24 Shkurt, 2015

Nga ERNEST KOLIQI

Parathënie e botimit të parë të romanit “Djella”,

(“Shêjzat”, Romë, 1958)

djella,-martin-camajkCamaj, tashmâ, ka nji emën mirkumbues ndër shijuesa të poezís shqiptare. Me veprat e derisotshëme na ka bindë se u pajis nga natyra me nji talent të hollë e njiherit të fuqishëm. Ai fillon parabolen e vet ashtu e aty ku shum tjerë deshirojnë me sosë mbas nji jete kalue n’ethe të përpjekjeve në lamë të letresís. Dukagjini, – ky vis ku u ruejten të paprekuna doket e burrnija stërgjyshore dhe ku banorët mund të njehen mâ tepër se ngjeti tepricë katallâjsh ilirjanë kursye nga stuhija zvetnuese e kavaljetave, – Dukagjini, thom, tekembrâmja gjeti mjetin shprehës. Grumbulli i ndiesive, ndrydhë ndër mote, nëpër kët mjet po vjen tue u shfaqë. Nji tjetër zâ lartushtues doli nga Dukagjini: zâni i paharrueshëm i At Bernardin Palajt. Anmiqt e emnit shqiptar e shuen, në vuejtje e në gjak. Ka, veç, nji ndryshim ndermjet dy auktorve dukagjinas: Palaj, i ndrŷm në nji përftim epik të jetës dhe i rrembyem n’andrrime të madhnueshme qi kishin rrâjën në lavdít e kalueme të kombit, nuk prekej nga shartet e sotshëme të burrave të malsís: ai shifte, nën tirqit e mitanat e shkyem të tyne, madhështín e legjonarve, të cilët, të prîm nga perandori ilir Konstantini, thyen krenín rromake të Maksencit, tue shpague gjakun e bijve të fisit të rám flîje Vendireve e të lojnave pagane në Kolosé. Në vjerrshat e tija (mjerisht pak ase aspak të njoftuna) ai ndiellte përtrîmjen e nji kohe vigâjsh për Shqipní, në nji periudhë të historís së botës dhe të vendit tonë kur çdo rreze epike po shkimej tue u xevendsue nga të mugëtit e egoizmave mâ mizore, si t’individeve ashtu të kombeve. Andrra e nji Shqipnije së madhe, qi tepër vrap flakoi dhe u zhduk në kaltherí të malbrezeve tona, ia deji menden, ia lumnoi për nji ças shpirtin. Mbas pak kohe, edhe ai mbaroi tue marrë me vete në vorr trashigimin e Fishtës, sepse ai qe i vetmi ndër né qi prej lahutës brîdashe dinte e mujte të nxjerri kumbime, nëpër të cilat thjeshtësija skalitëse e shprehjeve rapsodike shqiptare shoqnohej e depertohej nga nji harmoní e thellë symfoniare me të kujtue fuqín e gjânë të muzikës së Wagner-it.

Tjetër tingull ká si poezija ashtu proza e Camajt. Pámjet e ndryshme të jetës së vendit të vet dalin nepër art të tij të vizatueme me drita e me hije dridhëse. Atij, edhe padeshtas, i shkon syni ke brumi njerzuer. N’ato vigâj të rrzuem, ai kerkon njerín. Lufta qi malsori ndërmerr për me dalë nga gurzimi i nji gjendjeje shoqnore kurrkund në pajtim me kohën e sotshëme, ia thekë shpirtin. Ai s’don qi burri i malsís të shikohet si specimen i nji rrace së lashtë, objekt kureshti per t’u vendue në nji muzé. Nën leskrat xhixhilluese të nji epiciteti anakronistik, syni vezhgues i tij kundron me zêmër të plasun rrudhat e shkaktueme nga ûja, nga mundi keq i shpërblyem prej natyrës e njerzve e fatit, nga ndryshku i disa zakoneve dâmprûse, nga ngushtësija e vendit. Në veprën e parë (Nji fyell ndër male, Shtëpija Botuese «Mustafa Bakija» Prishtinë, 1953) Camaj i çekë këto çâshtje. Fatlumsisht mjerimet e vendit të vet zhyten në valën e kulluet të nji lirizmi plot hov të vetvetíshëm. Menjiherë, qyshë në hapat fillestarë, ndiehet n’art të këtij auktori të rí kundërshtimi (kontrasti) ndermjet nji kulture të vetedijshme (konshjente) dhe të primitivitetit rrjedhë nga lindja. Studimet themelore klasike shkundin, në lumnín rrjedhëse të vjerrshës së tij, pluhnin libresk dhe përvoesohen me mrekullín e freskët të ligjirimit të malsorve. Parafytyrimet kanë nji xhixhillim bukurije së çuditshme në nji artist fillestar. Mâ e mendueme paraqitet landa e librit të dytë (Kanga e vërrinit, Prishtinë, 1954). Edhe titulli tregon kalimin nga fryma e breshtë plot hov krijues e malit në klimën mâ të butë të fushës. Por malet hjedhin hijen e vet edhe mbi fushë. Nji shqetësim i pacaktuem shpirtnuer qarkullon në mbrendí të këtyne vjerrshave. Dishiri për jetën e thjeshtë të malsís rîn me lot të msheftë disa prej tyne, nji ndiesí e mblueme malli për zakonet fisnike, qi lëvitë aty këtu, zbutë premín e dënimeve qi vende vende shqipton kundra tyne, nji gjakim m’u zgjâ me përvojë të vet në nji botë mâ të madhe digjet prej vargut në varg.

Trajta në librin e dytë shënon nji përparim të papritun. Jo mâ rrjedhja e lirë e njimbëdhetërrokshit kumbuer ase e vargjeve tjera me tubza përgjithsisht të rregullta. Nji zhdërvjelltí mâ e madhe shifet në ndertim të vargut dhe nji perkim mâ i perpikët ndermjet të theksuemit rythmik dhe permbajtjes. Hove hove shprehja poetike qi lëshohet gzueshem e përmallshëm në nji rrymbë të gjânë e të ndêjshme, e cila ta dhelaton veshin e derdhet âmbël në shpirt, befas ngurron, si e turitun, thehet e acarohet tue jehue me gjasërame të vrashta. Janë synkopet e artit modern. Camaj ndermjet veprës së parë e të dytë, ka lexue shum në gjuhë të hueja dhe ka diktue nji afersí të ndieshmenís (sensibilitet) së vet me auktorë të pararojes letrare të prendimit. Ka përvetësue mjetet mjeshtrore të tyne për me hollue artin e vet. Edhe âsht për t’u mrekullue s’pari dhe mandej për t’u gzue, tue pasun para sŷsh pasunimin motivesh e trajtash të letresís sonë, për mënyrën se si ky pinjuell malesh, sigurisht i pari i sojit të tij qi xên me shkrue e me këndue, din të harmonizoje në shkrime primitivitetin ruejtë në plotsín mâ të plléshme me nji zotnim të mjeteve mâ të rafinueme t’artit letrar modern. Ky harmonizim i rrallë âsht nota dalluese e disa shkrimtarve të rij të Kosovës e të Shqipnís së vjetër. N’asnjanin, veç, prej tyne nuk tingullon ende në mënyrë aqë të spikatun si ke Camaj, i cili qyshë tash mund të njehet përtrîsi i nji rrymbe së ré në letrat shqiptare, rrymbë e shqueme prej nji çveshjeje nga çdo zbunim retorik e për nji prirje me zbulue në vetvete e në tjerë vetít mâ të strukuna në skuta të vetedijes dhe n’errsít e mystershëme të nênvetedijes.

 

* * *

 

Por të vijmë ke vepra qi kam nderin me ua parashtrue lexuesave të njerzishëm, ke «Djella».

Rromanx apo dituer poetik? Çanësimet e veprave vërtè origjinale janë përherë të vishtira. Auktori, pa u kujdesue për gjinít letrare dhe tue lânë mbas dore mësimet e marruna në shkollë, e derdh landën në nji kallep sui generis. Kjo tregon se, i rrembyem prej diçkahit të përmbrêndëshem qi don të shpërtheje jashtë, kalon sipër modeleve të zakonshme edhe i shtjellon mendimet e ndiesít në trajtën mâ t’udobët dhe të vetvetishme. Nuk lodhë menden për teknikë tregimtare. Argumenti i vlon në shpírt dhe lirohet prej tij tue perdorë herë prozën herë vargun. Natyrisht edhe proza, shpesh, ndiehet se âsht mbarrsue me poezí. Por, tue e shqyrtue imët tekstin, vrehet se në prozë ai paraqet përshkrimet veriste me nji çilterí guximtare dhe shfaqë mbresa e gjikime të mprehta dhe heraherë të përshkueme nga nji dell pesimizmi, mandej në vjerrshë ep nji synthezë lyrike, ku shfren e fisnikohet idhnija e zêmres së turbullueme. Vargjet janë si ushtima e âmbëlsueme e ngjarjeve disi të zymta qi përbâjnë t’endëmen e tregimit.

Filli kryesuer i kësaj vepre synon me paraqitë zbritjen e malsorve nga malet e lindjes në fushë, për të kerkue nji permirsim shoqnuer. Drami i dyndjes pikzohet me ngjyra të gjalla. Breznija e parë – qi lên votrat e nalta e vetmitare, ku njeriu rritet nji cope i shëndoshtë në trup nëpër fllade të kullueta e i shëndoshtë në shpírt në ngursín e dokeve qi prap se prap ruejnë tharme bujare nën mbulojë të mykun, e dirgjet në jallín plot helm moçalesh banue nga nji njerzí mâ e zhvillueme shoqarisht, – kalon nëpër prova të trazueshme e shpesh të rrezikshëme. Bardh Qerreti, mësues e shkrimtar, me xânafillë prej malesh, ka mbetë shpirtnisht ndër domna. Bjerrë hovin veprues qi malsori ka në gjak, valavitet në ndiesí të dyshimta. E don ase e lakmon Djellen, katundaren e hijeshme, por i mungon guximi me ia hŷ pushtimit të saj. Ia lëshon shtegun Currit, malsorit të pagëdhênun, i cili në thjeshtësín e vet din shka don, trimnisht ndjek prirjet e instinktit dhe bân për vete Djellën. E bukura e katundit bjen, si pré e fitueme në luftim, në dorë të malsorit qi shfaqë pa zhibla dishirin e vet epshuer. Vuen nga kjo humbje mësuesi vjerrshatar? As ai s’e din: ia kande katundaren e ré për disa cilsína fyzike të saj, cilsína qi ai ia ngjeshë nji krijatyre së sendërgjueme prej mendes së shqetë të tij. Zbritja në qytet, shkolla, leximet Bardhit ia kanë këputë zêmrekun e vullnetit, tue e plandosun në nji gjendje të mugët shpirtnore, por n’anë tjetër i kanë dhurue ândjen e andrrimit. Fuqija vepruese e malsorit në tê, tue u shkimë, i ka lëshue vend valavitjeve të holla e dejse të soditjes. Jeton, në vetmí të katundit, me vegime të fantazís. Asht nji hap kah qytetnija, por i paguem shtrêjt me tronditje shpirtnore qi përpîn fatbardhësín e rëndomët dhe e mbushë me trishtime të perherëshme. I vetmi ngushllim, shfrimi në vjerrshë. Vjerrshimi, drrasë shpëtuese në tallaz kapërdís të jetës.

As Curri nuk shpëton nga rreziqet e fushës. Ernat helmatuese të kënetës ia thithin fuqín e gjakut malsuer. Kënetë e shpirtit âsht për tê Djella. Rrëzohet si lis degmadh, të cilit ujnat grryesa te shpatit ia shêmbin dhén rreth rrâjve. Asht ulun prej lugjeve të ftofta të lindjes për me gjetë «nji vrrî pa dimën» dhe në fund nuk gjên tjetër veçse mardhën e dekës.

Nuk duhet të çuditemi për ashpërsín veriste të disa pershkrimeve, për shijen e thartë të disa ndiesive. Auktori âsht pjestar i nji djelmnije të vrugosun në shpírt nga nji stuhí ngjarjesh tepër shqetesuese, të nji djelmnije qi u randue me vuejtje të pameritueme ç’se filloi me marrë mend e shqise dhe njofti mergimin, burgimet, fushat perqendruese, punën e përdhunëshme. U rrit, kjo djelmëní, pa vokësín e ambël të votrave familjare, pa ngushullimin e nji këshilli miqsuer. Ndëgjoi vetëm ungrimat e mënís, joshjet antinjerzore të partizaníve politike, mospërfilljen e talljen e njerzve qi kanë zgjidhë çashtjet vetjake dhe kanë shtypë e shqymbë në vetvete lakmimet e mystershëme të shpirtit. Në rasën e veçantë të Camajt puthitet koha e kapërcimit të moshës së tij me periudhën ndrrojse e turbulluese historike qi u hap me krisjen e luftës së dytë botnore. Kjo epoke, edhe pse nuk âsht e caktueme në tregim, pasqyrohet e qartë në tê. Djella, para se me qenë vepër artistike qi pasunon letresín tonë, âsht nji dokument njerzuer me randësí. Camaj ep herherë pershtypjen se vên në dyshim ase perçmon vlerën njerzore të traditave të lashta, por, tue shqyrtue me vemendje fijet e ndryshme ndiesísh qi perbâjnë pelhuren e thukët të hartimit të tij, hetohet se palci i frymzimit âsht shi shpirti i urtís gojdhanore.

Pikëspari burrnija e malsorit, përshkrue në mënyrë theatrore prej dashamirve të folklorit dhe zbukurue me ngjyra pitoreske si tepricë terhjekëse e Mesjetës midis mohes athomike, në Camaj thjeshtësohet e buron si çilterí. Trimnisht përdorë penden si të parët e tij taganin dhe pushkën. Largon çdo tis retorik qi mshefë jetën e gjallë, të njimendët, lakuriqe dhe shprehet pa nazet e turpit kallp mikroborgjez. Veprës së tij, si dishmí jete shqiptare, i avitet landa, por jo trajta së cilës i mungon shkelqimi i perpunimit artistik, e veprës së çmueshme «Ç’më tha nenua» e Muzine Kokalarit.

Prova qi tregimi i undyrshëm i Camajt nuk perfundon me nji mohim të vlerave gojdhanore gjindet në disa thânje pohuese qi padashtë i rrëshqasin nga penda. Kaptina ku flet Bardhi për prindët mund të keqkuptohet. Drami i marredhanjeve t’etënve të pashkolluem me bij t’arsimuem, në pak faqe vërtè të fuqishme, âsht i shprehun në mënyrë qi skalitet në mende të lexuesit. Dy brezní maten njâna me tjetrën. I riu duket egërsisht i paevarshëm para plakut. Jeta e gjithkuj i ka këto çase ndeshjeje e kacafytjeje shpirtnore. Asgjamangut vjen koha qi malsori i qytetnuem, Bardhi, njef randësín jetësore të trashigimit shpirtnuer të parve.

Kujtimi i t’et e shtŷn me shkrue këto vargje:

 

«Dý gjana print më than’ kur ishin gjallë:

– Poqese se shkel ti bukën gand

Çoje prej dheut e puthe e vene në báll.

Ndegjò, ti djalë, pse na jemi pleq.

Kur t’rrijsh te votra pshtet’ tue pí duhan,

Mos pshtŷj në zjarm,

Mos pshtŷj’ në dritë se a keq!

Kam harrue shum sende qi m’i thanë print!

Shum tjera msova e dola ndoshta i larm,

Por bijve t’mij un kam me u thanë tu’u rritë:

Mos shkelni n’bukë,

Mos pshtŷni n’zjarm,

Mos pshtŷni n’dritë!»

 

Vjerrshë me veshtrim shum të thellë në thjeshtësín e dukëshme të saj. Janë nji përlavdim plot afsh të ndrydhun i dokeve stërgjyshore. E kalimi i tyne në brezní t’ardhëshme premtohet me nji fuqí të ngulun (nëpërmjet parafytyrimeve symbolike) si t’ishte betim. Ka dhe mâ tepër. Fisnikija e lashtë e malsorve, kalorsija e natyrshme qi ua pajisë shpirtin, pikon papritmas edhe në vepër të këtij pinjolli të tyne, i cili din harresën e padrejtë në të cilen bota e huej dhe vendase la malet, qi ka para sŷsh mosperfilljen e paevarëshme qi shumica e qytetarve ka diftue për këto fatosa të lindun të cilët si kalá e gjallë mpruen kombin nga sulmet e Slavëve. Po, për nji ças, ngadhnjei ndoshta në tê urrejtja. Asht për t’u dënue çdo urrejtje, por kjo e malsorit të kulturuem, njohës i vuejtjeve historike të popullsís së maleve, ka shkaklehtësime të mëdhá.

Hovi burrnuer i trashiguem në gjak shlyen mendimin «se brîjat e maleve të rrëmyeta rreth lumit janë bâ mure të mënershme të nji burgu shekulluer të ngjeshuna me nji lymashk të vjetër në vend të pyjeve të blera: aty janë kalbe breznína», perdëllen shkujdesjen e vllazënve të nji gjaku qi i lanë këto brezní në terr të padijes e ndër kethetra të vobsís mësa ata gëzojshin driten e qytetnís dhe nji mirqenje të zgjedhun shoqnore. Lëshon nji kushtrim jo mâ luftarak, por paqsuer, plot shpirtbardhní dhe flakë dashunije njerzore.

 

«Avitu, njerí!

Nga palci i urrejtjes deshiroj me dalë

si bima prej fare në pranverë.»

 

Shndrrohet mënija në ndiesí vllaznore. Pasunija shpirtnore e trashigueme vlen si hajmalí kur ndokush prej maleve zbret në fushë. Tradita shpëton burrin e malsís nga zvetnimi. E kombi, ndër qytete të mkambuna kah qytetnija, përtrihet e fuqisohet nëpër mjet të gjakut dhe të frymës së shndoshtë morale të bijve të maleve.

Nuses nuk i vjen mâ turp për xânafillen e vet katundare. Kët ndiesí shelbuese kanë me ushqye edhe nipat e malsorve të zbritun prej bjeshkve në fushë.

Me këto kriza mendore, në gjire të ndiesíve të turbullta, në valavitje epshesh t’egra e andrrimesh mahnitëse, nëpër prozë e vjerrshë shkrue me lot e me gjak të jetës, vjen tue u trajtue Shqipnija e ardhëme. Edhe e reshët Perendija me hire e me të mira!

Por në lamije t’artit, qellimet e mira ase të këqija të shkrimtarit nuk çojnë kandar. Aty vlen vetem bukurija e veprës. Djella e Camajt mundet me qenë dishmí mjaft e interesantshëme e mendesís të rijve të sotshëm, nji analyzë e randësishme e fenomenit shoqnuer të dyndjeve të popullsive, nji pikzim i vlefshëm në pikpamje ethnologjike zakonesh sot të rralla n’Europë; të gjitha këto merita nuk do t’a naltësojshin në sferen e veprave të dêja për nji dallim të posaçem në rigatë të Zânave arbnore. Ka cilsít e duhuna artistike për nji lavdurím të shenueshëm, tregimi i këtij shkrimtari të rí? Mbas mendes sonë, jo vetëm plotson sasín e cilsive qi nevojiten për m’u njehë vepër arti, por e kapërcen përtej cakut,

Me nji leksik e nji frazeologjí të zhdervjellun – me nji sigurí vizatimi tipash të ndryshëm, – me nji gjallní djalogesh qi me premín plot veshtrim të tyne zbulojnë fundet e shpirtit të vetjeve – me nji stil të rrasët e të ngjyrëshëm ku hijet e dritat ternohen me mjeshtrí të natyrëshme, – Camaj në pak faqe krijon nji botë të vogel qi vuen e gzon para sŷve tonë.

Ndërsana, katundi i Djellës, del e përshkrueme, me pak rrjeshta në menyrë të paharrueshme. E këneta zotnon me duhëm t’ajrit mbushë me helm jetën e katundit tue i përpî njerzit në gjí të vet, i cili duket i lëmuet e i butë, perkundrazi âsht i rrezikëshem pse të çon fill në krahë të Dekës. Rruga e qytetit gjarpnon dhe lëshon ftime tunduese, tue premtue andje të panjoftuna e naltësime shoqnore.

Vetjet e para të tregimit: Djellen, Currin, Bardhin qi shkruen, na duket se i kemi njoftë diku, se ua kemi ndjekë për s’afërmi nderlikimet e shpirtënve të shtrydhun prej furís së gjakimit. Auktori na thotë aqë për ta sa mjafton të na ngallisi menden me plotsue na vetë fytyrat e tyne. S’janë lânë mbas dore as vetjet e dyta: bukur skicue paraqiten Bukuroshja, qi i sherben Bardhit, malsori i ndeshun udhës prej Bardhit kur këthen në vendlindje, Shpresa vajzë qytetare e dejun me lexime rromanxash, Sosja lavire malsije.

Po vendet? Pusi e fiku pranë shtëpís së mësuesit na paraqiten si me i pasë pá na vetë me sŷ. Këthimi i Bardhit në vend t’etënve dhe rrenojat e shtëpís atnore janë fletë të lume qi nderojnë letrësín tonë.

E ushqyeme prej fatkeqsíve, prej trishtimeve të kohës, prej idhnimeve të parreshtuna, të cilat trondisin zêmrat, i mbushin me mullâj qi kerkojnë shfrim dhe nxisin trût me u dhânë dum mysterit të jetës, letrësija e jonë në kohnat e fundit âsht begatë, ndër te gjitha gjinít, me krijime të reja sidomos në deget e mbetuna mbrapa tjerave për kah zhvillimi, si ajo tregimtare ashtu ajo e artit dramatik. Dhimbat shporojnë shpirtënt, gjinikojnë dritë e lulzim si bûcat e dheut qi vetem kur parmenda i then e i çán me plorin e mprehte falin begatín e kallzave ari.

Djella e Camajt, tue iu shmângë guximtarisht çdo konvencjonalizmi shtînjarak e tue na vizatue me pendë mjeshtrore bukurít e shembtimet e nji pjese së gjallë të botës shqiptare, ka me xânë menjiherë nji vend të shquem në letresí tonë.

Ernest Koliqi




{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>