“Darka e Gabuar”, romani më i ri i Kadaresë
Që nga dita kur ushtria italiane u shpërbë, në vjeshtën e vitit 1943, deri në vdekjen e Stalinit, dhjetë vite më vonë, Shqipëria përjetoi ndryshimet më drastike të imagjinueshme. Ngjarjet e përjetuara në atë kohë, treguar nga rrugët e Gjirokastrës, nuk janë dicka e re në universin Kadarean. Katër dekada më parë, në vitin 1970, përmes romanit “Kronikë në Gur” koha e luftës përshkruhet përmes syve të një fëmije, gjithmonë nga qyteti i gurtë.
Këtë vit, shkrimtari i madh Ismail Kadare botoi romanin e tij më të ri “Darka e Gabuar”, vepër që në shumë kuptime është kronikë në gur e parë nga sytë e një të rrituri. Mënyra me të cilën qyteti e përjetoi largimin e italianëve dhe ardhjen e gjermanëve, si dhe më pas, ardhjen e komunistëve. Ky është gjithashtu romani në të cilin, Kadare jep edhe një “vlerësim” shumë krahasues mes pushtimeve italiane, gjermane si dhe ardhjes në pushtet të komunistëve.
Personazhi kryesor, doktor Gurameto i madh, që pati studiuar në Gjermani, shtron një darkë për oficerët gjermanë që erdhën nga Greqia për të marrë nën kontroll Shqipërinë. Njerëzia ngatërron tingujt e muzikës gjermane me të shtënat e mitralozëve. Doktor Gurametoja i madh, nuk do të jetë kurrë në gjendje të sqarojë arsyet e darkës. Ai kthehet në hero për disa e në armik për disa të tjerë.
“Bëje, o Zot, ëndërr!”, thoshin ata që mendonin se me hyrjen e gjermanëve në Gjirokastër, në shtator 1943, qyteti do të hidhej në erë. Kjo jo vetëm që s’ndodhi, qyteti jo vetëm që përjetoi kohën gjermanike, po si rrjedhojë ngriti historinë e shpëtuesit më të famshëm të pengjeve, doktor Gurametoja i madhi, mbi misterin e të cilit Ismail Kadare ka ndërtuar subjektin e romanit më të ri “Darka e gabuar”.
I bazuar në një ngjarje të vërtetë për të cilën qyteti ka dhënë në kohë të ndryshme interpretime të ndryshme, me personazhin e doktor Gurametos që më shumë se karakter është një belle epoque, është një njeri kohë, Kadare rimerr takimet me historinë ku i ka lënë me babazotin e “Çështjeve të marrëzisë”, kështu pra nga ajo stuhi otomane tek flladi perëndimor që i fryu Shqipërisë midis dy luftërash.
Kadare nuk është historian, nuk është as shkrimtari që shkruan për njeriun në kuptimin e thjeshtë të fjalës, për karaktere të futur rëndom brenda një dhome shpirtërore dhe sociale herë si në një dhomë parfumesh e herë tjetër gazi. Njeriu i Kadaresë është historia dhe anasjelltas.
“Darka e gabuar” lidh dy njerëz dhe dy kohë historike. Më një anë doktor Gurameton dhe komandantin e divizionit gjerman, koloneli Fritz von Schwabe, mbajtës i Kruqit të Kuq, në anë tjetër “Shqipërinë gjermanike” me atë komuniste. Kalimi “miqësor” i gjermanëve nazitë në qytetin e jugut lidhet me darkën në fjalë që patën dy miqtë e vjetër të shkollës, dhe që u bë e “gabuar” sepse fatalisht përcaktoi kthesën në jetën e personazhit.
——————-
Për një listë më të plotë të librave që disponojmë kërkoni me fjalët: Ismail Kadare
Mirëpresim komentet dhe përshtypjet tuaja..
Elie Weisel, letrari që fitoi Nobelin për paqe
Eli Vizel (Elie Wiesel), hebreu që fitoi çmimin Nobel për paqe me historinë e jetës së tij të përshkruar në librin e tij të famshëm “Natë”, (1958), mbushi sot (30 shtator), 80 vjeç.
Ai e përshkruan veten në këtë mënyrë: “Unë vendosa t’ia dedikoj jetën time tregimit sepse ndjej se duke mbijetuar, i detyrohem diçka vdekjes… dhe të gjithë të tjerëve që nuk i mbajnë mend tradhëtitë që kanë pësuar.”
Ai e bëri jetën e tij një mision për të treguar dhe ritreguar historinë e Holokaustit dhe për të folur kundër atyre që vijojnë të kryejnë krime kundër njerëzimit sot. Më 1986, atij iu dha çmimi Nobel për Paqen. Gjithashtu si sot në vitin 1946, përfundoi gjyqi i Nurembergut. Njëzet e dy udhëheqës të Gjermanisë Naziste u dënuan për krimet e kryera gjatë Luftës së Dytë Botërore. Njëmbëdhjetë prej tyre u dënuan me vdekje ndërsa të tjerët me burgime të gjata.
“Për shkak se mbaj mend, dëshpërohem. Për shkak se mbaj mend, kam për detyrë të rrefuzoj dëshpërimin”.
Romani i tij “Natë” është përkthyer në shqip nga Edvin Shvarc dhe është botuar në kolanën “Nobelistët” të shtëpisë botuese ABC.
Ai ka shkruar edhe shumë romane të tjera si: “Një lypës në Jeruzalem”, (1968), “Testamenti”, (1980), “Gjykatësit”, 202). Ai është bërë qytetar amerikan në vitin 1963 dhe ka dhënë leksione në Universitetin e Bostonit. Pasi familja iu copëtua gjatë Holokaustit, ai nuk i pa më kurrë të ëmën dhe motrën e vogël. Vetëm pas lufte mësoi se dy motrat më të mëdha, patën mbijetuar.
Monarkia Shqiptare shqytrohet sërisht !
Periudha e Monarkisë shqiptare, ose koha e Mbretit Zog, siç mund ta njohi shumica prej nesh, është një periudhë jo shumë e ndriçuar për shumë shqiptarë. Debatet dhe këndvështrimet e ndryshme nuk mungojnë.
Në kuadër të 80 vjetorit të shpalljes së Monarkisë Shqiptare dhe në kuadër të rishikimit të historisë, për herë të parë mbas 69 vjetësh, Institucionet e Shtetit Shqiptar janë angazhuar që me datë 1 shtator, të zhvillojnë një konferencë ku mbi 20 historian dhe referues të ndryshëm do përpiqen të hedhin dritë mbi figurën e Mbretit Zog si dhe vetë periudhën në fjalë. Tema do jetë: “Monarkia Shqiptare 1928-1939″. Konferenca do shoqërohet edhe me aktivitete të tjera.
Nga ana jonë, duke dashur ta ndriçojmë sadopak këtë moment historik dhe përkujtimor, menduam t’ju ofrojmë një përzgjedhje librash të cilët hedhin dritë nga këndvështrime të ndryshme mbi Monarkinë Shqiptare.
Me ketë rast ju ftojmë të shprehni mendimet dhe këndvështrimet tuaja te pjesa e komenteve në fund të faqes.
Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri, B. Fischer
Studimi i historianit bashkëkohor nga Bernd Fischer mbi Mbretin Zog ka habitur gjithmonë lexuesit shqiptare për shkak të vlerësimeve realiste, të cilat historianët vendës nuk kanë qenë në gjendje t’i japin. “Si rrjedhojë e sundimit të tij të gjatë, periudhës vendimtare gjatë së cilës ai ushtroi pushtetin si dhe personalitetit të tij dinamik, kontributi që dha mbreti Zog për zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë është i një rëndësie të veçantë… Zogu hodhi themelet e shtetit të centralizuar dhe ndihmoi në ushqimin e frymës së krenarisë kombëtare në Shqipëri” thotë autori, studiuesi amerikan Bernd J. Fischer, profesor historie në Universitetin e Indiana në SHBA.
Zogu i shqiptareve, Një histori e jetuar, Catin Saraci
Çatin Saraçi është një figurë e panjohur, por shumë aktive e politikës shqiptare mes dy luftërave botërore. Ai ka kryer funksione të ndryshme shtetërore dhe ka patur akses në informacione rreth familjes mbretërore që bashkëkohësit e tij nuk e kishin. Libri i tij është një kritikë e gjallë dhe e shumanshme e figurës së Mbretit Zog.
Mehdi Frasheri, Kujtime (1913-1933)
Mehdi Bej Frashëri ka qenë gjithashtu një protagonist i politikës së viteve ‘30. Ai ka qenë kryeministër nën Mbretin Zog dhe një njeri jashtëzakonisht i kulturuar. Kujtimet e tij janë një çelës i vlefshëm për të vlerësuar figurën e Mbretit Zog.
Fjala dhe koburja, Joseph Roth
Gazetari Austriak Joseph Roth vizitoi Shqipërinë në vitin 1927. Shënimet e tij janë një pasqyrë e vendit gjatë viteve kur Zogu qe kryeministër dhe president si dhe po punonte për krijimin e karriges së mbretit.
Histori me mbret, Armir Shkurti
Gazetari Armir Shkurti ka përmbledhur mbresat e tij nga 55 ditët e vitit 1997, kur i biri i Ahmet Zogut, Mbreti Leka i Pare, testoi shancin e vet duke hedhur referendum për kthimin e monarkisë në një vend që nuk po largohej dot nga traumat e skemave piramidale dhe rënies së përgjithshme të shtetit.
Shërbimi sekret shqiptar, Kastriot Dervishi
Historiani Kastriot Dervishi vlerësohet shumë sot, si studiues serioz i historisë së Shqipërisë. Te “Sherbimi Sekret Shqiptar” ai ka gjurmuar një anë të fshehtë dhe shumë të vështirë të historisë së një vendi. Kush ishin njerëzit e shërbimeve sekrete në Shqipëri gjatë kohës së Mbretit Zog, gjatë kohës së Pushtimit Italian e atij Gjerman?
Të mësosh të jetosh ! Libra psikologjik, filozofik dhe praktik.
Përshëndetje miq të librit,
Kësaj here librat dhe autorët që kemi përzgjedhur janë të një karakteri disi më psikologjik dhe filozofik, por gjithësesi praktikë dhe konkret për jetën. Duke filluar që nga “Këshillat për jetën” e Shopenhauer-it deri te libri i autores shqiptare Adriana Anxhaku (Zeneli): “Arsyeja ndërmjet mitit, iluminizmit e refleksionit”, secili përpiqet të sjellë një përqasje të goditur mbi fazat, këndvështrimet apo edhe gjendje të caktuara të fenomeneve të jetës tonë të përditshme.
Këndvështrimi, urtësia dhe prakticiteti i këtyre mjeshtrave të psikologjisë, filozofizë, sociologjisë dhe vetë artit, përcillet përmes faqeve të këtyre libravë, me qëllim që t’ju sjellë më tepër dritë jo vetëm mendjeve tuaja, por mbi të gjitha, t’ju ndihmoj të jetoni jetën!
Këshilla për jetën, Arthur Shopenhauer
“Këshilla për jetën” është një nga veprat më të pëlqyera dhe më popullore në lexueshmëri e filozofit që të ngushëllon përmes pesimizmit: Arthur Schopenhauer. Në këtë vepër autori hyn në kontakt dhe bën të prekshme ato zona ku lexuesi i zakonshëm, por edhe natyra meditative gjen krahë për të zbuluar gjithçka të ndryrë brenda vetes, për të zbuluar më mirë atë dhe për ta vendosur veten në raport me botën dhe të tjerët. Pyetjet më ekzistenciale për qenien bëhen me një inteligjencë të jashtëzakonshme dhe po kështu jepen edhe përgjigjet e autorit nga përvoja e vet dhe përvoja e njerëzimit. Ç’kuptim ka jeta për ty? Po nderi? Po paraja? Po të jesh i lumtur, a ka kuptim? Po të brengosesh, a ka vlerë? Po artet, ç’vlerë kanë? Po dituria? Këto dhe shumë të tjera janë pjesë e këtij libri të shkëlqyer që të shoqëron gjithë jetën.
Si të sillemi me gratë, Artur Shopenhauer
Me gratë natyra ka kryer një goditje mjeshtërore: ka bashkuar në një kohë të caktuar të rinisë, të gjitha bukuritë dhe yshtjet për të tërhequr fort vështrimet e përhumbura të burrave.
Cfarë mund të na mësojnë filozofët për sjelljen ndaj grave, kur atyre u takon të jenë mbrojtës të diturisë, ndonëse vetë kanë qenë të pafat në dashuri? Ç’na këshillojnë ata për t’u mbrojtur nga sjelljet bredhacake për të frenuar këtë synim të dëshirës sonë? Çfarë strategjie na këshillojnë për t’u hequr tekat seksit delikat kur dihet dashuria është si feja: nuk arrihet me forcë.
Si të sillemi me njerëzit, Dale Carnegie
Si të sillemi me njerëzit (How to Win Friends and Influence People) është një ndër librat e parë më të shitur për përmirësimin-e-vetes që është publikuar ndonjëherë. Shkruar nga Dale Carnegie dhe publikuar që në vitin 1936, arriti të shes mbi 15 milion kopje në të gjithë botën. U listua si një ndër librat më të shitur të New York Times për 10 vjet.
Rruga në të cilën rrallë shkohet, Scott Peck
Autori përpiqet të jetë sa më objektiv dhe korrekt në trajtimin e temave të medha si Dashuria apo Dhimbja, të cilat i fokuson jo vetëm në dritën e shkencës psikologjike, por futet dhe në trajtime filozofike, sociologjike, teologjike, madje dhe poetike, duke shkrirë të gjitha këto në përvojën jetësore të vetvetes dhe të rrethit ku ai jeton. Vetë titulli i librit është sugjerues, aq edhe joshës; ai të fton në një rrugë, nëpër të cilën vërtetë shkohet shumë rrallë,por me mbështetjen, përkrahjen, sinqeritetin dhe dashurinë që të ofron ky autor bashkëkohës, mund ta bëjë lexuesin të jetë dhe ai, papritur, pjesëmarrës në rrugën e ngritjes së vet shpirtërore. Për Skot Pek-un, por dhe për njerëz të tjerë që mendojnë dhe jetojnë si ai, Dashuria dhe Puna janë gjërat më shenjta dhe të vetmet udhëheqëse, që të çojnë në rrugën për arritjen e lumturisë së vetvetes dhe të tjerëve.
Arti i të pleqëruarit, Ciceroni
Thuhet se pleqëria e largon njeriun nga jeta aktive. Thuhet se ajo i mpak forcat duke e bërë trupin të dobët, se e zhvesh plakun nga gëzimet e jetës, nga pasionet e dashurisë dhe se me pleqërinë njeriu i afrohet gjithnjë e më shumë vdekjes.
Pleqëria i dobëson forcat e trupit, por nuk dobëson jetën shpirtërore. Fakti që pleqëria i afrohet gjithnjë e më shumë vdekjes, nuk duhet ta dëshpërojë njeriun, por ta qetësojë, sepse vdekja është një kthim në zanafillë. Sipas Ciceronit, e fshehta e artit të pleqëruarit është mbajtja gjallë e interesave, bërja e një jetë të rregullt dhe të përkorë.
Arsyeja ndërmjet mitit, iluminizmit e refleksionit, Adriana Anxhaku (Zeneli)
Vëmendja e studimit është drejtuar këtu drejt rrymave të reja bashkëkohore të mendimit filozofik e sociologjik modern. Duke lexuar punimin bindesh plotësisht për vlerat që ka studimi, si në drejtim të parashtrimit të Teorisë Kritike në tërë rrugën e zhvillimit të saj ashtu dhe në njohjen e rolit të kësaj teorie në kritikën ndaj shoqërisë ekzistuese. Mendoj se njohja e saj do të ndihmonte edhe studiuesit shqiptarë në zbërthimin e kuptimit të mjaft dukurive edhe të shoqërisë tonë, … sidomos atyre negative për artin e kulturën që janë kthyer shpesh vetëm në mall.
Leximet e verës ! Listë e përzgjedhur librash për verën.
Përshëndetje miq të librit,
Këtë verë perveç zgjedhjes së vendit ku do kaloni pushimet mbase jeni duke menduar edhe për librat ose autorët që do kishit dëshirë të lexonit. Nga ana jonë, duke dashur t’ju vijmë sado pak në ndihmë, menduam t’ju sugjerojmë një përzgjedhje librash të këndshëm që shpresojmë t’ju pëlqejnë.
- Gjuetari i balonave dhe Një mijë diej vezullues nga Khaled Hosseini
- Libra nga Daniel Steel (rreth autores)
Ndërkohë kjo është vetëm një listë e shkurtër dhe ne nuk duam ta kufizojmë atë me kaq. Prandaj, nëse ju keni libra apo autorë të tjerë që dëshironi t’i sugjeroni, ju lutem shkruajini këtu duke vendosur titullin dhe autorin e librit, si dhe një koment të shkurtër që shpjegon arsyen pse ju ka pëlqyer.
Seria e librave për fëmijë dhe të rinj Artemis Fowl nga Shtëpia Botuese Dudaj
Përshëndetje miq të librit,
Kësaj here dëshirojmë t’ju prezantojmë me serinë e librave për fëmijë dhe të rinj - Artemis Fowl, nga shtëpia botuese Dudaj. Këta libra spikatin për tërheqjen e menjëhershme që u bëjnë fëmijëve duke i përfshirë në botën e fantazisë.
Seria e librave Artemis Fowl
Shkrimtari Eoin Colfer u lind në Irlandë dhe u shqua menjëherë për stilin e tij të jashtëzakoshëm. Por, falë aventurave të Artemis Fowlit ky shkrimtar është bërë i njohur në të gjithë botën. Pas shitjes së miliona librave anë e mbanë botës, saga e Artemisit po shndërrohet në një film të përhapur nga Miramax dhe të prodhuar nga Robert De Niro.
Për autorin:
Eoin Cofler ka lindur në Irlandë, në Wexford, në vitin 1965. Ka qenë mësues për pesëmbëdhjetë vjet dhe, pasi ka jetuar në Tunizi, Itali dhe Arabi Saudite, është kthyer përfundimisht në qytetin e tij të lindjes.
Ka filluar të shkruajë që në moshë të re (komedi, në të cilat i detyronte shokët e tij që të luanin rolet e aktorëve) dhe pa u ndalur, deri sa arriti suksesin e parë të madh në vendin e tij me romanin Benny dhe Omar.
Shtëpia Botuese “Dudaj” do të sjellë së shpejti edhe dy vëllimet e tjera që pasojnë serinë e Artemis Fowl-it.
Vëllimi 1 – Thesari i Popullit
Kush është Artemis Fowl-i? Një gjeni? Natyrisht, përderisa arrin të lozë me teknologjinë ashtu si të tjerët lozin me ushtarët e vegjël.
Një kriminel? Pa dyshim që po: prejardhja e tij nga një plejadë e vjetër dhe e shquar keqbërësish nuk është e rastësishme. Po Artemisi është mbi të gjitha njeriu që ka planifikuar grabitjen më të guximshme dhe origjinale të shekullit: ai ka mundur të shtjerë në dorë arin të cilin Populli i Vogël e ruan me këmbëngulje prej shumë mijëvjeçarësh.
Ky është rrëfimi i luftës së tij personale me zanat, qipujt, koboldët, njomët dhe trollët dhe mbi të gjitha me superpolicen karkanxhollike Magjistricë Shtupa: një betejë e cila ngjason me një videogame të cilin vetëm një djalosh dymbëdhjetëvjeçar e me një shkallë inteligjence të barabartë me atë të një gjeniu, i pajisur me gjakftohtësinë e James Bond-it dhe me kurajën e Indiana Jones-it është në gjendje ta çojë përpara …
Ky është një tekno-thriller i mahnitshëm dhe ironik, i shkruar me një dozë aspak të papërfillshme magjie të cilën ua ofron lexuesve që janë të gatshëm të ëndërrojnë për të pamundurën.
A është me të vërtetë një gjeni i krimit Artemis Fowl-i? Po: në moshën dymbëdhjetëvjeçare ai ka mundur të shtjerë në dorë arin e ruajtur nga Populli i krijesave të magjepsura dhe të vërë në lojë magjinë. Cinik, i paskrupullt dhe i pajisur me një intelekt superior e të jashtëzakonshëm e megjithatë, me një pikë të dobët: dashurinë për të ëmën, e cila rreket ta dërgojë në shkollë si të ishte një fëmijë i zakonshëm, e për të atin i cili është zhdukur në mënyrë të mistershme mes akujve të Arktikut. Pikërisht për të gjetur Fowl Plakun, të burgosur nga Mafia Ruse, Artemisi kërkon ndihmën e armiqve të tij të përhershëm, Magjistricë Shtupës, pjesëtares së policisë karkanxhollike dhe komandantit të saj aspak të sjellshëm, Julius Rrënjës. Por edhe Popullin e kanë mbytur telashet dhe për t’i zgjidhur ato ka nevojë për ndihmën e Artemisit… Një aleancë e cila do t’i japë jetë një aventure të vrullshme magjike – teknologjike të cilën e bëjnë edhe më tërheqëse dozat e mëdha të aksionit, ankthit nga e papritura dhe humori i zi: sepse vetëm një aventurë e re e Artemis Fowl-it mund ta kapërcejë të kaluarën.
Vëllimi 3 – Kodi i Përjetësisë
Këtë herë Artemis Fowli ka sajuar një telash vërtetë të madh! Shpikja e tij e fundit, Kubi, një minikompjuter i ndërtuar duke përdorur teknologjinë e magjepsur të rrëmbyer nga Populli, i cili është në gjendje që të gjurmojë vendstrehimin e tyre të nëndheshëm, ka rënë në duart e gabuara: në duart e Xhon Spiros, një miliarder lakmitar i cili është i gatshëm të bëjë gjithçka vetëm e vetëm që të zotërojë botën.
Epo mirë, Kubi mbrohet nga Kodi i Përjetësisë, i cili është i pamundur të deshifrohet, të paktën kështu mendohet… por a është e vërtetë kjo gjë? Kështu, për të mos hasur rreziqe të mëtejshme, hyn përsëri në veprim skuadra e pazakontë e përbërë nga Artemisi, gjeniu i ri kriminel, nga oficerja e palodhur karkanxhollë Magjistricë Shtupa si dhe nga xhuxhmaxhuxhi i paepur kleptoman Mulkimi i Sterres. Por komandanti Rrënja dhe centauri Mëzi kanë vendosur që, për hir të sigurisë së Popullit, duhet të fshihet jo vetëm programi i sofistikuar i Kubit por edhe kujtimet e shumta e të rrezikshme që gjenden në mendjen e Artemisit…
Vëllimi 4 – Mashtrimi i Opalit
Krijesat e magjepsura të Popullit të Vogël kanë fshirë çdo kujtim të botës së tyre nga mendja e së vetmes qenie njerëzore të cilit i trembeshin: gjeniut kriminal Artemis Fowl. Por tani ata kanë nevojë për ndihmën e tij… dhe sa më shpejt.
Xhindja e pabesë Opal Koboi po planifikon shkatërrimin e botës. Për ta ndalur atë, duhet çliruar kapitenia Magjistricë Shtupë nga akuzat e vrasjes, duhet të organizohet arratisja nga burgu e një xhuxhmaxhuxhi kleptoman si dhe të fitohet aleanca e një centauri tejet të zgjuar që për momentin nuk ka dijeni për asgjë. Sikur vetëm Artemisi të mund të kujtonte, sepse fati i gjithë atyre krijesave të çuditshme varet nga ai…
Romani befasues i Ben Blushit
Përshëndetje miq të librit,
Nëse keni qenë duke pritur të gjeni një kopje të librit të Ben Blushit “Të jetosh në ishull”, tani keni mundësi ta bëni këtë edhe nëpërmjet Shtëpisë së Librit.
“Të jetosh në ishull” është romani i parë i autorit Ben Blushi, i njohur si politikan, ish ministër dhe zëvendësministër në disa dikastere në vitet e fundit, si dhe një gazetar i njohur në fillimet e tij.
Është një nga rastet unike kur një politikan i kthehet letërsisë, ndërkohë që gjatë këtyre 18 vjetëve shoqëria shqiptare ka njohur fenomenin që një pjesë jo e vogël shkrimtarësh e poetësh, njerëz të letrave në përgjithësi lanë penën dhe iu përkushtuan politikës.
Me një rrëfim e stil jo të zakontë në letrat shqipe, veçanërisht pas viteve ‘90, autori e ka marrë temën nga Historia e Shqipërisë e shekujve XV-XVIII, por duke e trajtuar artistikisht si rrallëkush e duke sjellë një informacion me frymë analitike nga një pikëvështrim i ri dhe tërësisht sipas gjykimit të tij të ngjarjeve të mëdha të shoqërisë shqiptare të kësaj periudhe. Por, pavarësisht nga linjat e personazhet e shumtë që gërshetohen në libër, tema themelore e romanit do të mbesë procesi i gjatë shoqëror i islamizimit të shqiptarëve nga të krishterë në myslimanë, debatet për të cilin vazhdojnë të jenë në qendër të polemikave edhe në ditët tona dhe i kanë ndarë studiuesit, historianët, analistët, etj. në kampe me pikëpamje të ndryshme.