Një enciklopedi për teatrin dhe kinematografinë shqiptare

Enciklopedi Teatri & Kinematografia Shqiptare, Josif PapagjoniJosif Papagjoni sjell individualitete të spikatura të hapësirës mbarëkombëtare.

Thotë se ky libër nuk ka një datë fillimi. Humbet diku në shënime shfaqjesh, artikujsh, sidomos skedash të mbajtura me datimet gjegjëse, për emra aktorësh, regjisorësh, dramaturgësh, në shënime dhe sinteza leksionesh. Dhe vit pas viti këto skeda, shënime, sinteza u shtuan dhe u shtuan deri sa mbërritën në një rezultat përfundimtar. Josif Papagjoni, studiues dhe kritiku i teatrit, kinematografisë dhe letërsisë, prej vitesh mendonte të realizonte një botim, enciklopedi e cila të përfshinte individualitetet e spikatura të teatrit dhe kinematografisë shqiptare në hapësirën mbarëkombëtare – Shqipëri, Kosovë, Maqedoni etj. Dhe ia arriti. Prej pak ditësh ka dalë në qarkullim “Enciklopedia e Teatrit dhe e Kinematografisë Shqiptare”. Në të gjenden mbi 800 njësi sikundër edhe foto përfaqësuese. Në realizimin e saj, autori ka pasur parasysh që zërat, artikujt, njësitë enciklopedike të zotëroheshin nga kahu sintetizues mbi vlerat, veçantitë, stilin, profilin dhe anët mëvetësuese të artistit, institucionit, llojit, gjinisë e zhanrit teatror e kinematografik, deri te mëtimi për përvijime sa më lakonike mbi vepra përfaqësuese (filma, drama, shfaqje teatrore, role, zgjidhje skenografike etj.). Sipas autorit kishte ardhur momenti që një botim i këtij lloji të hartohej. Josif Papagjoni ka botuar 15 libra për teatrin, dramaturgjinë, ndër të cilët: “Teatri dhe aktori”, “Kumti që vjen nga trashëgimia teatrore”, “Aktorët”, “Individualitete”, “Regjisorët”, “Biseda për artin”, “Dialog me teatrin botëror”, “Teatri Kombëtar”, si dhe një varg artikujsh e studimesh për artin teatror shqiptar dhe për figurat e shquara të tij.

Kadare nderohet me cmimin “Princi i Asturias për Letërsinë”

Ismail KadareIsmail Kadare, ambasadori i Letërsisë shqipe në botë është nderuar sot me cmimin “Princi i Asturias për Letërsinë 2009” në Oviedo.

Kadare u shpall kandidatura fituese ndërmjet 31 të tjerave. Ceremonia u zhvillua në Teatrin Campoamor të Oviedo-s, ku Princi Filip i dorëzoi shkrimtarit shqiptar një nga çmimet me prestigjoze në botë. Fjalimin e tij falenderues Kadare e mbajti në gjuhën shqipe.

Sipas shtypit spanjoll vepra që e bëri Kadarenë të njohur është romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Vetë Kadare është shprehur entuziast për marrjen e këtij cmimi në prononcimet për mediat spanjolle. Lexo vazhdimin >>>

Dy fjalë për librin e ri “E kuqja e demave” nga Mira Meksi

Në një qytet legjendash në Spanjë, murgjit “Luftëtarë kundër harresës së Ikonës” kanë vite që punojnë për deshifrimin e misterit që vesh të kuqen e fuqishme të ikonave të Onufrit. Brenda një realiteti të përndezur ndeshjesh me dema, rivalitetesh dhe tradhtish të gjakta, Mira Meksi përshkruan lojën pasionante të jetës ku ngërthehen fort dhe përleshen egërsisht Dashuria dhe Vdekja.

Romani "E kuqja e demave" Mira MeksiSikundërse kemi vënë në dukje edhe në disa hapësira të tjera, e tërë krijimtaria e Mira Meksit lind dhe kristalizohet nën dritën e hapjes ndaj tjetrit, duke rrëfyer për tjetrin. Kjo hapje, ky përtejësim, në faqet e këtij romani jepet në formë më të qartë dhe më të shprehur se në çdo roman apo tregim të saj të mëparshëm. Ndërsa tek krijimtaria e mëparshme lexuesin e vërejmë të jepet si element strukturor i rrëfimit, porse në një trajtë fort të ndërfshehur, në faqet e këtij romani prania e tij jepet në formën më të hapur; ndryshe nga sa më parë, tek E kuqja e demave Meksi i drejtohet drejtpërsëdrejti dhe në emër lexuesit, madje, duke e shoqëruar këtë dialog me një ndriçim të fortë dhe mbresëlënës… Lexo vazhdimin >>>

Botohet i pari fjalor arkeologjik në Shqipëri

Fjalor arkeologjikNdërsa shpesh kemi hasur mbivendosje dhe ngatërrim termash kur bëhet fjalë për arkeologjinë, një botim si “Fjalori terminologjik i arkeologjisë” vjen për të davaritur mjegullën. Fjalori, fryt i punës së dy arkeologeve të rinj Ardit Miti dhe Eglantina Seriani është i pari botim në Shqipëri i këtij lloji. Fjalori është redaktuar nga arkeologu Neritan Ceka, i cili ironizoi edhe me ata që kanë ideuar kartëmonedhën 2 mijë lekëshe në bankën e Shqipërisë.

“Është një libër i cili pretendon të ofrojë kulturë, natyrisht jo për ata që s’duan ta marrin këtë kulture, siç janë edhe…nuk dua të replikoj me autoret e monedhës dy mijë lekëshe, por kemi kohë, të paktën njihen nja dhjetë artikuj të profesor Kërkutit që thotë ky është ndryshimi midis teatrit dhe amfiteatrit, është botuar nja 100 herë kjo histori, dhe çdo enciklopedi e ofron këtë shërbim, duke filluar që nga enciklopedia shqiptare”, tha Neritan Ceka, arkeolog. Lexo vazhdimin >>>

“Heretiku” Klaus kundër ambientalizmit

Prezantohet në Tiranë libri i shumëdebatuar i Presidentit çek kundër teorisë së ngrohjes globale

Vaclav KlausKryefjala e vizitës së Presidentit të Republikës Çeke në Shqipëri, Vaclav Klaus, gjatë dy ditëve të fundit, duket se ishte “biznes”, por edhe “integrim europian”. Por pasioni i tij më i madh dhe më i debatuar në të gjithë botën, u krye pa shumë vëmendje mediatike të hënën në darkë, kur në Tiranë u prezantua i botuar në shqip nga Instituti i Studimeve Ndërkombëtare libri “Planeti Blu në Vargonj të Gjelbër.”

Libri i përkthyer nga Adriatik e Maksen Shino, dhe i redaktuar nga ambasadori shqiptar në Çeki, Qazim Tepshi, është një pamflet politik që irriton deri në vdekje shumicën dërrmuese të ambientalistëve në të katër anët e botës.

Vizita në Tiranë

Presidenti Klaus vizitoi Shqipërinë gjatë dy ditëve të fundit, i shoqëruar nga një numër i madh kompanish çeke, pothuajse të gjitha të lidhura me sektorin e energjisë. Disa prej këtyre kompanive, të cilat prodhojnë pajisje elektrike si matësit e energjisë etj., kanë ardhur sepse furnizojnë CEZ në vendin e tyre dhe e ndjekin këtë kompani në vendet e tjera. CEZ pritet të investojë rreth 200 milionë euro në vitet e ardhshme për rinovimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike në Shqipëri dhe kjo do të thotë se për kompani të tjera çeke do të ketë mundësi joshëse për biznes. Presidenti çek foli në Tiranë edhe për kundërshtitë e tij ndaj Traktatit të Lisbonës. Në fakt, e gjithë Europa po pret firmën e tij për ta kthyer BE-në në një entitet politik me ndikim botëror, por Klaus po i lë të presin. Më herët, Klaus thuhet se ka komentuar para disa diplomatëve amerikanë se BE-ja është “një entitet i dështuar dhe i falimentuar”. Lexo vazhdimin >>>

Për romanin “Në kohën e britmës” nga Visar Zhiti

Visar ZhitiPërsëri shkrimtari Visar Zhiti u jep letrave shqipe një vepër dinjitose, romanin “Në kohën e britmës“, për të cilin  mund të themi me plot bindje se është ndër më të mirët e kohëve të fundit në letërsinë tonë, duke shpalosur edhe njëherë fuqishëm talentin e mrekullueshëm të këtij autori. Eshtë një afreskë tronditëse, një rrëfim ku bashkohet enigma me dhembjen, denoncimi i hapur me dashurinë, balta e vuajtjeve me dritat e metropolit, krimi me bukurinë, së cilës duket sikur nuk u mjafton një breg shqiptar, por hidhet dhe në bregun tjetër, atë italian. Koha lëviz vrullshëm në roman nga jeta në vdekje, por edhe e anasjelltas, me personazhe imagjinarë dhe realë, të zakonshëm dhe të shquar, ku dialogu ia lë vendin përsiatjes, që lë jehonë të thellë tek lexuesi, duke përēuar emocione të forta dhe vlera të vërteta artistike.

Ne kohen e britmes, Visar ZhitiRomani “Në kohën e britmës” pasqyron një pjesë nga ikjet më të fundit. Njerëzit largoheshin nga dhuna dhe varfëria, në kërkim të një jete më të mirë, duke dalë shpesh dhe nga vetja, dhe kjo duket se e intereson më shumë autorin, ikja nga vetvetja, pjesë të së cilës i rigjejnë apo i humbin përgjithmonë, ndeshen me krimin dhe të keqen, u bëjnë ballë atyre, mposhten dhe mposhtin.

Autori duket sikur nuk pret që realiteti t’i zgjidhë problemet e veta, e llava e ngjarjeve të ftohet, por ai ndërfutet në vorbullat e këtij realiteti, është në grykë të kraterit, madje dhe paraprin, duke marrë përsipër përgjegjësi dhe mision, gjithmonë si një shkrimtar,  i cili dhe vetë kështu sikur bëhet ngjarje, jo vetëm estetike, sikur do të na thotë se shpresat janë më të mëdha se zhgënjimet dhe bukuria, sipas një sentence të njohur, pritet të triumfojë duke na bërë të gjithëve më të mirë.

Libra të tjerë nga Visar Zhiti