të pranishëm personalitetet më të njohur të jetës kulturore në Maqedoni dhe personalitetet më të larta të jetës politike të këtij vendi, përfshirë edhe presidentin e Maqedonisë, nën kujdesin e të cilit zhvillohet kjo veprimtari.
Si funksionon çmimi Ballkanika
Seicili botues organizator formon në vendin e tij një juri të përbërë me jo më pak se tre anëtarë, të cilët duhet të jenë personalitete të njohur të fushës, studiues, autorë, kritikë, analistë, gazetarë të kulturës, etj. Kjo juri, pasi seleksionon romanet më të spikatura të tre viteve të fundit përcakton në fillim 10 romanet më të mira që konkurojnë midis tyre për të qënë një prej pretendentëve midis autorëve më të mirë të Ballkanit. Më pas nga 10 romane juria përzgjedh 3 prej tyre, prej të cilëve, në fazën e fundit të gjykimit do të nxjerrin një roman, i cili i propozohet jurisë ballkanike. Pas përcaktimit të veprës së përzgjedhur, botuesi organizator merr masat për dorëzimin e dosjes së plotë në jurinë ballkanike: romanin, një kopje në origjinal (për të vërtetuar se është botim i tre viteve të fundit), veprën të përkthyer tërësisht në anglisht ose frengjisht, të dhëna sa më të plota për autorin, një përmbledhje për përmbajtjen e romanit, një CV të autorit, si dhe vlerësimët që ka pasur vepra në vendin respektiv. Edhe këto duhet të jenë të gjitha në anglisht ose në frengjisht. Pra, gjuhët zyrtare të jurisë ballkanike janë anglishtja dhe frengjishtja. Nëse romani që konkuron është i përkthyer edhe në gjuhë të tjera të huaja ose është në proces botimi, ka përparësi në gjykimin e jurisë ballkanike. Edhe juria e Ballkanit përzgjedh, si fillim, midis veprave që konkuronë 3 veprat më të mira dhe prej tyre, ditën e zhvillimit të ceremonisë zyrtare, shpallet fituesi i romanit më të mirë të Ballkanit.
Shpërblimi për fituesin
Fituesit të shpallur si autori i romanit më të mirë të Ballkanit për vitin respektiv i jepet Diploma përkatëse e Nderit, një distinktiv me simbolin e Ballkanikës, një premio financiare (5.000 - 10.000 euro).
Botuesit organizatorë të të gjitha vendeve ballkanike kanë detyrimin që ta botojnë romanin fitues në vendet e tyre. Dmth, brenda një viti apo diçka më shumë vepra e autorit fitues përkthehen në shumë gjuhë të huaja njëherësh. Botuesve u lind mundësia që, sipas dëshirës dhe vlerësimit nga ana e tyre, të botojnë në vendin e tyre të gjitha veprat që kanë konkuruar në “Ballkanika”.
Autorët shqiptarë dhe veprat e tyre që kanë konkuruar në 11 edicionet e Çmimit Letrar “Ballkanika”:
1997: Fatos Kongoli, Kufoma.
1998: Ismail Kadare, Tri këngë zije për Kosovën.
1999: Besnik Mustafaj, Boshi.
2000: Vath Korreshi, Ujku dhe Uilli.
2001: Fatos Kongoli, Dragoi i fildishtë.
2002: Fatos Kongoli , Ëndrra e Damokleut. (Fitues).
2003: Mimoza Ahmeti, Absurdi koordinativ.
2004: Diana Çuli, Engjëj të armatosur.
2005: Aurel Plasari, Lufta e Trojës vazhdon.
2006: Ylljet Aliçkaj, Një rrëfenjë me ndërkombëtarë.
2007: Bashkim Shehu: Angelus Novus.
Disa nga autorët dhe veprat që konkurojnë për vitin 2007:
Shqipëri: Bashkim Shehu: Angelus Novus.
Bullgari: Alek Popov: Kutia e zezë.
Greqi: Takis Theodoropoulos: Trillimi i Venerës së Milos.
Maqedoni: Iljana Dirjani: Botë të fshehta.
Rumani: Aura Christi: Vendi i paprekshëm.
Serbi: Vladislav Bajac: Hamami ballkanik.
Turqi: Tasim Uzjel, Gradiaçiela.
Autori shqiptar dhe romani i tij që konkurojnë për vitin 2007
Për vitin 2007 juria e Shqipërisë ka propozuar si kandidat për çmimin “Ballkanika” shkrimtarin Bashkim Shehu dhe romanin e tij “Angelus Novus”. Vepra është botuar në vitin 2006 dhe është pritur më interes nga lexuesi shqiptar. Kritika dhe shtypi e kanë vlerësuar si një nga veprat që ngjalli interes dhe diskutime në rrethe intelektuale dhe është nga veprat më të shitura gjatë kësaj periudhe. Vepra është në proces botimi në Amerikë dhe në Francë.
Juria shqiptare dhe përfaqësuesi shqiptar në jurinë ndërkombëtare
Juria shqiptare, që ka vlerësuar dhe propozuar autorin dhe romanin shqiptar si konkurente për çmimin “Ballkanika” ka qenë e përbërë nga:
- Jorgo Bulo
- Piro Misha
- Diana Çuli
- Ylljet Alickaj
Ndërsa në jurinë ballkanike Shqipëria do të përfaqësohet nga Diana Çuli.
Graham Greene, gjigandi populist
Autori eseist i shkolluar në Oksford, Graham Greene, publikoi romanin e tij të parë të rëndësishëm “Treni i Stambollit” në vitin 1932; dy vite më vonë, ky roman u bë i pari mes shumë veprave të tij që u përshtatën për film.
Jashtëzakonisht prodhimtar, Greene i ndau librat e vet në dy kategori. “Dëfrimi i tij” dhe buka me gjaplë qenë thrillerat e misterit, spiunazhit dhe melodramat psikologjike, si psh. “Arma me qera” dhe “Njeriu ynë në Havana”; në kategorinë e dytë hynin romanet shumë më të thella dhe me kuptim, siç i vlerësonte ai vetë si: “Pushteti dhe Fama”, (i kthyer në film nga John Ford me titullin “The Fugitive” në vitin 1948) dhe Brighton Rock. Gjatë viteve 1935-1940 ai punoi si kritik filmash për “The Spectator” duke krijuar famë përmes mbështetjes së artistëve “popullorë” si Laurel dhe Hardy.
Në shqip, përkthyer nga Brikena Çabej është romani “Doktor Fisheri i Gjenevës ose Gostia e Bombës”, që u botua në vitin 2001. Romani është shkruar gjatë viteve të fundit të jetës së autorit, kur ai vetë po jetonte në një qytezë në liqenin e Gjenevës, në Zvicër. Graham Greene ka lindur më 2 tetor 1904. Vdiq në 3 prill 1991.
Shkruaj diçka për librin që ke lexuar !
Përshëndetje miq të librit,
A ka ndonjë libër që, pasi e keni lexuar, ju ka lënë një mbresë të tillë që do të donit ta ndanit edhe me të tjerë? Tani mund ta realizoni këtë shumë thjesht me librat që gjenden në librarinë e Shtëpisë së Librit. Në Shtëpinë e Librit, përshtypjet tuaja për librin apo librat në shqip që keni lexuar do kenë mundësi t’i lexojnë edhe miq të tjerë të librit, si ju, duke ndihmuar kështu në përhapjen e mëtejshme të informacionit për vetë librin(at).
Si mund ta bëni këtë?
ShtëpiaeLibrit.com i ofron mundësinë çdo anëtari të regjistruar (falas) në sistemin tonë, të shkruaj një ose më tepër përshtypje për librat që ka lexuar dhe/ose që dëshiron të lexojë. Mjafton të logoheni dhe, pasi të keni gjetur librin e caktuar, ju mund të shkruani përshtypjen tuaj personale për atë libër duke klikuar në linkun përkatës.
Shembull me librin “Hija” nga Ismail Kadare:
Poeteka hapet sot në Durrës - Festivali shqiptar i Poezisë dhe Literaturës
Edicioni IV i Poezisë dhe Letërsisë (Poeteka)
Edicioni IV i Festivalit shqiptar të Poezisë dhe të Literaturës, “Poeteka”, 22-28 shtator, nis sot në Durrës, qyteti ku u themelua. Ceremonia hapet në orën 19.00 në Muzeun Arkeologjik ku poetët pjesëmarrës në Festival do të lexojnë nga një poezi në gjuhën origjinale.

Edicioni i katërt, përveç promovimit të autorëve të rinj, pjesëmarrës për herë të parë në festival, përveç turit në pikat e zakonshme turistike dhe administrative të tre qyteteve, Durrës, Tiranë, Berat, ka edhe seksionin “In Memoriam” si homazh ndaj traditës që këtë vit i kushtohet veprës së Migjenit dhe të albanologu Eqrem Çabej, por ky i fundit parë si poet.
Sonetet e sapobotuara të Çabejt do të lexohen gjatë këtyre ditëve. Temat mbi problematikat aktuale të letërsisë dhe të institucioneve të saj sjellin në vëmendje mënyrën e promovimit të poezisë në kohët moderne dhe statusin e shkrimtarit në Rajon. Në stacionin e Tiranës ku do të ndalë “Poeteka” në seksionin e quajtur(ob) SESION me temë “Të jesh shkrimtar në…”, diskutojnë Milan Rakovac ngaKroacia, Rudolf Marku, Iolanda Malamen nga Rumania, Edmond Tupja dhe Tanja Bakiç nga Mal i Zi.
“Ad honorem” i kushtohet Wallace Stevens-it, poetit që do t’i dëgjohet zëri i poezisë dhe zëri origjinal për të pranishmit.
Në seksionin e ri të quajtur DocuMentaL, iniciativa e Dr. Thomas Wohlfahrt sjell poezinë afër mediumit të videos, dhe bashkëpunimin e ZEBRA Festival (Berlin) me “Poetekën”.
Në këndin e intervistave të festivalit, organizatorët kanë menduar një bashkëbisedim të emrave të njohur të botës së gazetarisë shqiptare, publicistikës dhe kritikës letrare si Milena Selimi, Baviola Shatro, Entela S. Kasi, Fatmir S. Baçi, Erion Kristo, Agron Tufa me poetë dhe shkrimtarë të ftuar si Casimiro de Brito, Marko Sosić, Claudia Keelan, Borsi Biletić, Milan Rakovać, Andrej Sen Senkov, Stanislav Lvovski etj.
Më 28 shtator zhvillohet ceremonia e festivalit ku jepen çmimet “Unaza Poeteka”, “Liburna”, “Nositi” dhe “Criterion”.
Poeteka është një festival që në katër vite është mbajtur si projekt i drejtuar nga poeti Arian Leka i financuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, dhe i mbështetur nga Bashkia e Durrësit dhe sponsorë të tjerë.
Si të gjesh librin që kërkon ?
Me rritjen e numrit të librave të publikuar (aktualisht mbi 800 tituj), si dhe rritjen e numrit të vizitave në faqen tonë (rreth 150 në ditë), rrjedhimisht rritet edhe nevoja për të gjetur sa më lehtësisht librin apo librat që ju kërkoni. Për këtë arsye ne ju ofrojmë disa mënyra si më poshtë:
Kategoritë dhe nën-kategoritë
Shtëpia e Librit është e organizuar në kategori librash si p.sh.: letërsia shqiptare, letërsia botërore, libra për fëmijë, etj, dhe brenda tyre me nën-kategori si: romane, revista letrare, tregime & novela, biografi & kujtime, etj. Kjo është edhe mënyra bazë se si ju mund të krijoni një ide më të qartë të librave që ne disponojmë si dhe mund të orientoheni më kollaj për të gjetur atë që kërkoni.
Mënyra kryesore të kërkimit
Sistemi ynë ju lejon të bëni dy lloje kryesore kërkimi për librat.
Mënyra bazë është ajo “e thjesht”, e cila ju lejon të kërkoni duke përdorur si fjalë kyçe titullin e librit ose emrin e autorit. Kjo është njëkohësisht edhe mënyra më e shpejtë por jo më e plota.
Mënyra tjetër është “Kërkimi i Avancuar” i cili ju lejon të kërkoni jo vetëm titullin dhe autorin, por edhe përshkrimin e librave që ne kemi publikuar. Ky kërkim është ideal nëse ju dëshironi ta zgjeroni kërkimin tuaj përtej kërkimit të thjeshtë. Nëpërmjet këtij kërkimi ju keni disa mundësi dhe opsione të tjera të cilat ju lejojnë ta bëni hulumtimin tuaj edhe më specifik si p.sh. duke kërkuar brenda një kategorie të caktuar, ose vetëm librat e një botuesi të caktuar, etj.
Kërkimi i shkrimeve
Një seksion me interes te Shtëpia e Librit është edhe ai i Shkrimeve, ku ju do mund të gjeni një përzgjedhje shkrimesh, biografish dhe studimesh për autorë dhe tituj librash të ndryshëm. Çdo shkrim është i lidhur me një ose disa libra të ndryshëm që lidhen direkt ose indirekt me shkrimin. Gjithashtu, ne kemi instaluar motorin e kërkimit edhe për Shkrimet, i cili e lehtëson më tej kërkimin tuaj brenda seksionit të Shkrimeve.
Titujt e postimeve te Blogu
Pamvarsisht se Blogu funksionon i ndarë nga sistemi i Shtëpisë së Librit, ne kemi gjetur një mënyrë për ta integruar atë me faqen e parë të dyqanit. Dhe konkretisht, në krahun e djathtë, poshtë motorrit të kërkimit, ju do keni mundësinë të klikoni mbi titujt e fundit të postimeve që ne vendosim në Blog. Gjithsesi, nëse dëshironi të informoheni rregullisht për të zhvillimet dhe të rejat te Shtëpia e Librit, ne ju sugjerojmë të abonoheni nëpërmjet shërbimit tonë me Email.
Përditësuar më: 2 nëntor 2008


